Të gjithë kapitujt

Jakobi · Kapitulli 1

Përshëndetje, Feja dhe urtia, etj.

27 vargje

Përshëndetje

1Jakobi, shërbëtori i Hyjit dhe i Jezu Krishtit Zot: dymbëdhjetë fiseve të shpërndara anë e kënd nëpër botë: shëndet.

Feja dhe urtia

2Çmoni për gëzim të vërtetë, vëllezërit e mi, kur t’ju ndodhë të sprovoni çdo lloj vështirësie,

3duke e ditur se prova e fesë suaj lind qëndrueshmërinë.

4Por qëndresa le të ushtrohet me përpikëri që të jeni të përkryer dhe të përsosur pa farë të mete.

5Në qoftë se ndokujt prej jush i mungon urtia, le t’ia lypë Hyjit, i cili gjithkujt i jep me ëndje e pa fjalë, dhe do t’i jepet.

6Por le ta kërkojë me fe të gjallë, pa farë dyshimi; sepse ai që dyshon i përngjan valës së detit që e çon peshë era dhe e përplasë.

7Njeriu i tillë të mos mendojë se do të marrë gjë prej Zotit

8- njeriu me dy mendje, i paqëndrueshëm në të gjitha udhët e veta.

Varfëria dhe pasuria

9Vëllai me prejardhje të ulët le të mburret me lartësimin e tij,

10kurse pasaniku për përvujtërimin e tij, sepse do të mbarojë porsi lulja e barit.

11Lindi dielli me vapën e vet, e thau barin dhe lulja e tij u vyshk: hijeshia e fytyrës u zhduk. Kështu do të thahet edhe pasaniku në ndërmarrjet e veta.

Prova dhe tundimi

12Lum ai njeri që pëson tundim, sepse, mbasi t’i qëndrojë provës, do të fitojë kurorën e jetës të premtuar atyre që e duan Hyjin.

13Askush që është i tunduar të mos thotë: »Hyji më tundon«, sepse Hyji nuk mund të jetë i tunduar për të keq dhe Ai nuk tundon askënd.

14Por secili tundohet nga lakmimi i vet, i prirur dhe i ngashnjyer.

15Lakmimi mandej i mbarsur, lind mëkatin, dhe mëkati, si të kryhet, lind vdekjen.

16Mos u tradhtoni, vëllezër të mi të dashur:

17Çdo dhuratë e mirë dhe çdo dhunti e përsosur është prej së larti, zbret nga Ati i dritës, në të cilin nuk ka ndërrim as hije dyshimi.

18Ai na lindi në saje të vullnetit të vet nëpër fjalën e së vërtetës, që ne të jemi një farë fryti të parë të krijesave të tija.

Të dëgjohet dhe të zbatohet fjala

19Dinie mirë, vëllezër të mi të dashur, këtë gjë: çdo njeri le të jetë i shpejtë për të dëgjuar, i ngadalshëm për të folur dhe i ngadalshëm për zemërim.

20Sepse zemërimi i njeriut nuk e kryen drejtësinë e Hyjit.

21Prandaj, flakni tej çdo ndyrësi dhe çdo të keqe tjetër e me plot butësi pranoni fjalën e mbjellë në ju, e cila është e aftë t’i shpëtojë shpirtrat tuaj.

22Bënu zbatues të fjalës e jo vetëm dëgjues që gënjejnë vetveten.

23Sepse, në qoftë se dikush e dëgjon fjalën, por nuk e zbaton, ai i përngjan njeriut që e shikon fytyrën e vet në pasqyrë:

24e pa veten, shkoi e menjëherë harroi se si qe.

25Ndërsa ai që e vëren ligjin e përsosur - atë të lirisë - e, në qoftë se i përvishet jo thjesht si dëgjues i habitur, por si zbatues i veprës, ky do ta gjejë lumturinë e vet në ushtrimin e tij.

26Në qoftë se ndokush e mban veten për besimtar e nuk i vë fre gjuhës së vet, por e gënjen zemrën e vet, besimi i tij është i kotë.

27Besimi i pastër dhe i patëmetë para Hyjit Atë është ky: kujdesi për bonjakë dhe për gra të veja në vështirësitë e tyre dhe ruajtja e pastër e vetvetes nga kjo botë.