Të gjithë kapitujt

Dalja · Kapitulli 9

V. Ngordhje bagëtish, VI. Çibanët, etj.

35 vargje

V. Ngordhje bagëtish

1Atëherë Zoti i tha Moisiut: »Hyr te faraoni dhe thuaj: ‘Këto thotë Zoti, Hyji i hebrenjve: Lëshoje popullin tim që të më bëjë fli!

2Në qoftë se edhe këtë herë e ndalon të shkojë,

3ja, dora e Zotit do të rëndojë fort mbi pasurinë tënde që është në ara, një ngordhje e madhe mbi kuajt, gomarët, devet, lopët e delet - gjetë e imëta e të trasha.

4Zoti do të bëjë dallim midis pasurisë së Izraelit dhe pasurisë së Egjiptit: asnjë send nuk do të dëmtohet prej atyre që u përkasin bijve të Izraelit.

5Zoti e caktoi edhe kohën duke thënë: ‘Zoti do ta çojë nesër këtë fjalë në vend mbi këtë dhe.’«

6Të nesërmen Zoti e çoi në vend fjalën: e mbarë gjëja e gjallë e egjiptianëve ngordhi, kurse prej bagëtive të bijve të Izraelit nuk cofi asnjë frymë.

7Faraoni dërgoi njerëzit të shohin: kur qe, asnjë këmbë berri nuk kishte cofur prej bagëtive të bijve të Izraelit. Por, prapë, u gurua zemra e faraonit dhe nuk lejoi të shkojë populli.

VI. Çibanët

8Zoti i tha Moisiut e Aronit: »Mbushni grushtat me hi furre dhe Moisiu ta hedhë në ajër në praninë e faraonit,

9dhe pluhuri le të përhapet mbi mbarë dheun e Egjiptit. Ky do t’u shkaktojë çibanë e lunga njerëzve dhe kafshëve në mbarë dheun e Egjiptit.«

10Morën hi prej furrës dhe i dolën para faraonit. Moisiu i dha krah në qiell. Atëherë të thatët dhe fshikëzat u përhapën ndër njerëz dhe bagëti.

11As dijësit nuk mundën t’i dalin Moisiut para, sepse edhe dijësit si egjiptianët e tjerë, dhe mbarë dheun e Egjiptit e mbërthyen të thatët.

12Zoti ia nguroi zemrën faraonit dhe nuk i dëgjoi ata, po ashtu sikurse Zoti i kishte thënë Moisiut.

VII. Breshri

13Zoti i tha Moisiut: »Çohu herët në mëngjes dhe dil para faraonit e thuaj: ‘Kështu thotë Zoti, Hyji i hebrenjve: Lëshoje popullin tim që të më bëjë fli!

14Sepse këtë herë do t’i çoj të gjitha të këqijat mbi ty, mbi shërbëtorët e tu dhe mbi popullin tënd, që ta dish se në mbarë botën nuk është askush si unë.

15Po ta kisha ngritur dorën time qysh në fillim për të ndëshkuar ty dhe popullin tënd me murtajë, deri tash kishe qenë i shfarosur prej sipërfaqes së tokës.

16Përkundrazi, unë të kam ruajtur që ta dëftoj në ty fuqinë time dhe kështu të flitet për emrin tim mbi mbarë tokën.

17Ende po e ndal popullin tim dhe nuk po do ta lëshosh?

18Ja, nesër, po në këtë orë, do të bëj të bjerë breshër tepër i madh, sa që i tillë nuk ka qenë në Egjipt qysh prej themelimit të tij e deri në ditën e sotme!

19Qysh tash, pra, dërgo e bashko të gjitha bagëtitë e tua dhe gjithçka ke në fushë; sepse, të gjithë njerëzit dhe bagëtitë që do të jenë përjashta dhe të mos jenë të tubuara prej fushës, do të bjerë mbi to breshri dhe do të ngordhin.’«

20Ai që prej shërbëtorëve të faraonit e druajti fjalën e Zotit, i mblodhi shërbëtorët e vet dhe bagëtitë në shtëpi,

21kurse ata që nuk e çanë kokën për fjalën e Zotit, i lanë shërbëtorët e vet dhe bagëtinë në fushë.

22Atëherë Zoti i tha Moisiut: »Ço dorën tënde drejt qiellit që të bjerë breshër mbi mbarë dheun e Egjiptit: mbi njerëz, mbi bagëti dhe mbi çdo bimë fushe në dheun e Egjiptit.«

23Moisiu e drejtoi shkopin drejt qiellit dhe Zoti çoi gjëmë e breshër e rrufetë lëruan tokën dhe Zoti bëri të bjerë breshër mbi dheun e Egjiptit.

24Binte breshër e njëkohësisht rrufetë çanin qiellin! Aq qe i madh, sa që i tillë kurrë nuk u pa më parë mbi mbarë dheun e Egjiptit, qysh se atij populli iu zu fara!

25Breshri rrënoi gjithçka u gjet përjashta në mbarë dheun e Egjiptit, prej njeriut e deri në bagëti. Breshri rrënoi edhe mbarë bimët e fushës; rrënoi deri edhe çdo lëndë në atë vend.

26Vetëm në tokën Gesen, ku banonin bijtë e Izraelit, nuk ra breshër.

27Atëherë faraoni e thirri Moisiun dhe Aronin e u tha: »Këtë herë po e shoh se bëra mëkat! Zoti është i drejtë, kurse unë dhe populli im jemi fajtorë.

28Lutuni Zotit që të pushojnë gjëmët e Hyjit dhe breshri dhe do t’ju lëshoj të shkoni e nuk do t’ju ndal më këtu.«

29Moisiu tha: »Kur të dal prej qytetit, do t’i çoj duart lart drejt Zotit, do të pushojnë gjëmët e tija dhe nuk do të bjerë më breshër që ta dish se toka është e Zotit.

30Porse, sa për ty dhe shërbëtorët e tu e di se ende nuk e druani Zotin Hyj.«

31Liri dhe elbi u dëmtuan, sepse elbi kishte qitur kallëz e liri kishte qitur lule.

32Nuk u dëmtuan gruri as thekra, sepse ishin të vona.

33Kur Moisiu u largua prej faraonit dhe prej qytetit, i çoi duart lart kah Zoti, pushuan gjëmët dhe breshri dhe as shi nuk ra më mbi tokë.

34Faraoni pa se kishte pushuar shiu, breshri e gjëmët dhe vazhdoi të mëkatojë.

35Zemra e tij dhe zemra e shërbëtorëve të tij u gurua për së tepërmi dhe nuk i lëshoi bijtë e Izraelit, ashtu si e kishte folur Zoti me anë të Moisiut.