Të gjithë kapitujt

Dalja · Kapitulli 13

Të parëlindurit dhe të Pabrumet, Prapë për të parëlindurit, etj.

22 vargje

Të parëlindurit dhe të Pabrumet

1Zoti i tha Moisiut:

2»Ndaje për mua çdo të parëlindur - frytin e parë të kraharorit të nënës të bijve të Izraelit, qoftë të njerëzve qoftë të kafshëve shtëpiake: mua më përkasin!

3Atëherë Moisiu i tha popullit: »Mbajeni mend këtë ditë, në të cilën dolët prej Egjiptit - prej shtëpisë së skllavërisë! Sepse Zoti ju nxori me dorën e vet të fortë prej atij vendi: ruhuni se hani bukë të mbruar!

4Sot ju po dilni prej Egjiptit, në muajin e Abibit (d.m.th. Të Frutave të para).

5Atëherë, kur Zoti të bëjë të hysh në dheun e Kananeut, të Heteut, të Amorreut, të Heveut dhe të Jebuseut, që me përbetim u zotua etërve të tu se do ta japë ty, këtë tokë që rrjedh qumësht e mjaltë, - në këtë muaj kremtoje këtë rit të shenjtë:

6Për shtatë ditë ha bukë të pambruar. Të shtatën ditë le të jetë festë në nder të Zotit.

7Për shtatë ditë hani bukë të pambruar: - të mos ketë te ti assesi bukë të mbruar - dhe të mos shihet askund në kufijtë e tu brumë!

8- Mësoje fëmijën tënd atë ditë e thuaj: ‘Bëj kështu për atë që Zoti bëri për mua kur dola prej dheut të Egjiptit.’

9- Ki porsi shenjë në dorën tënde, porsi përmendore ndër sy të tu që ligji i Zotit të jetë gjithmonë në gojën tënde. Sepse Zoti të nxori prej Egjiptit me dorë të fuqishme!

10- Zbatoje këtë rit vjet për vjet në kohën e caktuar!«

Prapë për të parëlindurit

11»Kur Zoti të fusë në dheun e Kananeut, sikurse t’u përbe ty dhe etërve të tu, dhe ta ketë dhënë,

12ndaje për Zotin çdo të parëlindur të kraharorit të nënës, dhe pjellën e parë të bagëtive: e ç’të jetë mashkull: kushtoja Zotit.

13Zogun e gomarit shpaguaje me një krye berri. Nëse nuk e shpërblen, mbyte! Çdo të parëlindur njeriu të bijve të të tu shpërbleje!

14E kur yt bir të pyesë nesër: ‘Pse kështu?’ - përgjigji: ‘Zoti na nxori me dorë të fuqishme prej Egjiptit - prej shtëpisë së skllavërisë.

15Sepse, kur u gurua faraoni e nuk deshi të na lëshojë, Zoti i vrau të gjithë të parëlindurit e dheut të Egjiptit - prej të parëlindurve të njerëzve deri te të parëlindurit e bagëtive. Prandaj ia kushtoj Zotit çdo fryt të parë të kraharorit të nënës që është mashkull dhe i shpërblej të gjithë të parëlindurit e bijve të mi.

16Ky rit le të shërbejë si shenja përkujtuese në dorë, porsi jetulla ndër sy të tu se Zoti na nxorri me dorë të fuqishme prej dheut të Egjiptit.«

4. Dalja nga Egjipti

Të nisurit e izraelitëve

17Kur faraoni e lëshoi popullin të shkojë, Hyji nuk i priu drejt dheut të filistenjve, edhe pse rruga ishte më e shkurtër, duke menduar se ndoshta populli do të pendohet kur të shohë se do t’i duhet të luftojë dhe do të kthehet në Egjipt.

18Por i solli udhës së shkretëtirës, që është në drejtim të Detit të Kuq. Bijtë e Izraelit, të armatosur mirë, dolën prej dheut të Egjiptit.

19Moisiu i mori me vete eshtrat e Jozefit, sepse ky i kishte përbetuar bijtë e Izraelit duke u thënë: »Hyji do t’ju vijë patjetër në pasi. Merrni prej këndej me vete eshtrat e mi.«

20Ata u nisën prej Sukotit dhe ngulën tëbanishtën në Etam, në skaj të shkretëtirës.

21Vetë Zoti shkonte para tyre për t’u dëftuar rrugën, ditën në shtyllë reje e natën në shtyllë zjarri që t’u printe ditën e natën.

22Popullit kurrë nuk iu zhduk ditën shtylla e resë e natën shtylla e zjarrit.