Të gjithë kapitujt

Gjoni · Kapitulli 9

Jezusi shëron të verbëtin të lindur të verbët, Farisenjtë e pyesin të verbëtin si u shërua, etj.

41 vargje

Jezusi shëron të verbëtin të lindur të verbët

1Duke kaluar rrugës pa një njeri të verbët, që kishte lindur i verbët.

2Nxënësit e tij e pyetën: »Rabbi, kush mëkatoi, ky apo prindërit e tij që leu i verbët?«

3»Nuk mëkatoi as ky as prindërit e tij - përgjigji Jezusi - por ndodhi kështu që në të të dëftohen veprat e Hyjit.

4Derisa të jetë ditë na duhet t’i kryejmë veprat e Atij që më dërgoi Po vjen nata, kur askush s’mund të punojë.

5Derisa të jem në botë, jam drita e botës.«

6Si tha kështu, pështyu në dhe, bëri baltë me pështymë, ia leu sytë me baltë

7dhe i tha: »Shko e lahu në banjën Siloam (që do të thotë; I dërguari)«. Ai shkoi, u la dhe, kur po kthehej, shihte.

8Fqinjët e tij dhe ata, që më parë e kishin parë duke lypur, thoshin: »Po a nuk është ky ai që rrinte e lypte?«

9»Ai është« - thoshin disa. »Jo, por është një që i përngjan atij - thoshin do tjerë. Ai vetë thoshte: »Unë jam«

10Atëherë i thanë: »Po si (atëherë) të erdhi drita e syve?«

11Ai u përgjigji: »Njeriu që quhet Jezus, përzjeu baltë, m’i leu sytë dhe më tha: ‘Shko në Siloam dhe lahu!’ Shkova, pra, u lava dhe pashë.«

12»Ku është ai?« - i thanë. »Nuk di« - përgjigji.

Farisenjtë e pyesin të verbëtin si u shërua

13Atëherë e çuan atë, që përpara ishte i verbët, te farisenjtë.

14Ajo ditë kishte qenë e shtunë, kur Jezusi përzjeu baltën dhe ia dha dritën e syve.

15Edhe farisenjtë filluan prapë ta pyesin si e fitoi të pamit e syve. Ky u përgjigji: »Më vuri baltë në sy, unë u lava - dhe, ja, tani shoh!«

16Atëherë disa prej farisenjsh thanë: »Ky njeri nuk është prej Hyjit, sepse nuk e mban të shtunën!« Por disa tjerë thoshin: »Një mëkatar si mund të bëjë këso shenjash?« Dhe u bë përçarje ndër ta.

17Pastaj e pyetën prapë të verbërin: »E ti, çfarë thua për atë njeri që ta dha të pamit e syve?« »Është profet« - përgjigji.

18Judenjtë nuk besuan se kishte qenë vërtet i verbët dhe se iu shëruan sytë, derisa s’i thirrën prindërit e atij që u shërua,

19dhe i pyetën: »A është ky djali juaj, për të cilin pohoni se lindi i verbër? E si sheh tani?«

20Atëherë prindërit e tij përgjigjën: »E dimë se ky është djali ynë dhe se leu i verbët.

21Si sheh tani, nuk dimë. As nuk dimë se kush ia shëroi sytë. Pyetni atë: është njeri i rritur, ai do t’ju tregojë për vete.«

22Prindërit e tij folën kështu, sepse i dronin judenjtë. E njëmend, judenjtë kishin marrë vendim të përjashtohet nga sinagoga ai që Jezusin ta dëshmonte për Mesi.

23Për këtë arsye përgjigjën prindërit e tij: ‘I rritur është, pyetni atë!’

24Atëherë e thirrën për së dyti atë që kishte qenë i verbër dhe i thanë: »Jepi lavdi Hyjit! Ne e dimë se ai është njeri mëkatar!«

25»A është mëkatar - u përgjigji - s’e di; një gjë e di: kam qenë i verbër e tani shoh!«

26Atëherë ata i thanë: »Çka të bëri? Si t’i shëroi sytë?«

27»Tashti ju thashë - u përgjigji - e nuk më dëgjuat? Çka? Doni prapë të dëgjoni? A mos doni të bëheni edhe ju nxënësit e tij?«

28Atëherë ata filluan ta fyejnë e i thoshin: »Ti je nxënësi i tij! Ne jemi nxënësit e Moisiut!

29Ne e dimë se Hyji ka folur me Moisiun e për këtë nuk dimë as prej kah është!«

30»Shi kjo gjë është e çuditshme - u përgjigji njeriu - ju s’dini as prej kah është, e mua më dha dritën e syve!

31E ne e dimë fort mirë se Hyji nuk i dëgjon mëkatarët, por dëgjon atë që e nderon Hyjin dhe e kryen vullnetin e tij!

32Që prej amshimit s’është dëgjuar se ndokush ia ka dhënë të pamit e syve të verbëtit që leu i verbët!

33Po të mos ishte ky njeri prej Hyjit, s’do të mund të bënte asgjë!«

34»Që se leve, s’je tjetër veç mëkat - i përgjigjën - e ti po na mëson!?« Dhe e qitën përjashta.

Të pamit shpirtëror

35Jezusi e mori vesh se e kishin qitur jashtë. Kur e gjeti, i tha: »A beson ti në Birin e njeriut?«

36Ai i përgjigji: »Po kush është ai, Zotëri, që të besoj në Të?«

37»E pe - i tha Jezusi - Është ai që po flet me ty!«

38Ai tha: »Besoj, o Zot!« dhe ra përmbys para tij.

39Jezusi i tha: »Erdha në këtë botë të bëj gjyq: që të shohin ata që janë të verbër e të verbohen ata që shohin!«

40Disa prej farisenjsh që ishin me të i dëgjuan këto fjalë dhe thanë: »Vallë, a thua se edhe ne jemi të verbër?«

41Jezusi u përgjigji: »Po të ishit të verbër, s’do të kishit mëkat. Porse ju thoni: ‘Shohim!’ prandaj mëkati juaj mbetet.«