Të gjithë kapitujt

2 i Samuelit · Kapitulli 9

3. Familja e Davidit dhe ngatërresat për trashëgim, A. MERIBAALI, etj.

13 vargje

3. Familja e Davidit dhe ngatërresat për trashëgim

A. MERIBAALI

Mirësia e Davidit ndaj birit të Jonatanit

1Davidi pyeti: »A do të jetë ndokush që ka mbetur gjallë prej shtëpisë së Saulit, të cilit të mund t’i bëj ndonjë të mirë për shkak të Jonatanit?«

2Tashti ishte një shërbëtor i shtëpisë së Saulit që quhej Sibë. Këtë e thirri mbreti te vetja dhe i tha: »A mos je ti Siba?« Ai iu përgjigj: »Unë jam, shërbëtori yt.«

3Atëherë mbreti i tha: »A e di mos ka mbetur ndokush gjallë prej familjes së Saulit, që ta çoj në vend me të besën e Hyjit?« Siba iu përgjigj mbretit: »Është gjallë biri i Jonatanit që çalon në të dy anët.«

4»E ku është?« - i tha. E Siba i tha mbretit: »Është në shtëpinë e Makirit, birit të Amielit në Lodabar.«

5Davidi mbret çoi dhe e mori prej shtëpisë së Makirit, birit të Amielit, prej Lodabarit.

6Kur erdhi Meribaali, biri i Jonatanit të Saulit, te Davidi, ra me fytyrë përdhe në shenjë nderimi. Davidi i tha: »Meribaal!« Ai iu përgjigj: »Këtu jam shërbëtori yt.«

7E Davidi vazhdoi: »Të mos kesh frikë, sepse dua ta çoj në vend besën ndaj teje që kam lidhur me Jonatanin, babën tënd. Do t’i kthej të gjitha tokat e Saulit, gjyshit tënd, kurse ti për jetë do të hash bukë në tryezën time.

8Ai u përkul dhe tha: »Po kush jam unë, shërbëtori yt, që po i prir sytë mbi një qen të ngordhur siç jam unë?«

9Atëherë mbreti e thirri Sibën, shërbëtorin e Saulit, e i tha: »Gjithçka ka qenë e Saulit dhe e mbarë familjes së tij, po ia jap birit të zotërisë tënd.

10Punoja, pra, tokën, ti e bijtë e tu e shërbëtorët e tu e mblidhi prodhimet që shtëpia e zotërisë tënd të ketë me se të ushqehet. Kurse Meribaali, djali i zotërisë tënd, do të hajë bukë gjithmonë në tryezën time.« Siba kishte pesëmbëdhjetë djem e njëzet shërbëtorë.

11Atëherë Siba i tha mbretit: »Gjithë ç’i ke urdhëruar, zotëria im mbret, shërbëtorit tënd, po ashtu do të bëjë shërbëtori yt.« Kështu, pra, Meribaali ushqehej në tryezën e mbretit si të ishte një prej djemve të mbretit.

12Meribaali kishte një djalë të vogël që quhej Mikë. Të gjithë ata që banonin në shtëpinë e Sibës, ishin shërbëtorët e Meribaalit.

13Porse Meribaali jetonte në Jerusalem, sepse vazhdimisht ushqehej në tryezën e mbretit. Ishte i çalë nga të dyja këmbët.