Të gjithë kapitujt

Fjalët e Urta · Kapitulli 10

II. PËRMBLEDHJA E MADHE E SALOMONIT

32 vargje

II. PËRMBLEDHJA E MADHE E SALOMONIT

1Fjalët e urta të Salomonit. Djali i urtë është gëzimi i t’et, djali i marrë është trishtimi i së ëmës.

2Nuk vlen fare pasuria e fituar me padrejtësi, kurse drejtësia të shpëton nga vdekja.

3Zoti nuk lejon që i drejti të vuajë nga uria, kurse dëshirat e të paudhëve i çon huq.

4Dora përtace e bën të varfër njeriun, dora punëtore e bën të pasur.

5Kush bashkon në kohë të të korrave është djalë i urtë, kush gërhet verës është djalë i turpërimit.

6Bekimet e Zotit janë mbi krye të të drejtit, kurse gojën e të paudhëve e mbulon dhuna.

7Kujtimi i të drejtit është në bekim, kurse emri i bakeqit bie në kalbësirë.

8I urti me zemër i pranon urdhërimet, kurse i marri me fjalë të mëdha vrapon në humbjen e vet.

9Kush ecën me thjeshtësi, ecën i sigurt, kush i shtrembëron udhët e veta, shpejt hetohet.

10Kush bën me sy shkakton hidhërim, kurse i marri me fjalë të mëdha vrapon në bjerrje të vet.

11Burim jete goja e të drejtit, kurse goja e të paudhëve mbulon dhunën.

12Urrejtja shkakton grindje, kurse dashuria i mbulon të gjitha fajet.

13Në buzët e të urtit gjendet urtia, kurse në shpinën e të pamendit shkopi.

14Të urtët e ruajnë në vishtar urtinë, kurse goja e të marrit është afër bjerrjes.

15Qyteza e pasanikut është pasuria e tij, kurse rrënimi i skamnorëve është varfëria e tyre.

16Puna e të drejtit është për jetë, kurse bakeqi prodhon për mëkat.

17Ecën udhës së jetës kush e mban disiplinën, kurse ai që i harron qortimet endet jashtë udhës.

18Buzët e rreme e fshehin urrejtjen, kush shpërndan shpifje është i marrë.

19Në fjalë të shumta nuk mungon mëkati, kurse kush i zotëron buzët e veta është shumë i mençur.

20Argjend i zgjedhur është gjuha e të drejtit, kurse zemra e të paudhëve nuk vlen asgjë.

21Buzët e të drejtit shumë vetë mësojnë, kurse të pamendët vdesin nga varfëria e zemrës.

22Bekimi i Zotit bën të pasur, kurse mundi nuk i shton asgjë.

23Është kënaqësi për të marrin ta bëjë të keqen, kurse urtia i takon njeriut të mençur.

24Çka dron i patenzoni ajo edhe do ta gjejë, kurse të drejtit do t’i plotësohet dëshira.

25I patenzoni kalon siç kalon stuhia, kurse i drejti do të qëndrojë për amshim.

26Siç është uthulla për dhëmbët e tymi për sy, i tillë është përtaci për ata që e dërguan.

27Frika e Zotit e shton jetën, kurse vitet e të patenzonëve shkurtohen.

28Shpresa e të drejtit është gëzim, kurse shpresa e të paudhëve do të humbasë.

29Udha e Zotit është forcë për njeriun e ndershëm, kurse ata që bëjnë të keqen do të sharrojnë.

30I drejti nuk do të tundet askurrë, kurse të ligjtë nuk do të banojnë mbi tokë.

31Goja e të drejtit nxjerr urti, gjuha e keqe do të këputet.

32Buzët e të drejtit pikojnë kënaqësi, kurse goja e të paudhëve qet gënjeshtra.