Të gjithë kapitujt

Ezekieli · Kapitulli 38

Kundër Gogut, mbretit të Magogut

23 vargje

Kundër Gogut, mbretit të Magogut

1Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

2»Biri i njeriut, sillu me fytyrë kah Gogu, në tokën e Magogut, prijësit kryeparë të Mosokut e të Tubalit, e profetizo kundër tij.

3Thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: Qe, unë po sulem kundër teje, o Gog, prijësi i parë i Mosokut e i Tubalit!

4Unë do të të rrethoj e do t’i mbërthej gërremçat në nofulla të tua. Do të nxjerr ty dhe mbarë ushtrinë tënde - kuaj e kalorës, të gjithë të veshur në mënyrë të përsosur, një shumicë të madhe me mburojë e shqyta që ngjeshin shpatën.

5Me ta edhe persianët, kusët e futët, të gjithë me shqyta e me përkrenare.

6Gomerin e të gjithë ushtrinë e tij, shtëpinë Togorma nga skaji i Veriut e tërë ushtrinë e tij - popuj të shumtë me ty.

7Bëju gati e rreshtohu me mbarë shumicën tënde që u bashkua rreth teje, ji gati për të më shërbyer!

8Pas shumë ditësh do të marrësh urdhrin: rreth mbarimit të viteve do të sulesh kundër një vendi që shpëtoi nga shpata e është kthyer nga popuj të shumtë në malet e Izraelit, të cilat për një kohë të gjatë mbetën të shkreta. Këta u riatdhesuan dhe tashti jetojnë në qetësi.

9Do të vish, do të sulesh porsi stuhia, porsi thellimi, për ta mbuluar tokën, ti dhe ushtria jote e me ty popuj të shumtë.

10Kështu thotë Zoti Hyj: Atë ditë do të të vlojnë në krye mendime të ndryshme e do të sendërtosh synime të këqija

11e do të thuash: ‘Do ta sulmoj vendin e pambrojtur, po i sulmoj njerëzit që jetojnë të qetë! Të gjithë jetojnë pa mure rrethuese; s’kanë shula në dyer as dyer!’;

12me qëllim që të rrëmbesh plaçka e të bësh pre, të vësh dorë mbi rrënojat tash të ripopulluara e mbi popullin që u bashkua nga popujt e shtoi bagëti e pasuri e banon në kërthizën e dheut.

13Seba, Dedani e tregtarët e Tarsisit me prijësit e tij do të të pyesin: ‘Vallë, a po sulmon për të bërë pre? Vallë, a për të plaçkitur e bashkove ushtrinë tënde, për të rrëmbyer ar e argjend, për të rrëmbyer bagëti e pasuri, për të grabitur pre të pamasë?

14Prandaj, profetizo, biri i njeriut, e thuaj Gogut: Kështu thotë Zoti Hyj: Vallë, a atë ditë kur populli im Izraeli të jetojë në qetësi të sigurt, do të nisesh kundër tij?

15Do të nisesh prej vendit tënd, nga veriu i skajshëm, ti e popuj të shumtë me ty, të gjithë kalorës - shumicë e madhe e ushtri e tmerrshme.

16Do të sulmosh popullin tim Izraelin porsi reja për ta mbuluar tokën. Por, në ditën e fundit, do të të çoj në tokën time që popujt të më njohin mua, kur unë ta kem dëftuar mbi ty shenjtërinë time ndër sy të tyre, o Gog!

17Kështu thotë Zoti Hyj: Ti pra, je ai, për të cilin kam thënë në ditët e kahmotshme me gojë të shërbëtorëve të mi profetëve të Izraelit, të cilët vjet me radhë profetizuan në ato ditë se do të çoj ty kundër tyre.

18Atë ditë, ditën kur Gogu të sulet kundër tokës së Izraelit - thotë Zoti Hyj - do të zbrazet zemërimi im në furinë time.

19Në mendjen e zezë timen e në flakën e zemërimit tim, vendosa: atë ditë do të jetë trandje e madhe në tokën e Izraelit,

20do të dridhen para fytyrës sime peshqit e detit, shpendët e qiellit, egërsirat e fushës, zvarranikët e çdo lloji që lëvizin mbi tokë dhe të gjithë njerëzit që janë përmbi sipërfaqe të dheut. Do të kapërdihen malet, do të pëlcasin qetat e çdo mur do të rrëzohet përdhe!

21Do të thërras kundër tij shpatën në të gjitha malet e mia - është fjala e Zotit Hyj - shpata e secilit do të drejtohet kundër vëllait të vet.

22Do ta dënoj me murtajë e me gjak! Me shi të tmerrshëm e me gurë breshëri! Do të derdh mbi të porsi shiun zjarr e sulfur, mbi të e mbi ushtrinë e tij dhe mbi popuj të shumtë që janë me të:

23do të madhërohem, do të shenjtërohem e do të bëhem i njohur ndër sy të popujve të panumërt: atëherë do ta dinë se unë jam Zoti!