Të gjithë kapitujt

Dalja · Kapitulli 28

Petkat e priftërinjve, Shpinorja, etj.

43 vargje

Petkat e priftërinjve

1»Prej bijve të Izraelit merre pranë teje Aronin, vëllanë tënd, me bijtë e tij që të ushtrojnë priftërinë për mua: Aroni, Nadabi, Abiuhi, Eleazari dhe Itamari.

2Puno për Aronin, vëllanë tënd, petkat e shenjta që të paraqesin nderin dhe madhërinë.

3Thuaju të gjithë mjeshtërve që i kam pajisur me dije që t’ia punojnë petkat Aronit që të kushtohet në shërbesën e priftërisë sime.

4Dhe ja, petkat që duhet t’i punojnë: parzmorja, shpinorja, guna, këmisha e qendisur, kësula dhe brezi. Le t’i punojnë petkat e shenjta për Aronin e për bijtë e tij që të kryejnë shërbesën priftërore në nder tim.

5Ata le të përdorin ar, pëlhurë ngjyrë viollce, të kuqe, të kuqe të mbyllur dhe li të tjerrë.«

Shpinorja

6»Shpinoren le ta punojnë prej arit, me pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe me li të dredhur - të punuar me mjeshtri.

7Le t’i ketë dy krahëza dhe në dy anët e skajeve të saja të bashkohet me to.

8Rrypi që është mbi të për ta shtrënguar duhet të jetë i të njëjtës përmbajtje dhe një tërësi me të: prej arit, pëlhure ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe me li të dredhur.

9Merri dy gurë të paçmueshëm alabastri dhe gdhendi në ta emrat e bijve të Izraelit:

10gjashtë emra në njërin gur e gjashtë tjerët në gurin tjetër, sipas rendit të lindjes së tyre.

11Gdhendi gurët me mjeshtrinë e gdhendësit të gurëve e zgavroj emrat e bijve të Izraelit ashtu si skalitet vula; përreth tyre vëri rreth ari.

12Nguli dy gurët mbi krahëzat e shpinores që të jenë në përkujtim të bijve të Izraelit. Kështu Aroni le t’i mbarë para Zotit emrat e tyre mbi të dy krahët për t’i përkujtuar.

13Edhe skajet punoj prej arit

14dhe dy vargje prej arit të pastër në trajtë të tejes me mjeshtri gërshetimi e atëherë mbërthej vargjet me skajet e arta.

Parzmorja

15»Punoje edhe parzmoren e gjykimit me mjeshtri, sipas punimit të shpinores me ari, me pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe me li të dredhur:

16le të jetë katrore dhe e dyfishtë: një pëllëmbë gjatë e një pëllëmbë gjerë.

17Vëri në të katër radhë gurësh: në rreshtin e parë vër gurin: rubin, topaz e smaragd.

18Në rreshtin e dytë: karbunkullin, safirin e jaspisin.

19Në rreshtin e tretë: hiacintin, ahatin e ametistin.

20Në të katërtin: krisolitin, oniksin e berilin. Le të jenë të rrethuar me ari sipas radhës së tyre.

21Le t’i kenë emrat e bijve të Izraelit: le të jenë të gdhendur dymbëdhjetë emrat: çdo gur emrin e njërit nga të dymbëdhjetë fiset.

22Edhe parzmores punoja vargjet si teje të gërshetuar me mjeshtri, ari të pastër.

23Po edhe dy rrathë ari e vëri në majë të dy anëve të parzmores.

24Vargjet e arta mbërthej me rrathët që janë në rrethin e saj,

25kurse dy majët e këtyre vargjeve mbërthej në rrethin e krahëzave të shpinores në pjesët e përparme.

26Punoji edhe dy rrathë të artë dhe lidhi për dy këndet e poshtme të parzmores në buzë përbrenda që është e sjellë prej shpinores.

27Punoji po ashtu edhe dy rrathë të tjerë ari që do të vihen në secilin rryp të poshtëm të shpinores në pjesën e përparme të saj aty ku përpiqet rrypi i shpinores

28e shtërngoje parzmoren për rrathët e saj e për rrathët e shpinores me një shirit purpure ngjyrë vjollce, kështu që parzmorja të rrijë përmbi rrypin e shpinores që parzmorja e shpinorja të mos mund të ndahen.

29Kështu, pra, Aroni sa herë që të hyjë në Shenjtërore, le t’i mbartë mbi zemrën e vet emrat e fiseve të bijve të Izraelit në parzmoren e gjykimit: që t’i përkujtojë gjithmonë para Zotit.

30Vëri në parzmoren e gjykimit edhe ‘Urim e Tummim’, që të jenë edhe ata mbi zemrën e Aronit sa herë që të hyjë në praninë e Zotit. Kështu Aroni ta mbarë mbi zemrën e vet në praninë e Zotit përherë gjykimin e bijve të Izraelit.«

Guna

31»Gunën e shpinores punoje të tërë prej pëlhure të ngjyrës vjollce,

32e në mes të saj grykën për krye. Buza përreth le të qepet porsi gryka në pancir, që të mos shqyhet.

33Kurse në fund të gunës, gjithkund përreth, punoji prej pëlhurës ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur si shega e ndërmjet shegave kumbonëzat ari,

34kështu që të jetë një kumbonëz e një shegë e një kumbonëz e një shegë.

35Le të veshet me të Aroni kur kryen shërbesën që të dëgjohet tingëllima kur hyn e del prej shenjtërores kështu s’do të vdesë.«

Shenja e shugurimit

36»Punoje edhe një paftë krejt ari të kulluar e në të zgavroje ashtu si zgavrohet në vulën e unazës: »I shuguruar Zotit«.

37Lidhe me shirit ngjyrë vjollce për kësulë,

38në ballin e Aronit. Kështu Aroni le t’i marrë mbi vete të gjitha mungesat që do të mund t’i njollosnin kushtet e dhuratat që izraelitët i kushtojnë. Le ta mbajë gjithmonë në ballë që të fitojë për ta përkrahjen e Zotit.

39Punoja këmishën prej lirit të pastër; po ashtu edhe kësulën prej lirit të pastër; edhe brezin të qendisur me mjeshtri.«

Petkat për priftërinj

40»Po edhe për bijtë e Aronit punoj këmisha të linjta; punoji edhe breza dhe kësula në shenjë nderi e madhërie.

41Veshe me to Aronin, vëllanë tënd, dhe bijtë e tij; atëherë lyej me vaj, mbushjau duart me pushtet dhe shuguroj që ta kryejnë shërbesën priftërore në nderim tim.

42Punoju edhe të linjtat që të mbulojnë veten qysh prej veshkëve e deri kofshët.

43Le t’i mbarin Aroni e bijtë e tij kur hynë në Tendën e takimit ose kur i afrohen lterit për të kryer shërbesën në shenjtërore që të mos bien në faj e të vdesin: është urdhëresë rituale e përhershme për të dhe për pasardhësit e tij pas tij.«