Të gjithë kapitujt

Ezekieli · Kapitulli 35

Kundër maleve të Edomit

15 vargje

Kundër maleve të Edomit

1Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

2»Biri i njeriut, sillu me fytyrë kah mali Seir, profetizo kundër tij e thuaj:

3Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, po sulem kundër teje, o mali Seir, po e çoj dorën time kundër teje, do të të shuaj e do të të shkretoj!

4Do t’i shkretoj qytetet e tua e ti do të bëhesh shkretëtirë: atëherë do ta dish se unë jam Zoti.

5Pasi i urreve vazhdimisht bijtë e Izraelit e i preve me shpatë ditën e ngushticës së tyre, ditën e fundit të keqbërësisë së tyre:

6prandaj, pasha jetën time - thotë Zoti Hyj - unë do të qes në gjak e gjaku do të të ndjekë: pasi s’pate iri prej gjakut, gjaku do të të përndjekë!

7Do ta shuaj malin Seir e do ta bëj të shkretë: prej tij askush s’do të dalë as s’do të kthehet,

8malet e tija do t’i mbush me të vrarët e tij: të vrarët e tu do të bien prej shpatës në kodrat e tua, në luginat e tua e në të gjithë përrenjtë e tu.

9Do të të bëj shkretëtirë të përhershme, qytetet e tua nuk do të banohen e do ta dini se unë jam Zoti.

10Ti pate thënë: ‘Këta dy popuj e këto dy vende do të jenë të miat: do t’i kem për pronë,’ megjithëse Zoti ishte aty,

11prandaj, pasha jetën time - thotë Zoti Hyj - edhe unë do të veproj me felgrim të tmerrshëm sikurse ti veprove me mëri e me urrejtje kundër tyre dhe do të zbulohem ndër ta kur të kem gjykuar ty.

12Do ta dish se unë Zoti i dëgjova të gjitha të sharat e tua që i the kundër maleve të Izraelit: ‘U shkretuan, neve na u dhanë t’i hamë!’

13U kacagjeluat kundër meje e folët me gojën tuaj kundër meje fjalët tuaja: unë vetë i dëgjova!

14Kështu thotë Zoti Hyj: Për kënaqësinë e mbarë tokës ty do të të bëj shkretëtirë!

15Sikurse u gëzove për trashëgimin e shtëpisë së Izraelit, pse qe shpartalluar, po ashtu do të bëj me ty, do të rroposesh, o bjeshka e Seirit, dhe mbarë ti, o Idum, e do ta dinë se unë jam Zoti!«