Të gjithë kapitujt

Fjalët e Urta · Kapitulli 12

II. PËRMBLEDHJA E MADHE E SALOMONIT (3)

28 vargje

1Kush e do mësimin e do urtinë, kurse kush i urren qortimet, është i marrë.

2Kush është i mirë do të nxjerrë hir prej Zotit, kurse njeriun gërgas Zoti e dënon.

3Askush nuk bëhet më i fortë me paudhësi, kurse rrënja e të drejtëve nuk do të tundet.

4Gruaja e virtytshme është kurorë për burrin e vet, kurse e paturpshmja është kalbësirë për eshtrat e tij.

5Mendimet e të drejtëve janë të drejta, kurse këshillat e të paudhëve janë gënjyese.

6Fjalët e të paudhëve pritë gjakderdhjeje, kurse goja e të drejtëve u sjell liri.

7Të këqijtë birren e sharrojnë, kurse familja e të drejtëve qëndron e patundshme.

8Njeriu fiton lavde sipas mprehtësisë së mendjes së tij, kurse përbuzet kush është zemërkeq.

9Më i mirë është një skamnor që i shërben vetvetes, se mendjemadhi që i mungon gjithçka.

10I drejti kujdeset për jetën e bagëtive të veta, kurse zemra e të këqijve s’di për mëshirë.

11Kush e punon tokën e vet, do të ngihet bukë, kurse kush vrapon pas kotësive, është i pamend.

12Rrjetë të këqijash është dëshira e bakeqit, porse rrënja e të drejtëve do të përparojë.

13I keqi bie në rrjetë për shkak të mëkateve të buzëve të veta, kurse i drejti do të shpëtojë nga ngushtica.

14Njeriu do të mbushet me të mira nga frytet e gojës së vet, do të shpaguhet sipas veprave të duarve të veta.

15Të marrit sjellja e vet i duket e urtë, porse këshillat i dëgjon kush është i urtë.

16I marri menjëherë e dëfton zemërimin e vet, kurse i mençuri e fsheh fyerjen.

17Kush flet të vërtetën, tregon të drejtën, kurse dëshmitari i rremë tradhtinë.

18Kush flet pa peshuar, ther me shpatë, kurse gjuha e të urtëve është shërim.

19Buza që flet të vërtetën, qëndron përgjithmonë, kurse gjuha që rren vetëm për pak kohë.

20Gënjeshtra është në zemrën e atyre që mendojnë të keqen, kurse gëzojnë ata që këshillojnë paqen.

21Të drejtin nuk e gjen asnjë e keqe, kurse të paudhët do të mbushen me të këqija.

22Zotit i iriten buzët rrencake, kurse i pëlqejnë ata që flasin të vërtetën.

23Njeriu i kujtueshëm e fsheh urtinë, kurse zemra e të pamendit e shpall marrinë e vet.

24Dora e të kujdesshmit sundon, kurse dora e përtacit çon në nënshtrim.

25Trishtimi i brendshëm e përul burrin, kurse lajmi i mirë e gëzon atë.

26I drejti e udhëheq drejt mikun e vet, kurse sjellja e të padrejtëve do t’i gënjejë ata.

27Përtaci nuk do ta pjekë gjahun e vet, pasuri të çmueshme do të ketë njeriu i kujdesshëm.

28Në udhën e drejtësisë gjendet jeta, por ka edhe udhë të hapur që shpie në vdekje.