Të gjithë kapitujt

Fjalët e Urta · Kapitulli 6

Dorëzania e pamend, Përtaci e thnegla, etj.

35 vargje

Dorëzania e pamend

1Biri im, nëse hyre dorëzanë për mikun tënd, nëse ia dhe dorën tënde tjetrit,

2e ke lidhur veten me fjalët e gojës sate dhe je zënë me fjalët e tua.

3Bëj atëherë si po të them, biri im, çliroje vetveten, sepse ke rënë në duart e të afërmit tënd: shko, bjer para këmbëve të mikut e lutju!

4Mos u jep gjumë syve të tu, as pushim qepallave të tua!

5Çlirohu porsi sorkadhja nga rrjeta, porsi shpendi nga dora e gjuetarit!

Përtaci e thnegla

6Shko, o përtac, te thnegla, vëreji me kujdes udhët e saja e bëhu i mençur!

7Ajo s’ka prijës, as mbikëqyrës as udhërrëfyes

8dhe e bën gati verës ushqimin e vet, bashkon në kohë të të korrave ushqimin e vet.

9Deri kur, o përtac, do të flesh? Kur do të zgjohesh nga gjumi yt?

10Pak fle, pak kotesh, pak i mban duart në ijë për të pushuar

11dhe të vjen si shtegtar skamja, porsi ushtar varfëria.

Marrani

12Njeriu i keq, burri i lig, ecën me gojë të shtrembët,

13bën me sy, rrah me këmbë, flet me gisht.

14Sendergjon të këqija në zemrën e vet, vazhdimisht përbluan të keqen, mbjell grindje.

15Kështu menjëherë do t’i vijë mbarimi, papritmas do të sharrojë e s’do të ketë shërim.

Shtatë neveritë

16Gjashtë gjëra Zotit i neveriten, shpirtit të tij i iriten shtatë sende:

17sytë madhështorë, gjuha rrenacake, duart që derdhin gjakun e pafajshëm,

18zemra që sendergjon synime të mbrapshta, këmbët e shpejta për të vrapuar në të keqen,

19dëshmitarin e rremë që shpërndan rrena dhe njeriun që mbjell dasi ndër vëllezër.

Përtërirja e bisedimeve atërore

20Dëgjoje, biri im, mësimin e tyt et dhe mos e përbuz shtjellimin e Ligjit të nënës sate.

21Mbaji lidhur për zemrës sate, lidhi rreth qafës sate!

22Le të drejtojnë kur të ecësh, le të ruajnë kur të flesh e, kur të zgjohesh, le të bisedojnë me ty.

23Sepse urdhri është dritëz, e Ligji dritë dhe qortimi disiplinor udha e jetës,

24për të ruajtur nga gruaja e ligë dhe nga gjuha mikluese e gruas së huaj.

25Mos t’i lakmojë zemra jote bukurisë së saj dhe mos u pushto me joshjet e saja:

26sepse çmimi i lavirës është një kafshatë buke, kurse gruaja e burrit synon të të marrë jetën.

27Vallë njeriu a mund ta fshehë në gji zjarrin dhe të mos i digjen petkat e tija?

28A mund të ecet, thua, përmbi prush e të mos i digjen shputat e këmbëve?

29Po kështu kush hyn te gruaja e të afërmit të vet: s’do të dalë i pandëshkuar, kushdo që ta ketë prekur.

30Nuk përbuzet vjedhësi nëse vjedh për të ngirë barkun e zbrazët,

31megjithatë, po u zu e kthen shtatëfish dhe i shkon e gjithë pasuria e shtëpisë së tij.

32Por kush shkel kurorën është i pamend, kushdo që ta bëjë këtë, e humb jetën e vet.

33Plagë e turpësi grumbullon mbi vete, marrja e tij askurrë nuk do të shlyhet.

34Sepse e tërbuar është mendja e zezë e burrit: s’do të ketë mëshirë ditën e hakmarrjes,

35ai s’merr parasysh asfarë shpërblimi, s’ka dhurata që do të mund ta zbusin!