Të gjithë kapitujt

Ezekieli · Kapitulli 36

Profeci mbi malet e Izraelit

38 vargje

Profeci mbi malet e Izraelit

1»Tashti, biri i njeriut, profetizo mbi bjeshkët e Izraelit e thuaj: Bjeshkët e Izraelit, dëgjoni fjalën e Zotit.

2Kështu thotë Zoti Hyj: Meqenëse tha armiku juaj për ju: ‘Ah! Ah! Bjeshkët e amshueshme u bënë prona jonë’!

3Prandaj profetizo e thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: Pasi keni qenë shpartalluar e përndjekur prej fqinjëve tuaj për t’u bërë pronë e popujve të tjerë e pasi u bëtë përralla e gjuhëve shpifëse e shenjë turpi për popullin,

4prandaj, o malet e Izraelit, dëgjojeni fjalën e Zotit: Kështu u thotë Zoti Hyj maleve, kodrave, përrenjve e vërrive, vendeve të shkretuara e qyteteve të mbetura shkretë, që u shpopullzuan e u bënë shenjë përqeshjeje për popujt e tjerë përreth.

5Mirë, pra, kështu thotë Zoti Hyj: Me felgrim të ndezur flakë po përbetohem kundër popujve të tjerë e kundër mbarë Idumit, që e morën tokën time për pronë të veten, me gëzim e me gjithë zemër e me gjithë shpirt të lig që t’i përmbysin kullotat e tija.

6Prandaj, parafol për tokën e Izraelit e thuaju maleve, kodrave, përrenjve e luginave: Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, po përbetohem me xhelozi e me felgrim: pse ju desh të duroni poshtërim e përbuzje prej paganëve,

7prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: unë e ngrita dorën time në përbetim: popujt që janë përreth jush ata vetë do ta mbartin turpin e vet.

8E ju, o bjeshkët e Izraelit, lëshoni shatorr gemat tuaj e bëni fryte për popullin tim Izraelin, sepse është afër, po vjen!

9Ja, unë po vij tek ju, kah ju po sillem! Do të lëvroheni e do të mbilleni.

10Do t’ju shtoj me njerëz - mbarë shtëpinë e Izraelit, qytetet do të mbushen me banorë e rrënojat do të përtërihen.

11Do t’ju mbushi me njerëz e me bagëti: do të shtohen e do të shumohen. Do të bëj të keni banorë si më parë, do t’ju bëj të mira më tepër se më parë e ju do ta dini se unë jam Zoti.

12Do t’i sjell te ju njerëzit - popullin tim Izraelin e do të bëhesh prona e tyre, trashëgimi i tyre e më nuk do t’ua shuash fëmijët.

13Kështu thotë Zoti Hyj: Pasi thonë për ju: ‘Është toka që i përpin njerëzit dhe që popullit ia shuan farën’,

14ja, pra, ti më s’do t’i përpish njerëzit dhe më nuk do t’ia tretësh farën popullit tënd - është fjala e Zotit Hyj.

15S’do të lejoj më kurrë që ta dëgjoj poshtërimin e paganëve mbi ty, kurrë më nuk do ta mbartësh turpin e popujve kundër teje dhe popullin tënd kurrë më nuk do ta lësh pa fëmijë - thotë Zoti Hyj.«

16Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha:

17»Biri i njeriut, kur shtëpia e Izraelit banonte në tokën e vet, e pat përdhosur atë me sjellje të vet e me veprat e veta: sjellja e tyre ishte para syve të mi porsi papastërtia e gruas së papastër.

18Unë atëherë e zbraza zemërimin tim mbi ta për shkak të gjakut që derdhën përmbi tokë dhe për shkak të idhujve, me të cilët e ndotën.

19I shpërndava ndër paganë dhe i treta në vende të ndryshme: i dënova sipas sjelljes së tyre dhe sipas veprave të tyre.

20Por edhe në popuj, ndër të cilët u shpërndanë, te të cilët shkuan, e përdhosën emrin tim të shenjtë, sepse flitej për ta: ‘Ky është populli i Zotit e iu desh të dalë prej tokës së tij!’

21Por unë pata nderim për emrin tim të shenjtë që e çnderoi shtëpia e Izraelit në popuj ndër të cilët shkoi.

22Prandaj, kështu thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti Hyj: S’e bëj këtë për ju, o shtëpia e Izraelit, por për shkak të emrit tim të shenjtë, që u çnderua në popuj te të cilët shkuat.

23Unë do ta shenjtëroj emrin tim të madhërueshëm, të cilin ju e çnderuat ndër popuj, e ndotët në mesin e tyre, që paganët ta dinë se unë jam Zoti - thotë Zoti Hyj, kur të dëftohem i shenjtë ndër ju e para syve të tyre.

24Do t’ju heq prej paganëve e do t’ju bashkoj nga të gjitha vendet dhe do t’ju sjell në vendin tuaj.

25Atëherë do të zbraz mbi ju një ujë të pastër dhe do të pastroheni nga të gjitha ndyrësitë tuaja. Do t’ju pastroj nga të gjithë idhujt tuaj!

26Unë do t’ju jap një zemër të re, një shpirt të ri do ta fus në ju, do ta nxjerr nga mishi juaj zemrën e gurtë e do t’ju jap një zemër mishi.

27Shpirtin tim do ta fus në ju e do të bëj që të ecni urdhërimeve të mia e t’i zbatoni e t’i shtini në veprim gjyqet e mia.

28Do të banoni në tokën që ua dhurova etërve tuaj: ju do të jeni populli im e unë do të jem Hyji juaj.

29Unë do t’ju pastroj nga të gjitha ndyrësitë tuaja. Do ta thërras grurin e do të bëj të bëhet me shumicë e më s’do t’ju ngarkoj me uri!

30Do ta shumoj frytin e pemëve e prodhimet e arave, që të mos e pësoni më ndër popuj marren e urisë.

31Atëherë do t’ju bjerë ndër mend sjellja juaj tejet e keqe e veprat tuaja jo të mira e do t’ju bëjnë neveri paudhëritë tuaja e poshtërsitë tuaja.

32Mirë dijeni, nuk e bëj këtë për hatër tuaj - thotë Zoti Hyj - duhet t’ju vijë marre e të skuqeni, shtëpia e Izraelit, për sjelljen tuaj!

33Kështu thotë Zoti Hyj: Ditën kur t’ju kem pastruar nga të gjitha ndyrësitë tuaja e të kem bërë të banohen qytetet e të ripërtëriten rrënojat,

34e kur toka e lënë djerr të jetë punuar, toka që dikur qe lënë e shkretë në sy të të gjithë kalimtarëve,

35do të thonë: ‘Toka e mbetur shkretë u bë kopsht i Edenit, po banohen qytetet e mbetura shkretë, të rrënuara e të rrafshuarat po rindërtohen’.

36Popujt do ta dinë, të gjithë ata që do të mbesin rreth jush, se unë Zoti i rindërtova të rrënuarat dhe i mbolla djerret. Thashë unë Zoti dhe ashtu do të bëj!

37Kështu thotë Zoti Hyj: Edhe në këtë gjë do të lejoj t’i veshtrohet prej meje popullit të Izraelit kërkesa në të mirën e tij: Do t’ia shtoj njerëzit porsi grigjat,

38porsi grigjë të shuguruar, porsi grigjën e Jerusalemit në festimet e tija. Kështu qytetet e rrënuara do të mbushen plot e përplot me njerëz dhe do ta dinë se unë jam Zoti.«