Të gjithë kapitujt

Dalja · Kapitulli 4

Moisiut i jepet fuqia mrekullibërëse, Aroni shtjellues i Moisiut, etj.

30 vargje

Moisiut i jepet fuqia mrekullibërëse

1Moisiu përgjigji: »Po çka, nëse nuk më besojnë e nuk ma dëgjojnë fjalën e më thonë: ‘Ty nuk të është dëftuar Zoti’?«

2Zoti i përgjigji: »Çka është ajo që mban në dorë?« Përgjigji: »Shkop.«

3Dhe Zoti i tha: »Hidhe në tokë!« Ai e hodhi dhe u kthye në gjarpër, sa që Moisiu u largua.

4Por Zoti i tha: »Shtrije dorën dhe kape për bishti!« E shtriu dorën dhe e kapi, u kthye prapë në shkop.

5»Kaq që ta besojnë se të është dukur Zoti, Hyji i etërve të tyre, Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit.« - I tha.

6Por Zoti i tha përsëri: »Shtjere dorën tënde në gji!« Këtë, pasi e shtiu, e nxori të gërbulur, bardhë si bora!

7I tha: »Ktheje dorën tënde prapë në gji!« E futi dhe, kur e nxori prapë, ishte shëndosh porsi pjesa tjetër e trupit.

8»Në qoftë se nuk të besojnë - i tha - dhe nuk i bind shenja e parë, do të besojnë në shenjën e mrekullisë së dytë.

9Po në qoftë se as këtyre dy shenjave nuk do t’u besojnë dhe nuk do ta dëgjojnë fjalën, merre ujin e lumit dhe derdhe përmbi terik: uji që more nga lumi do të shndërrohet në gjak.«

Aroni shtjellues i Moisiut

10Moisiu i tha Zotit: »Më fal, o Zot, unë nuk jam njeri gojëmbarë! Nuk kam qenë as më parë dhe as tash, qysh se fole me shërbëtorin tënd: nuk më rrjedhin fjalët e jam i ngadalshëm në të folur!«

11Por, Zoti i tha: »Kush ia dha njeriut gojën? Ose kush e bën memec ose të shurdhët? Kush i jep të shohë ose e bën të verbët? A nuk jam unë ai?

12Nisu, pra, dhe unë do të jem në gojën tënde dhe do të të mësoj çka duhet të flasësh!«

13Por, ai i tha: »Më fal, o Zot, por ço dikënd tjetër!«

14Zoti u hidhërua në Moisiun dhe i tha: »Aroni, yt vëlla, e di se është gojëmbarë! Dhe ja, po të del përpara e kur të të shohë do të gëzohet prej fundit të zemrës.

15Fol me të dhe fjalët e mia vëri në gojën e tij. Unë do të jem në gojën tënde dhe në gojën e tij. Vetë do t’ju mësoj çka do t’ju duhet të bëni.

16Ai do të flasë në vend tënd me popull dhe do të jetë goja jote. Për të ti do të jesh në vend të Hyjit.

17Merre edhe këtë shkop në dorën tënde, se me të do të bësh mrekulli.«

Moisiu kthehet në Egjipt. Të nisurit prej Madianit

18Moisiu u nis prej andej, shkoi te vjehrri i vet Jetroja dhe i tha: »Më lejo të shkoj e të kthehem te vëllezërit e mi në Egjipt që të shoh a janë gjallë.« Jetroja i tha:« Shko në paqe!«

19Pra, Zoti i tha Moisiut në Madian: »Nisu e kthehu në Egjipt, sepse kanë vdekur të gjithë ata që donin të të vrisnin.«

20Moisiu i mori gruan dhe fëmijët e vet, i vuri në gomar dhe u kthye në Egjipt. Në dorë e mori shkopin e Hyjit.

21Ndërsa po kthehej në Egjipt, Zoti i tha Moisiut: »Shih! Bëri para faraonit të gjitha mrekullitë për të cilat të dhashë pushtet. Mirëpo, unë do ta nguroj zemrën e tij dhe ai nuk do të lejojë të dalë populli.

22Ti thuaj: ‘Kështu thotë Zoti: Izraeli është i parëlinduri biri im’.

23Unë po të them: Ma lejo birin tim të më shërbejë. Po nëse nuk do të ma lejosh të shkojë, unë do ta vras të parëlindurin tënd.«

Rrethprerja e birit të Moisiut

24Ndërsa ishte në udhëtim, në një vend, ku po kalonte natën, i doli para Zoti dhe deshi ta vrasë.

25Sefora mori një gur shumë të mprehtë dhe e rrethpreu djalin e vet. Ia preku këmbët burrit dhe tha: »Të kam burrë të përgjakur!«

26Atëherë e lëshoi, pasi ajo tha: »Burrë të përgjakur,« për shkak të rrethprerjes.

Takimi me Aronin

27Kurse Aronit Zoti i tha: »Dili para Moisiut në shkretëtirë.« Ky i doli para në malin e Hyjit dhe e mori ngrykë. Moisiu i tregoi Aronit çdo fjalë të Zotit, me të cilat e kishte dërguar si dhe shenjat që i kishte urdhëruar.

28Erdhën bashkë dhe i bashkuan të gjithë pleqtë e bijve të Izraelit.

29Aroni u tregoi çdo fjalë që Zoti ia kishte thënë Moisiut dhe i bëri shenjat para popullit.

30Populli besoi. E morën vesh se Zoti i kishte parë bijtë e Izraelit se e kishte parë mjerimin e tyre, dhe e adhuruan me fytyrë përdhe.