Të gjithë kapitujt

Dalja · Kapitulli 36

Përfundimi i mbledhjes së ndihmesës, Banesa, etj.

38 vargje

1Beseleeli dhe Ooliabi dhe të gjithë mjeshtrit, të cilët Zoti i kishte pajisur me dije e aftësi që t’i kryejnë me mjeshtri të gjitha punimet e nevojshme për ndërtimin e Shenjtërores, i kryen të gjitha sikurse kishte urdhëruar Zoti.

Përfundimi i mbledhjes së ndihmesës

2Atëherë Moisiu i grishi Beseleelin e Ooliabin dhe të gjithë ata që Zoti i kishte pajisur me mjeshtri; të gjithë ata që u dëshironte zemra t’i qepen punës e atë ta kryejnë.

3I morën prej Moisiut të gjitha ndihmesat që kishte dhënë populli i Izraelit për punimet e ndërtimit të Shenjtërores. Por izraelitët vazhdonin çdo mëngjes të sillnin ndihmesa vullnetare.

4Andaj të gjithë mjeshtrit që ndërtonin Shenjtëroren - secili nga puna që i ishte në krye - erdhën te Moisiu

5e i thanë: »Populli po bie më shumë se lypet për punën që Zoti urdhëroi të bëhet.«

6Atëherë Moisiu urdhëroi të shpallet me zë të kasnecit: »As burrë as grua të mos sjellë më asgjë si ndihmesë për Shenjtëroren.« Kështu, pra, u ndalua të sillen më dhurata,

7sepse dhuratat që kishin sjellë ishin të mjaftueshme, madje edhe tepronin.

Banesa

8Dhe kështu më të dijshmit njerëz ndër mjeshtrit e punuan Banesën. E punuan me dhjetë koltrina prej pëlhure të lirit të tjerrë me pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur me kerubinë të qendisur me mjeshtri.

9Gjatësia e çdo koltrine ishte njëzet e tetë kutë e gjerësia katër kutë: të gjitha koltrinat kishin të njëjtën masë.

10I bashkoi pesë koltrina krye në krye dhe të pesë të tjerat prapë njërën me tjetrën.

11I punoi edhe vjegëzat prej leshit ngjyrë vjollce në kindin e njërës koltrinë në fund aty ku duhet të përpiqen po edhe në kindin e tjetrës koltrinë të fundit aty ku duhet të përpiqen.

12I punoi nga pesëdhjetë vjegëza për secilën koltrinë, kështu që vjegëzat të binin njëra kundrejt tjetrës që të mund të lidhen njëra me tjetrën.

13Atëherë i punoi pesëdhjetë komçarë ari që t’i kapin vjegëzat e të bëhet Banesa një tërësi.

14I punoi edhe njëmbëdhjetë çulla me lesh dhish për mbulesë mbi Banesën;

15gjatësia e njërit çull ishte tridhjetë kutë, kurse gjerësia katër kutë: të gjithë çullat kishin të njëjtën masë.

16Pesë sish i përpoqi veçmas e gjashtë të tjerët veçmas.

17I punoi pesëdhjetë vjegëza në buzë të çullit të fundit në vend ku përpiqen dhe pesëdhjetë në buzë të çullit në vend të përpjekjes së tjetrit që të bashkohen njëri me tjetrin.

18Punoi edhe pesëdhjetë komçarë bronzi me të cilët të lidhet mbulesa që të bëhet një tërësi.

19Atëherë punoi edhe një mbulesë tjetër për Tendë prej lëkurash të regjura deshësh e prapë edhe një mbulesë tjetër përmbi të me lëkura delfinësh.

Lënda drusore

20Atëherë i punoi prej drurit të akacies dërrasat pingule të Banesës.

21Gjatësia e njërës dërrasë ishte dhjetë kutë e gjerësia një kutë e gjysmë.

22Secila dërrasë kishte nga dy kunja si mbështetëse të lidhura njëra me tjetrën. Kështu i punoi të gjitha dërrasat e Banesës.

23Prej tyre njëzet ishin në krahun e jugut që kthen prej mesditës

24me dyzet fundra të argjendta. Viheshin dy fundra nën secilën dërrasë për dy kunjat.

25Po ashtu edhe në krahun e Banesës që është në anën e veriut, i punoi njëzet dërrasa

26me dyzet fundra të argjendta: nga dy fundra për secilën dërrasë.

27Kurse në perëndim, d.m.th. në krahun e Banesës që shikon në drejtim të detit, i punoi gjashtë dërrasa

28dhe dy të tjera për çdo kënd të Banesës përpas,

29që ishin binake prej poshtë e deri lart të bashkuara në një tërësi. Kështu i punoi të dy dërrasat për të dy këndet,

30kështu që ishin së bashku tetë dërrasa e gjashtëmbëdhjet fundra argjendi: d.m.th. dy fundra nën çdo dërrasë.

31I punoi edhe tërthorcat prej drurit të akacies: pesë për t’i mbajtur dërrasat e njërit krah të Banesës

32dhe pesë të tjera për t’i mbajtur së bashku dërrasat e krahut të tjetër; e përveç këtyre, edhe pesë tërthorca të tjera në anën e perëndimit të Banesës kundruall detit.

33Punoi edhe një tërthorcë - shtagë të mesme, që për mjedis të dërrasave mbërrinte prej njërit skaj në tjetrin.

34Dërrasat i veshi me ari. Po edhe rrathët e tyre, nëpër të cilët përshkohen tërthorcat, i punoi prej arit. Edhe tërthorcat i veshi me pllaka ari.

Tisi

35E punoi edhe koltrinën prej pëlhurës ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe prej lirit të tjerrë me kerubina të qendisur në të, artistikisht.

36Për të i punoi katër shtyllakë prej drurit të akacies. Këta i veshi me ari. I punoi edhe komçartë e tyre të artë. Bazat e tyre i shkriu prej argjendit.

37Për në hyrje të Tendës e punoi edhe koltrinën me pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur e me li të përpunuar të qendisur me mjeshtri.

38I punoi edhe pesë shtyllakë me komçarët e tyre. Majët e shtyllakëve dhe shufrat i punoi prej arit, kurse bazat e tyre i shkriu prej bronzit.