Të gjithë kapitujt

Fjalët e Urta · Kapitulli 4

Të zgjidhet urtia

27 vargje

Të zgjidhet urtia

1Dëgjojeni, o bij, mësimin e babës dhe vërjani mendjen të mësoni mençurinë,

2sepse unë do t’ju jap mësim të mirë që të mos e lini ligjin tim.

3Sepse edhe vetë qeshë djalë babe, i njomë e djalë dëshiri i nënës sime.

4Ai edhe mua më mësonte e më thoshte: »Ruaj fjalët e mia në zemrën tënde, mbaj fjalët e mia e do të jetosh.

5Fitoje urtinë, fitoje mençurinë, mos i harro as mos u largo nga fjalët e gojës sime.

6Mos e lësho urtinë e ajo do të të ruajë, duaje atë dhe ajo do të të marrë nën kujdes.

7Fillimi i urtisë: fitoje urtinë dhe jep gjithçka ke e fito mençurinë.

8Shtrëngoje e do të të lartësojë, do të të japë lavdi nëse do ta pushtosh.

9Mbi kokën tënde do ta vërë një kezë të hijshme dhe do të të stolisë me një kurorë të mrekullueshme«.

10Dëgjo, biri im, e pranoj fjalët e mia e do të shumohen vitet e jetës sate.

11Ta tregova udhën e urtisë, të udhëhoqa shtigjeve të së drejtës,

12në të cilat, kur të kesh hyrë, nuk do të të ngatërrohen hapat e tu dhe do të vraposh e nuk do të hasësh në pengesa.

13Mbaje disiplinën, mos e lësho, ruaje se ajo është jeta jote.

14Ruaj se hyn në udhë të të paudhëve, ruaj se ecën udhës së të patenzonëve.

15Ik prej saj e ruaj se kalon nëpër të, shmangu dhe lëre atë!

16Sepse ata nuk i zë gjumi po nuk e vepruan të keqen, u tret gjumi po s’dëmtuan ndokënd.

17Sepse ata e hanë bukën e paudhësisë dhe e pinë verën e mujshisë.

18Udha e të drejtëve është si drita e mëngjesit, nis e rritet deri në dritën e plotë të ditës.

19Udha e të ligjëve është e errët, nuk dinë se ku do të hasin në pengesa.

20Biri im, dëgjoji fjalët e mia, prire veshin tënd në fjalët e mia.

21Mos lejo të tresin prej syve të tu, ruaji mu në loçkën e zemrës sate:

22sepse ato janë jetë për atë që i gjen dhe shërim për të gjithë trupin e tyre.

23Me më të madhin kujdes ruaje zemrën tënde, sepse prej saj burimin e ka jeta.

24Dëboje larg teje gojën gënjyese të rrinë larg teje buzët gënjeshtare.

25Sytë e tu le të shikojnë drejtë dhe qerpikët e tu le të këqyrin drejt para teje!

26Kujdes në udhën e këmbëve të tua dhe të gjitha udhët e tua le të jenë të peshuara,

27mos u shmang as djathtas as majtas, ruaje këmbën tënde nga e liga.