Të gjithë kapitujt

Dalja · Kapitulli 29

Shugurimi i Aronit dhe i bijve të tij. Përgatitja, Pastrimi, të veshurit dhe lyerja, etj.

46 vargje

Shugurimi i Aronit dhe i bijve të tij. Përgatitja

1»Dhe, ja, si do të bësh për t’i shuguruar për priftërinë time: merre një mëzat dhe dy desh pa të meta,

2bukë të pabrume dhe kuleç të pabrumë të ngjeshur në vaj po dhe pite të pabrume të lyera me vaj. Gatuaj me miell të bardhë gruri,

3futi në shportë e kushtoj bashkë me mëzat e me dy deshtë.«

Pastrimi, të veshurit dhe lyerja

4»Bjeri Aronin dhe bijtë e tij te dera e Tendës së takimit. Pasi t’i kesh larë atë e bijtë e tij me ujë,

5veshe Aronin me petkat e tij, d.m.th. me këmishë, me gunën e shpinores, vëri shpinoren dhe parzmoren, të cilën shtrëngoja me lidhëzën e shpinores;

6vëri kësulën në kokë dhe kezën e shenjtë - shenjën e shugurimit mbi kësulë

7dhe zbraz mbi kokën e tij vajin e shugurimit, dhe do të jetë i shuguruar.

8Afroj edhe bijtë e tij dhe veshi me këmisha të linjta, ngjeshi me brez,

9vëru kësulat dhe do të jenë priftërinj të mi me të drejtë të përhershme.«

Flitë

»Pasi t’ua kesh mbushur duart me pushtet Aronit dhe bijve të tij,

10sille mëzatin para Tendës së takimit. Atëherë Aroni dhe të bijtë le t’ia vënë duart mëzatit mbi kokë

11e preje në praninë e Zotit në hyrje të Tendës së takimit.

12Merr prej gjakut të mëzatit e me gishtin tënd vëre në brirë të lterit, kurse pjesën tjetër të gjakut zbraze nën lter.

13Merre edhe tërë dhjamin e zorrëve dhe rizën e mëlçisë e dy veshkat me dhjamin që është mbi to dhe shkrumboj mbi lter si fli,

14kurse mishin e mëzatit, lëkurën dhe jashtëqitjet e tija, digji përjashta tëbanishtës, sepse është fjala për fli pendestare.

15Pastaj merre njërin dash dhe mbi krye të tij Aroni dhe bijtë e tij t’i vënë duart.

16Atëherë preje e merre gjakun e tij e derdhe mbi lter gjithkund përreth tij.

17Dashin preje copa-copa, laja zorrët dhe këmbët e vëri mbi mishin e coptuar dhe mbi kryet e tij.

18Atëherë digje mbi lter krejt dashin: është fli e bërë shkrumb në nder të Zotit, erë e këndshme, fli e djegur në zjarr në nder të Zotit.

19Merre edhe dashin tjetër e mbi krye të tij t’i vënë duart Aroni e bijtë e tij.

20Preje dashin, merr prej gjakut të tij dhe lyeje bulën e veshit të djathtë të Aronit e të bijve të tij dhe pëlqyerin e dorës e të këmbës së djathtë të tyre. Gjakun që tepron derdhe në lter gjithkund përreth.

21Atëherë merr prej gjakut që do të mbesë në lter dhe prej vajit të shugurimit stërpike Aronin e petkat e tija, e me të bijtë e tij e petkat e tyre.«

Hyrja në shërbesë të priftërinjve

22»Merre mandej dhjamin e dashit, bishtin dhe dhjamin rreth zorrëve, rizën e mëlçisë, dy veshkat dhe dhjamin që i mbështjell ato dhe shpatullën e djathtë - sepse është dashi i flijuar për shugurimin e priftërinjëve,

23një bukë të rrumbullaktë, një kulaç në vaj dhe një pite prej shportës së pabrumeve që është e vënë në praninë e Zotit.

24Vëri të gjitha në duar të Aronit e të bijve të tij e bëri t’i kushtojnë me sjellje të paraqitjes para Zotit.

25Merri të gjitha prej duarve të tyre dhe digji mbi lter përmbi flinë e shkrumbimit, në erë të këndshme në praninë e Zotit: është fli i djegur në zjarr për Zotin.

26Merre edhe gjoksin e dashit me të cilin hyri në shërbesë Aroni dhe kushtoje si fli paraqitjeje Zotit: kjo pjesë të takon ty.

27Shenjtëroj gjoksin që qe paraqitur dhe shpatullën që qe kushtuar, të ndara nga dashi,

28me të cilin hynë në shërbesë Aroni dhe bijtë e tij. Këto pjesë i takojnë Aronit dhe bijve të tij, e drejtë e pandryshueshme mbi bijtë e Izraelit përgjithmonë; sepse është shpërblim dhe do të mbetet shpërblim prej bijve të Izraelit për flitë e pajtimit, shpërblim i tyre që i takon Zotit.

29Petkat e shenjta të Aronit u takojnë bijve të tij pas tij, që të shugurohen në to dhe duart e tyre të mbushen me pushtet në to.

30Ai prej bijve të tij që do të bëhet kryeprift në këmbë të tij, që do të hyjë në Tendën e Takimit për të shërbesuar në shenjtërore, le t’i përdorë për shtatë ditë.«

Ngrënia e shenjtë

31»Merre pastaj dashin e shugurimit dhe zije mishin e tij në vendin e shenjtë.

32Aroni e bijtë e tij le ta hanë mishin e këtij dashi dhe bukën që është në shportë në hyrje të Tendës së takimit.

33Le të hanë prej atyre që shërbyen si fli pendestare që t’ju mbushen duart me pushtet e të shugurohen. S’guxon të hajë prej tyre asnjë i jashtëm.

34Nëse mbetet mish prej flisë së shugurimit të priftërinjve ose prej bukës deri në mëngjes, digje: nuk guxohet të hahet, sepse është e shuguruar.

35Bëj, pra, kështu gjithçka me Aronin e me bijtë e tij sikurse të kam urdhëruar. Gjatë shtatë ditëve vazhdo t’i shugurosh duart e tyre.«

Shugurimi i lterit të flisë së shkrumbimit /holokaustit/

36»Çdo ditë flijoje një mëzat për shpërblim që duhet dhënë për mëkat; duke kushtuar fli shpërblimi për të do ta heqësh mëkatin prej lterit dhe lyeje që të shugurohet.

37Shtatë ditë rresht kushto fli shpërblimi për lterin dhe shuguroje. Kështu lteri do të jetë tesve i shenjtë: e kushdo që ta prekë do të jetë i shenjtë.«

Flia e shkrumbimit e përditshme

38»Dhe, ja, çka do të kushtosh mbi lter: çdo ditë vazhdimisht nga dy qengja vjetakë,

39njërin qengj në mëngjes e tjetrin në mbrëmje.

40Kushtoje me qengjin e parë edhe një të dhjetën e efit miell të bardhë të ngjeshur me një të katërt të hinit vaj të shtypur dhe një fli njomjeje me një të katërt të hinit verë.

41Kurse qengjin tjetër kushtoje në mbrëmje sipas ritit të flisë mëngjesore e të njomjes në erë të këndshme, fli të djegur në nder të Zotit,

42le të jetë kjo fli shkrumbimi e përhershme brezni në brezni në hyrje të Tendës së takimit, në praninë e Zotit, ku do të takohem me ju për të biseduar me ty.

43Këtu do të takohem edhe me bijtë e Izraelit e do ta shenjtëroj këtë vend me anë të lavdisë sime.

44Do ta shenjtëroj edhe Tendën e takimit me lter dhe Aronin me të bijtë që të më shërbejnë si priftërinj.

45Unë do të banoj ndër izraelitë e do të jem Hyji i tyre.

46Atëherë ata do ta marrin vesh se jam unë Zoti, Hyji i tyre, që i nxora nga dheu i Egjiptit, që të banoj me ta - unë Zoti, Hyji i tyre.«