Të gjithë kapitujt

Habakuku · Kapitulli 2

Profecia e dytë: i drejti do të jetojë në sajë të fesë së vet, Profecia e dytë: i drejti do të jetojë në saje të fesë së vet, etj.

20 vargje

Profecia e dytë: i drejti do të jetojë në sajë të fesë së vet

Profecia e dytë: i drejti do të jetojë në saje të fesë së vet

1Do të qëndroj në rojën time, do të ngjitem në majë të vrojtores, do të vëzhgoj të shoh çfarë do të më thotë, çdo të më përgjigjet në ankimin tim.

2Zoti atëherë mu përgjigj e më tha: “Shkruaje vegimin, gdhende përmbi rrasëza që lexuesi ta lexojë rrjedhshëm.

3Është vegim për kohë të caktuar, kah përmbushja shkon, nuk gënjen; nëse vonon, prite me shpresë, se do të vijë e s’do të vonojë!

4Sharron ai që i drejtë s’është në shpirt: në sajë të fesë së vet jeton i drejti!

II. MALLKIMET KUNDËR SHTYPËSIT

Hyrje

5Vërtet kamja e gënjen krenarinë e në skaj ai kurrë s’ia del. Fytin e vet si ferri e hap e, si vdekja, që kurrë s’ngopet, i bën të vetat të gjitha kombet, i përmbledh të gjitha fiset.

6Porse këta, a thua, të gjithë së bashku s’do ta vënë në bisht të lahutës, s’do ta bëjnë, vallë, përrallë për qesëndi? E do t’i thonë:

Pesë nëmat I

“Mjerë kush mbledh çka s’është e tija

- deri kur? -

që ngarkon pengje mbi vete”!

7Vallë, s’do të ngrihen, thua, papritmas për të të ngrënë? S’do të mëkojnë ata që të tundin e s’do të bëhesh preja e tyre?!

8Pasi ti plaçkite popuj shumë, kush të mbesë prej popujve ty do të plaçkisë, për gjak njerëzish e shtypje të vendit të qyteteve e të banorëve të tyre!

II

9Mjerë kush nxjerr fitim të padrejtë për të zezën e shtëpisë së vet që të endë lart çerdhen e vet, për të shpëtuar nga mjerimi!

10Sendërgjove turpin e shtëpisë sate shumë popuj duke shkallmuar e mëkatove kundër shpirtit tënd!

11Sepse guri prej murit do të thërrasë, prej pullazit do ti përgjigjet trau!

III

12Mjerë kush në gjak ndërton qytetin, mbi fajësi e ngre kështjellën!

13Pse a s’është kjo prej Zotit të Ushtrive që popujt për zjarr të punojnë, për asgjë të mundohen kombet?

14Vërtet toka do të mbushet plot me të njohurit e lavdisë së Zotit si ujërat që e mbulojnë detin!

IV

15Mjerë kush pijen i jep mikut të vet, i qet helm edhe e deh për t’ia parë lakuriqësinë!

16Në vend të nderit do të të mbulojë turpi! Pi, pra, ti, e zhveshu vetë! Mbi ty do të bjerë kupa e së djathtës së Zotit, nderin do ta mbulojë çnderimi!

17Do të të kaplojë shkretimi i Libanit, do të të tmerrojë mjerimi i kafshëve, për gjak njerëzish e shtypje të vendit, të qyteteve e të banorëve të tyre!

18Çvlerë mund të ketë idhulli i gdhendur që e thadroi mjeshtri i tij, idhulli i shkrirë e profecia e rreme? Shpresoi mjeshtri në mjeshtri të vet dhe punoi idhuj të pagojë!

V

19Mjerë ai që i thotë drurit: “Zgjohu”! gurit të pagojë: “Çohu nga gjumi!”, a thua i tilli mund të mësojë? Vërtet i veshur është me ar e argjend! por kurrfarë fryme jetëdhënëse në të s’ka!

20Kurse Zoti është në Tempullin e vet të shenjtë: le të heshtë para tij mbarë toka!