Të gjithë kapitujt

Esdra · Kapitulli 10

Lista e fajtorëve

44 vargje

1Ndërkohë që Esdra po lutej e po përlutej me lot për faqe, i shtrirë përdhe para Tempullit të Hyjit, u mblodh përreth tij një turmë e madhe izralitësh burra, gra e fëmijë dhe mbarë populli qante e vajtonte dhembshëm.

2Atëherë foli Sekenia, biri i Jehielit, nga bijtë e Elamit, e i tha Esdrës: »Ne qemë të pabesë ndaj Hyjit tonë dhe morëm gra të huajsh prej popujve të vendit. Megjithatë, ka ende shpresë për Izraelin!

3Të lidhim besëlidhje me Zotin, Hyjin tonë: t’i dëbojmë të gjitha gratë e huaja, edhe ata që lindën prej tyre, sipas këshillës tënde, imzot, dhe këshillës së atyre që dridhen para urdhrit të Zotit, Hyjit tonë! Le të bëhet ashtu si thotë Ligji!

4Çohu në këmbë! Ty të takon të vendosësh! Ne do të jemi më ty! Bëju i guximshëm edhe vepro!«

5U ngrit, pra, Esdra dhe i bëri të përbetohen krerët e priftërinjve e të levitëve dhe mbarë izraelitët se do të bëjnë si u tha. U përbetuan.

6Esdra u çua e u largua nga Tempulli i Hyjit. Shkoi në banesën e Johananit, birit të Eliasibit, dhe aty bujti. Nuk hëngri bukë as nuk piu ujë, sepse mbante zi për shkak të pabesnikërisë së të riatdhesuarve.

7Atëherë u çua fjala të gjithë të riatdhesuarve në Judë e në Jerusalem që të bashkohen:

8kush nuk do të vijë brenda tri ditëve në Jerusalem - kështu ishte vendimi i krerëve dhe i pleqve - do t’i merret gjithë pasuria, kurse ai do të përjashtohet nga bashkësia e të riatdhesuarve.

9Brenda tri ditëve u mblodhën të gjithë njerëzit e Judës dhe të Beniaminit në Jerusalem. Ishte muaji i nëntë, e njëzeta ditë e muajit. Mbarë populli u mblodh në sheshin e Shtëpisë së Hyjit, duke u dridhur për shkak të mëkateve dhe të shiut me shtërngatë.

10Atëherë u ngrit prifti Esdër dhe u tha: »Ju keni vepruar me pabesi kur jeni martuar me gra të huaja: kështu e keni shtuar mëkatin e Izraelit.

11E tash jepni lavdi Zotit, Hyjit të etërve tuaj, dhe zbatojeni vullnetin e tij: ndahuni nga popujt e vendit dhe nga gratë e huaja!«

12Mbarë populli i përgjigji e me zë të lartë i tha: »Si po thua ti, ashtu le të bëhet!

13Por ka shumë popull, shiu nuk po ndalet dhe nuk mund të qëndrojmë jashtë, mandej kjo s’është punë që bëhet në një ose dy ditë - sepse jemi shumë që kemi gabuar në këtë pikë -

14mendojmë të caktohen krerët tanë, të cilët do të na përfaqësojnë në kuvendin e përbashkët dhe kështu, të gjithë ata tanët që kanë marrë gra nga të huajt, të paraqiten në kohë të caktuar, të përcjellë nga pleqtë e qytetit dhe gjyqtarët deri sa të largohet prej nesh hidhërimi i Hyjit tonë për shkak të këtij mëkati.«

15Vetëm Jonatani, biri i Asaelit, dhe Jaasia, biri i Tekuehut, u çuan kundër këtij parashtrimi. I përkrahu levitët, Mesolami dhe Sebetaji.

16Të riatdhesuarit bënë sipas parashtrimit. Prifti Esdër zgjodhi disa burra, zota shtëpish, sipas vëllazërive, të gjithë të caktuar me emër. U mblodhën për ta rrahur këtë çështje të parën ditë të muajit të dhjetë.

17Të parën ditë të muajit të parë i dhanë fund çështjes me të gjithë ata që kishin marrë gra të kombësive të huaja.

Lista e fajtorëve

18Ndër anëtarët e priftërinjve që kishin marrë gra të huaja, u gjetën këta: ndër bijtë e Jesuasë, biri i Jozedekut dhe vëllezërit e tij: Maasia, Eliezeri, Jaribi e Godolia.

19Këta, dhanë fjalën se do t’i dëbojnë gratë e veta dhe si fli për shpërblimin e mëkatit do të kushtojnë nga një dash.

20Nga bijtë e Emerit: Hananiu e Zebedia.

21Nga bijtë e Harimit: Maasia, Elia, Semeja, Jehieli e Ozia.

22Nga bijtë e Fashurit: Elioenaji, Maasia, Ismaeli, Natanaeli, Jozabedi e Elasa.

23Nga anëtarët e levitëve: Jozabedi, Semeji, Celaja, d.t.th. Kalita, Fetahia, Juda dhe Eliezeri.

24Nga këngëtarët: Eliasibi. Nga derëtarët: Selumi, Telemi dhe Uriu.

25Ndër izraelitët: Nga bijtë e Farosit: Remeja, Jezia, Melkia, Miamini, Eliezeri, Melkia e Baneja.

26Nga bijtë e Elamit: Matania, Zakaria, Jehieli, Abdiu, Jerimoti dhe Elia.

27Nga bijtë e Zetuasë: Elioenaji, Eliasibi, Matania, Jerimuthi, Zabadi dhe Aziza.

28Nga bijtë e Bebajit: Johanani, Hanania, Zabaji e Atalaji.

29Nga bijtë e Beguajit: Mosolami, Meluku, Adaja, Jasubi, Saali e Ramoti.

30Nga bijtë e Fahatmoabit: Edna, Kalali, Banaja, Maasia, Matania, Beseleeli, Benuji e Manaseu.

31Nga bijtë e Harimit: Eliezeri, Jesia, Melkia, Semeja, Simeoni,

32Beniamini, Maloku, e Samaria.

33Nga bijtë e Hasumit: Matanaji, Matata, Zabadi, Elifaleti, Jermaji, Manaseu e Semeji.

34Nga bijtë e Baniut: Maadiu, Amrami, Joeli,

35Baneasi, Badajasi e Keliauhi,

36Vania, Marimuthi, Eliasibi,

37Matania, Matanaji dhe Jasiu.

38Nga bijtë e Benujit: Semeji,

39Salmijasi, Natani e Adajasi,

40Meknedebaji, Sisaji, Saraji,

41Esdreli, Selemiauhi, Semeria,

42Selumi, Amaria e Jozefi.

43Nga bijtë e Nebos: Jehieli, Matatia, Zabadi, Zabina, Jeduhi, Joeli e Banaja.

44Të gjithë këta ishin martuar me gra të popujeve paganë. Të gjithë i dëbuan gratë dhe fëmijët.