Të gjithë kapitujt

Zanafilla · Kapitulli 50

Salikimet e Jakobit, Prej vdekjes së Jakobit deri në vdekje të Jozefit

26 vargje

Salikimet e Jakobit

1Jozefi ra mbi fytyrën e t’et, e qante dhe e puthte.

2Atëherë u urdhëroi mjekëve që i kishte në shërbim ta balsamojnë të atin.

3Ata, në të kryer të urdhrit, kaluan dyzet ditë: kaq në të vërtetë zgjat balsamimi i kufomave. Egjipti e qau shtatëdhjetë ditë.

4Si kaloi koha e vajtimit, Jozefi foli me familjen e faraonit: »Nëse kam gjetur hir para syve tuaj, m’i thoni faraonit,

5se im atë më përbeu: ‘Ja po vdes: më varros në varrin tim që e hapa për vete në dheun e Kanaanit’, të më lejojë të shkoj ta varros tim atë e do të kthehem.«

6Faraoni i tha: »Shko e varrose babën sikurse të përbeu.«

7Jozefi shkoi e me të shkuan edhe të gjithë shërbëtorët e faraonit, paranikët e shtëpisë së tij, të gjithë paranikët e dheut të Egjiptit,

8mbarë familja e Jozefit me vëllezërit e tij, pa fëmijë, grigjë e lori, që i lanë në krahinën Gesen.

9Në krejt përcjellje përmortore pati karroca e kuaj dhe u bë një turmë jo aq e vogël.

10Kur erdhën në Gorenhaatad (d.m.th. Lëmi i ferrave), që është përtej Jordanit, aty kremtuan salikimet dhe bënë një gjëmë të madhe e të thekshme për shtatë ditë.

11Kur e panë këtë gjë banorët e Kanaanit, thanë: »Qenka ky vaj i madh për egjiptianët!« Prandaj edhe ai vend u quajt Abelmesraim (d.m.th. Vajtimi i Egjiptit).

12Bijtë e Jakobit bënë siç u qe urdhëruar.

13E çuan në dheun e Kanaanit dhe e varrosën në shpellën e Makpelës, që e pati blerë Abrahami bashkë me arë për pronë varrezash prej Efron Heteut; kundruall Mambresë.

14Atëherë Jozefi u kthye në Egjipt bashkë me vëllezërit e vet dhe me tërë përcjelljen, pasi e varrosën të atin.

Prej vdekjes së Jakobit deri në vdekje të Jozefit

15Pasi u vdiq baba vëllezërit e Jozefit filluan të tremben dhe i thanë njëri-tjetrit: »Që të mos i kujtohet rastësisht padrejtësia që e pësoi dhe të na e kthejë gjithë të keqen që ia bëmë«,

16dërguan t’i thonë: »Yt atë na urdhëroi, para se të vdiste,

17që t’i themi këto fjalë të tija: ‘Po të lutemi ta harrosh kobin e vëllezërve të tu, fajin dhe mëkatin e tyre, që e bënë kundër teje.’ Po edhe ne po të lutemi, që shërbëtorëve të Hyjit tyt et t’ua falësh këtë vepër të zezë.« Kur i dëgjoi këto, Jozefi ia plasi vajit.

18Erdhën tek ai vëllezërit e tij dhe, kryeulur përdhe, i thanë: »Jemi skllevërit e tu.«

19Ai u përgjigji: »Mos kini frikë! Vallë, a mund t’i kundërshtojmë vullnetit të Hyjit?

20Ju njëmend ma menduat të keqen, por Hyji e ktheu atë në të mirë që të më lartësojë, si po shihni se ndodhi vërtetisht, dhe për të shpëtuar një popull të madh.

21Mos druani! Unë do të kujdesem për ju dhe për fëmijët tuaj.« Dhe i ngushëlloi me fjalë të ëmbla e të buta.

22Jozefi banoi në Egjipt me mbarë familjen e tij dhe familjen e t’et. Jetoi njëqind e dhjetë vjet

23dhe i mbërriti bijtë e Efraimit deri në të tretin brez. Po edhe bijtë e Mahirit, birit të Manaseut, lindën në prehrin e Jozefit.

24Pas këtyre ngjarjeve, Jozefi u tha vëllezërve: »Pas vdekjes sime Hyji do t’ju vijë në pasi dhe do t’ju mundësojë të dilni prej këtij dheu e të shkoni në dheun që ua premtoi me betim Abrahamit, Izakut e Jakobit.«

25Pasi i përbeu ata dhe u tha: »Hyji do t’ju vijë përnjëmend në pasi… atëherë m’i merrni me vete eshtrat prej këtij vendi«,

26e vdiq. I kishte mbushur njëqind e dhjetë vjet jete. Trupi i tij qe balsamuar dhe venduar në një sarkofag në Egjipt.