Të gjithë kapitujt

Fjalët e Urta · Kapitulli 5

Të ikurit e gruas së huaj dhe dashuria e vërtetë e të urtit

23 vargje

Të ikurit e gruas së huaj dhe dashuria e vërtetë e të urtit

1Biri im, vështroje urtinë time dhe prire veshin tënd në arsyet e mia,

2që ta ruash pamjen e qartë të tyre dhe buzët e tua do ta ruajnë disiplinën.

3Hoje mjalti pikojnë buzët e të huajës, më e pastër se vaji gusha e saj,

4porse në fund është më e idhët se absinti, e pret më zi se shpata me dy tehe.

5Këmbët e saja në vdekje zbresin, gjurmët e saja çojnë në Nëntokë.

6Ajo s’është në kujdes për udhën e jetës, hapat e saj enden pa e ditur se kah.

7Tani pra, më dëgjo, o bir, mos u shmang nga fjalët e gojës sime!

8Larg saj kije udhën tënde e mos u afro derës së shtëpisë së saj,

9që të mos ua japësh të tjerëve nderin tënd vjetët e tu njeriut mizor,

10që kamja jote të mos pasurojë të huajt, mundi yt të hyjë në shtëpi të të huajit;

11që të mos dënesësh pastaj në fund kur të shkatërrohet mishi e trupi yt

12e të thuash: »Pse e urreva disiplinën, zemra ime pse i përbuzi qortimet?

13Pse s’e dëgjova zërin e mësuesve të mi, pse s’u vura vesh atyre që më mësonin?

14Për pak s’rashë në çdo të keqe në mes të mbledhjes e të bashkësisë!«

15Pi ujë prej ublës sate, prej burimeve të pusit tënd,

16që burimet e tua të mos derdhen përjashta e të mos rrjedhin rrëke rrugëve!

17Ruaji vetëm për vete e të mos bëhen të huajt pjesëtarët e tu!

18Le të jetë i bekuar burimi yt e gëzo me gruan e rinisë sate:

19le të jetë për ty drenushë e dashur, sorkadhe e hijshme, përkëdheljet e saja le të gëzojnë përherë, dashuria e saj le të kënaqë gjithmonë.

20Pse, o bir, të ngashnjehesh nga e huaja, përse të ngrohësh në prehrin e gruas së huaj?

21Sepse para syve të Zotit janë udhët e njeriut, ai i vren të gjitha gjurmët e tija.

22Të ligun do ta zënë vetë paudhëritë e tija dhe do të lidhet me litarët e mëkateve të veta.

23Ai do të vdesë pse i mungon disiplina, do të sharrojë prej marrëzisë së madhe të vetes.