Të gjithë kapitujt

Gjoni · Kapitulli 8

Jezusi dhe gruaja e zënë në kurorëthyerje, Jezusi drita e botës, etj.

59 vargje

Jezusi dhe gruaja e zënë në kurorëthyerje

1Jezusi shkoi në Malin e Ullinjëve.

2Në mëngjes erdhi prapë në Tempull. Mbarë populli shkonte tek ai. Ai u ul e po i mësonte.

3Atëherë skribët e farisenjtë ia sollën para një grua të zënë në kurorëshkelje. E vunë ne mes

4dhe i thanë: »Mësues, kjo grua u zu ndërsa po bënte mëkatin e kurorëshkeljes.

5Në Ligj Moisiu na urdhëroi të këtillat të vriten me gurë. Po ti çka thua?«

6Folën kështu për ta vënë në provë që të kishin për çka ta padisnin. Jezusi u përkul e filloi të shkruaj me gisht në dhe.

7E, pasi ata vijonin ta pyesnin, ai u drejtua e tha: »Kush është prej jush pa mëkat, le ta qesë i pari gurin në të!«

8Përsëri u përkul e vazhdoi të shkruajë me gisht në dhe.

9Ata, kur e dëgjuan përgjigjen, nisën një nga një të largohen duke filluar prej me të vjetërve. Jezusi mbeti vetëm - dhe gruaja që po qëndronte në këmbë në midis.

10Jezusi u drejtua dhe i tha: »Grua, ku janë ata? Askush nuk të dënoi?«

11»Askush, Zotëri!« - përgjigji ajo. »As unë nuk po të dënoj - i tha Jezusi - Shko, por mbas tashit mos mëkato më!«]]

Jezusi drita e botës

12Atëherë Jezusi u tha përsëri: »Unë jam drita e botës. Kush vjen pas meje, nuk do të ecë në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës.«

13Atëherë farisenjtë i thanë: »Ti vetë po bën dëshmi për vetvete: dëshmia jote s’mund të jetë e vërtetë.«

14Jezusi u përgjigji: »Po qe se unë bëj dëshmi edhe për vetvete, prapë se prapë dëshmia ime është e vërtetë, sepse e di se prej kah erdha e kah shkoj. Ndërsa ju nuk dini as prej kah vij as kah shkoj.

15Ju gjykoni siç dukem përjashta, unë nuk gjykoj askënd.

16Por edhe në gjykoj, gjyqi im është i vërtetë, sepse unë nuk jam vetëm, por unë - dhe ai që më dërgoi - Ati.

17Por edhe në Ligjin tuaj shkruan: dëshmia e dy vetëve është e vërtetë.

18Unë dëshmoj për vetvete e për mua dëshmon edhe ai që më dërgoi, Ati.«

19Atëherë ata i thanë: »Ku është yt Atë?« Jezusi u përgjigji: »Ju nuk më njihni mua as Atin tim. Po të më njihnit mua do ta njihnit edhe Atin tim!«

20Këto fjalë Jezusi i foli në Thesarore, ndërsa po mësonte në Tempull, dhe askush nuk e preku, sepse ende nuk kishte arritur koha e tij.

Ku unë shkoj, ju nuk mund të vini

21Jezusi u tha përsëri: »Unë po shkoj e ju do të më kërkoni dhe do të vdisni në mëkatin tuaj. Ku unë shkoj, ju s’mund të vini.«

22Atëherë judenjtë thanë: »A mos mendon të vrasë veten pasi thotë: ‘Ku unë shkoj ju s’mund të vini?’«

23E Jezusi u tha: »Ju jeni prej këtu poshtë kurse unë jam prej së Larti. Ju jeni prej kësaj bote kurse unë nuk jam prej kësaj bote.

24Prandaj edhe ju thashë: ‘Do të vdisni në mëkatet tuaja!’ Për të vërtetë nëse nuk besoni se UNË JAM do të vdisni në mëkatet tuaja.«

25Atëherë ata i thanë: »Kush je ti?« »Po përse - u përgjigji Jezusi - t’ju tregoj prapë prej fillimit?

26Shumë sende kam për të thënë për ju e të gjykoj; porse Ai, që më dërgoi, është i vërtetë dhe çka dëgjova prej Tij atë i them botës.«

27Ata nuk e morën vesh se u foli për Atin.

28Atëherë Jezusi u tha: »Kur ta ngritni Birin e njeriut, atëherë do ta merrni vesh se UNË JAM dhe se prej vetvetes nuk bëj asgjë, por flas ashtu si më mësoi Ati.

29Ai që më dërgoi, është me mua e nuk më la vetëm, sepse unë gjithmonë bëj çka i pëlqen Atij.«

30Në këto fjalë të tija, shumë besuan në Të.

E vërteta do t’ju lirojë

31Mandej Jezusi u tha atyre judenjve që besuan në të: »Nëse do ta mbani fjalën time, vërtet do të jeni nxënësit e mi;

32do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë njerëz të lirë.«

33Ata i përgjigjën: »Ne jemi pasardhës të Abrahamit dhe askurrë askujt nuk i qemë robër. Si po thua ti: ‘Do të bëheni të lirë?’«

34Jezusi u përgjigji: »Për të vërtetë, për të vërtetë po ju them: kushdo bën mëkat është skllav (i mëkatit).

35Skllavi nuk rri përgjithmonë në shtëpi, ndërsa djali rri përgjithmonë në shtëpi.

36Nëse, pra, biri do t’ju çlirojë, me të vërtetë do të jeni të lirë.

37E di se jeni pasardhës të Abrahamit, e megjithatë kërkoni të më vritni, sepse fjala nuk gjen vend në ju.

38Unë flas çka pashë tek Ati e ju bëni çka dëgjuat prej atit [tuaj].«

Baba juaj është djalli

39Ata i përgjigjën: »Ati ynë është Abrahami.« Jezusi u tha: »Po të ishit bijtë e Abrahamit, do të bëshit veprat e Abrahamit!

40Dhe, ja, kërkoni të më vritni mua, që ju fola të vërtetën, që e dëgjova prej Hyjit. Një gjë të tillë Abrahami s’e bëri kurrë.

41Ju bëni veprat e babait tuaj.« [Atëherë] i thanë: »Ne s’kemi lindur nga fëlligështia - kemi vetëm një babë - Hyjin«

42Jezusi u përgjigji: »Po ta kishit Hyjin Atë, do të më donit edhe mua, sepse unë prej Hyjit dola dhe erdha; nuk erdha prej vetvetes, por Ai më dërgoi.

43Përse nuk e merrni vesh fjalën time? Pse nuk jeni të zotët ta dëgjoni fjalën time!

44Baba juaj është djalli e ju dëshironi të kryeni vullnetin e babait tuaj. Ai qe vrastar njerëzish që në fillim, nuk mundi të qëndrojë në të vërtetën, sepse në të nuk ka të vërtetë. Sa herë rren, flet prej natyrës së vet sepse është rrenacak dhe babai i rrenës.

45E mua nuk më besoni shi pse ju flas të vërtetën.

46Kush prej jush është i zoti të ma vërtetojë se kam mëkatuar? Nëse flas të vërtetën, pse nuk më besoni?

47Kush është prej Hyjit, i dëgjon fjalët e Hyjit; prandaj ju nuk i dëgjoni, sepse nuk jeni prej Hyjit.

Para se Abrahami të ishte, unë jam

48Judenjtë i përgjigjën: »Vallë, a nuk e themi të vërtetën se je samaritanas e se në trup e ke djallin?«

49Jezusi përgjigji: »Unë nuk e kam në trup djallin por e nderoj Atin tim e ju më çnderoni.

50Por unë nuk e kërkoj nderin tim, ka kush e kërkon dhe e gjykon.

51Përnjëmend, përnjëmend po ju them: ai që e zbaton fjalën time, askurrë s’do ta shohë vdekjen«

52[Atëherë] judenjtë i thanë: »Tani po shohim qartë se je i djallosur. Abrahami vdiq e vdiqën edhe profetët, e ti thua: Ai që zbaton fjalën time, askurrë s’do ta shohë vdekjen.’

53A mos je ti më i madh se Ati ynë Abrahami, i cili vdiq? Po edhe profetët vdiqën. Kush kujton se je?«

54Jezusi përgjigji: »Nëse unë e lavdëroj vetveten, lavdi im është asgjë; ka kush më lavdëron - im Atë, për të cilin ju thoni: ‘është Hyji ynë’,

55por ju nuk e njohët, përkundrazi unë e njoh. Po t’ju thosha se nuk e njoh, do të isha rrenacak si ju. Por unë e njoh dhe e mbaj fjalën e tij.

56Abrahami, ati juaj, galdoi në shpirt nga dëshira për ta parë Ditën time. E pa dhe u gëzua.«

57Atëherë judenjtë i thanë: »Ende nuk i ke as pesëdhjetë vjet dhe e pe Abrahamin!«

58Jezusi u përgjigji: »Përnjëmend, përnjëmend po ju them: përpara se të ishte Abrahami, UNË JAM!«

59Atëherë kapën gurë për ta gjuajtur, por Jezusi u fsheh dhe doli prej Tempullit.