Të gjithë kapitujt

Dalja · Kapitulli 1

I. ÇLIRIMI PREJ EGJIPTIT, 1. Izraeli në Egjipt, etj.

22 vargje

I. ÇLIRIMI PREJ EGJIPTIT

1. Izraeli në Egjipt

Përparimi i hebrenjve në Egjipt

1Këta janë emrat e bijve të Izraelit, që, bashkë me Jakobin, hynë në Egjipt, secili me familjen e vet:

2Rubeni, Simoni, Levi e Juda,

3Isahari, Zabuloni e Beniamini,

4Dani, Neftaliu, Gadi e Aseri.

5Të gjithë pasardhësit e Jakobit ishin së bashku shtatëdhjetë frymë. Jozefi ishte qysh më parë në Egjipt.

6Jozefi vdiq. Vdiqën edhe të gjithë vëllezërit e tij dhe mbarë ajo brezni.

7Bijtë e Izraelit u rritën, u shtuan, u shumuan, u forcuan për së tepërmi dhe e mbushën dheun.

Shtypja e hebrenjve

8Atëherë u ngrit mbi Egjipt një mbret i ri, i cili nuk e kishte njohur Jozefin.

9Ky i tha popullit të vet: »Ja, populli i Izraelit u shumua fort dhe u bë më i fuqishëm se ne!

10Të marrim, pra, ndaj tij masa të mjaftueshme për të bërë që të mos shumohet; ndryshe, në rast lufte kundër nesh, do të bashkohet me armiqtë tanë, dhe, pasi të na mundin, do të dalin nga vendi.«

11Prandaj vuri mbi ta kryepunëtorë, që t’i shtypnin me punë të rënda. Ata ndërtuan për faraonin qytetet-depo: Pitomin dhe Ramsesin.

12Por, sa më fort që i shtypnin, aq më tepër rriteshin dhe shtoheshin përtej çdo mase.

13Egjiptianët filluan t’i kenë frikë bijtë e Izraelit, këndej nisën t’i mundojnë pa mëshirë

14dhe ua bënë jetën ngjak duke i shtërnguar të punojnë punët e rënda, siç janë llaçi e punimi i tullave edhe me çdo vepër tjetër skllavërie me të cilën ua bënin jetën ngjak.

15Mandej mbreti i Egjiptit i thirri mamitë e hebrenjve, prej të cilave njëra quhej Sefra e tjetra Pua,

16dhe iu urdhëroi: »Kur t’u shërbeni grave të hebrenjve në kohën e lindjes, në qoftë se do të jetë fëmija mashkull, mbyteni, nëse është femër, lëreni!«

17Porse mamitë e dronin Hyjin dhe nuk bënë si u urdhëroi mbreti i egjiptianëve, por i ruanin në jetë edhe fëmijët meshkuj.

18Mbreti i thirri dhe u tha: »Çka po bëni kështu? Ju po i ruani djemtë!«

19Ato përgjigjën: »Gratë hebrenje nuk janë porsi gratë egjiptiane. Ato janë të forta dhe, para se ne arrimë tek ato, po lindin«.

20Hyji i bekoi mamitë dhe populli u rrit dhe u forcua për së tepërmi.

21Dhe, pasi mamitë e patën frikën e Hyjit, Hyji ua mbushi shtëpinë me trashëgimtarë.

22Për këtë arsye faraoni dha urdhër dhe i tha mbarë popullit të vet: »Çka të lindin mashkuj, hidhni në lumë, kurse femrat lini gjallë!«