Të gjithë kapitujt

Ezekieli · Kapitulli 34

Barinjtë e Izraelit

31 vargje

Barinjtë e Izraelit

1Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit

2»Biri i njeriut, profetizo kundër barinjve të Izraelit, profetizo! Thuaju barinjve: Kështu thotë Zoti Hyj: Mjerë barinjtë e Izraelit, që kullotin vetveten! Vallë, a nuk e kanë për detyrë barinjtë t’i kullotin grigjat?

3Ju ushqeheni me qumësht, visheni me lesh, pritni berret e majme e grigjën nuk e kullotni!

4Të ligshtën nuk e përtërini, të sëmurën nuk e shëroni, të thyerën nuk e lidhni, të ndarën nuk e ktheni, të treturën nuk e kërkoni, por zotëroni mbi to me dhunë!

5Kështu u shpërndanë delet e mia, sepse s’kishin bari. U bënë preja e të gjitha egërsirave të fushës dhe u shpërndanë.

6Enden delet e mia gjithkund maleve e kodrave të larta, grigjat e mia u shpërndanë gjithkah mbi sipërfaqen e dheut e askush s’është në kujdes, askush nuk i kërkon!

7Prandaj, dëgjojeni, o barinj, fjalën e Zotit:

8Pasha jetën time, thotë Zoti Hyj: pasi grigja ime u bë pre dhe delet e mia ushqim i të gjitha egërsirave të fushës për faj të bariut dhe pse barinjtë e mi nuk e kërkuan grigjën time, por barinjtë kullotnin vetveten e nuk e kullotnin grigjën time,

9prandaj, o barinj, dëgjojeni fjalën e Zotit!

10Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë vetë po vij kundër barinjve! Grigjën time do ta kërkoj prej duarve të tyre, më s’do t’i lejoj t’i kullotin dhentë e mia, kështu barinjtë më s’do ta kullotin vetveten, por do t’i heq delet e mia nga goja e tyre e më nuk do të bëhen ushqimi i tyre!

11Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë vetë do ti kërkoj delet e mia e do të kujdesem për to.

12Sikurse bariu që kujdeset për grigjën e vet kur gjendet mes deleve të veta të shpërndara, po ashtu edhe unë do të përkujdesem për delet e mia. Unë do t’i bashkoj nga çdo vend ku kanë qenë shpërndarë ditën e thellimit e të territ.

13Do t’i nxjerr nga popujt e do t’i bashkoj nga vendet e huaja, do t’i sjell në tokën e tyre, do t’i kullot në bjeshkë të Izraelit, në vërri dhe në të gjitha vendet e banuara.

14Do t’i kullot në kullota të pasura: kullotat e tyre do të jenë në bjeshkët e larta të Izraelit. Do të mrizojnë në bar të gjelbër, do të kullotin në kullota të shijshme nëpër male të Izraelit!

15Unë vetë do t’i mballoj delet e mia, unë vet do t’i mrizoj - thotë Zoti Hyj.

16Të treturën do ta kërkoj, të ndarën do ta kthej, të thyerën do ta lidh me kshtalla, të ligshtuarën do ta kërthnes, të majmen e të fortën do ta ruaj: do t’i ruaj me drejtësi.

17Kurse juve, o grigja ime, kështu ju thotë Zoti Hyj: Unë do të ndaj drejtësi ndërmjet deles e deles, ndërmjet deshve e cjepve.

18Vallë, a nuk ju mjafton të kullotni në kullota të mira, por doni ta shkelmoni kullotën që ju tepron? A nuk ju mjafton të pini ujë të kulluar e tepricën po doni ta turbulloni me këmbët tuaja?

19Deleve të mia u duhet të hanë barin që ju keni shkelmuar e të pinë ujët që ju keni turbulluar!

20Prandaj kështu u thotë Zoti atyre: Ja, unë vetë do të gjykoj ndërmjet deles së majme e të ligshtës!

21Pasi ju i shtytni me bri, me shpatulla e u bini me brirë për t’i dëbuar të ligshtat, deri që edhe i dëboni jashtë,

22unë do ta shpëtoj grigjën time, më nuk do të bëhet pre, do të gjykoj ndërmjet deles e deles!

23Do ta ngris për to një bari që t’i kullotë, shërbëtorin tim Davidin: ai do t’i kullotë, ai do të jetë bariu i tyre.

24Kurse unë Zoti do të jem Hyji i tyre, ndërsa shërbëtori im Davidi do të jetë prijësi në mesin e tyre. E kam thënë vetë, unë Zoti!

25Unë do të lidh me ta besëlidhjen e paqes e prej mbarë vendit do t’i zhbij të gjitha egërsirat grabitqare. Do të kalojnë jetë të sigurt në male e do të flejnë në pyje.

26Do t’i bëj ata dhe krahinat përreth Kodrës sime bekim: do të çoj shi në kohën e përshtatshme: do të jenë shira bekimi!

27Pemët e fushës do ta japin frytin e vet e toka do t’i japë prodhimet e veta, do të jetojnë në vendin e vet pa farë frike dhe do ta dinë se unë jam Zoti, kur t’i kem thyer treçat e zgjedhës së tyre e t’i kem nxjerrë nga dora e atyre që i sundojnë.

28Më nuk do të jenë preja e paganëve, s’do t’i hanë egërsirat e malit, por do ta kalojnë jetën në qetësi, pa farë frike.

29Do të bëj të ngallitë për ta një bimësi e përmendur, më nuk do të sharrojë kush prej tyre nga uria e më nuk do të jenë të pandershëm ndër sy të paganëve.

30Do ta dinë se unë Zoti, Hyji i tyre, jam me ta dhe ata, shtëpia e Izraelit, janë populli im - thotë Zoti Hyj.

31Ju, grigja ime, ju jeni grigja e kullotës sime e unë Zoti jam Hyji juaj!« Është fjala e Zotit Hyj!