Të gjithë kapitujt

Habakuku · Kapitulli 1

Titulli, I. DIALOGU NDËRMJET PROFETIT E HYJIT, etj.

17 vargje

Titulli

1Profecia që e pa profeti Habakuk.

I. DIALOGU NDËRMJET PROFETIT E HYJIT

Ankimi i parë i profetit: cënimi i drejtësisë

2Deri kur do të thërras në ndihmë, o Zot, e ti nuk do të dëgjosh? “Dhunë”! - do të klith kah ti, e ti nuk do të më shpëtosh?

3Pse ma qet para ta shikoj prapësinë e ti vetëm e kundron mbrapshtinë? Para meje është shkretim e dhunë, bëhet rragatje e peshë çohet grindja!

4Ja, pse s’ka fuqi më Ligji e gjyqi s’ia del qëllimit! Pse i pashpirti ngadhënjen mbi të drejtin, këndej gjyqi del i shtrembëruar!

Profecia e parë. Kaldenjtë frushkulli i Hyjit

5“Shikoni në popuj e vrojtoni, çudituni e mrekullohuni, sepse po e bëj një punë në ditët tuaja që, po të tregohej, kush s’do ta besonte.

6Ja, në këmbë po bëj të çohen kaldenjtë, popull idhnak edhe i prapët, që e përshkon anë e kënd vendin për të bërë të vetat banesat jo të tijat.

7I përfrigueshëm është edhe i tmerrshëm, e drejta e nderi për të është forca!

8Kuajt e tij më të shpejtë se leopardi, më të egjër se ujqërit e malit, ngarendin kalorësit e tij, balozat i vijnë prej së largu, fluturojnë porsi shqiponja që flakë lëshohet për të ngrënë prenë!

9Të gjithë vijnë për të bërë dhunime, erë përcëlluese fytyra e tyre, porsi rërë grumbullojnë robër.

10Ky popull i përqesh mbretërit, qeveritarët në gaz i vë, lojë për të është çdo fortesë, dhe afron dhe e pushton!

11Kthen si era e pastaj vazhdon: për të Hyj është forca e tij!

Ankimi i dytë: tagrambledhjet e shtypësit

12Pse, a sje, o Zot, që prejfillimit Hyji im, Shenjti im që nuk vdes kurrë? E caktove, o Zot, që të ushtrojë të drejtën, Shkëmbi im, e themelove për të ndëshkuar!

13Ti, që sytë i ke aq të pastër sa që s’mund ta shikojnë të keqen, paudhësinë s’mund ta kundrosh, pse i shikon të mbrapshtët dhe hesht kur i keqi e përpin më të drejtin?

14I bëre njerëzit si peshq deti, zvarranikë që zot nuk kanë mbi vete.

15Të gjithë i gjuan kaldeu me grep. të gjithë i nxjerr jashta me rrjetë, i bashkon në kariq të vet: për këtë gjë gëzon e galdon!

16Këndej edhe rrjetës i kushton fli, kariqit të vet kem i djeg, sepse i sjellin kafshatë të majme, ushqim të shijshëm!

17A për këtë, thua, do të nxjerrë shpatën për të prerë popuj pa pikë mëshire?!