Të gjithë kapitujt

Fjalët e Urta · Kapitulli 11

II. PËRMBLEDHJA E MADHE E SALOMONIT (2)

31 vargje

1Peshorja e rrejshme i iritet Zotit, ndërsa peshorja e drejtë është e pëlqyeshme para tij.

2Erdhi madhështia, s’do të vonojë poshtërimi, kurse ndër të përvujtët gjendet urtia.

3Të drejtët i udhëheq thjeshtësia e tyre, kurse poshtërsia e tyre i rrënon të patenzonët.

4Ditën e shpagimit gjë s’vlen pasuria, kurse drejtësia do të na librojë nga vdekja.

5Drejtësia e njeriut të ndershëm ia udhëheq sjelljen e tij, kurse në paudhësinë e vet do të mbarojë i paudhi.

6Drejtësia e të ndershmëve do t’i shpëtojë ata, kurse të patenzonët zihen në pritat e veta.

7Kur vdes njeriu i keq mbaron edhe shpresa, humbet edhe shpresa në kamje.

8I drejti shpëton nga ngushtica, kurse bakeqi vjen në vend të tij.

9Me gojën e vet i paudhi e vret të afërmin, porse të drejtët do të shpëtojnë me anë të urtisë.

10Për fatin e mirë të të drejtëve gëzohet qyteti dhe mbushet me hare për bjerrjen e të paudhëve.

11Me bekimin e të drejtëve do të lartësohet qyteti, kurse goja e të ligjve e prish atë.

12Kush e urren të afërmin e vet është i marrë, njeriu i urtë heshton.

13Zbulon edhe fshehtësitë ai që përhap shpifje, kurse njeriu besnik mbulon çka iu tha në besë.

14Ku s’ka udhëheqje populli shkatërrohet, kurse shpëtimi është në këshilltarë të shumtë.

15Kush i hyn të huajit dorëzanë keq do të pësojë, është i sigurt kush e ka në iri dorëzaninë.

16Gruaja e pashme fiton lavdi, kurse burrat e fortë e fitojnë pasurinë.

17Bamirësi vetvetes i bën mirë, kurse mizori e mundon trupin e vet.

18I paudhi merr pagë të rreme, kurse ai që mbjell drejtësi ka shpërblim të sigurt.

19I qëndrueshmi në drejtësi shkon drejt jetës, kurse kush e ndjek të keqen, vrapon në vdekje.

20Zemra e keqe i iritet Zotit, pëlqimi i tij është te ata që jetojnë në thjeshtësi.

21Dora-dorës e s’do të mbetet i pandëshkuar i keqi, kurse fara e të drejtëve do të shpëtojë.

22Rreth i artë në turinjtë e dosës gruaja e bukur por e pamend.

23Të drejtët presin vetëm të mirën, kurse shpresa e të paudhëve është e kotë.

24Disa shpërndajnë pasurinë e vet e bëhen gjithnjë më të pasur, disa të tjerë kursejnë pa masë e gjithmonë janë skamnorë.

25Njeriu bujar do të përparojë, kush i jep kujt të pijë edhe atij do t’ia shuajnë etjen.

26Atë që e fsheh drithin njerëzit do ta mallkojnë, kurse bekimi do të bjerë mbi koka të shitësve.

27Kush e kërkon të mirën, gjen hirin, kurse kush kërkon të keqen, e keqja do ta gjejë.

28Kush e vë shpresën e vet në pasje, do të bjerë poshtë, kurse të drejtët përparojnë porsi gjethi i blertë.

29Kush e pështjellon shtëpinë e vet do të korrë erërat, i marri do t’i shërbejë të urtit.

30Fryti i të drejtit është lëndë e jetës, i urtë është ai që i përfiton shpirtrat e gjallë.

31Nëse i drejti shpërblehet këtu mbi tokë, aq më tepër do të shpaguhet i paudhi e mëkatari.