Të gjithë kapitujt

Jakobi · Kapitulli 3

Gjuha, Urtia prej së larti

18 vargje

Gjuha

1Vëllezërit e mi, mos u bëni shumë mësues, duke e ditur se do të gjykohemi më rëndë.

2Për të vërtetë, të gjithë gabojmë shumë. Në qoftë se ndokush nuk gabon në fjalë, ai është njeri i përsosur, i aftë të sundojë mbarë trupin.

3Nëse kuajve u vëmë frerët në gojë për t’i vënë nën sundim, atëherë mund të drejtojmë me mbarë trupin e tyre.

4Ja, edhe anijet: sa të mëdha janë ato dhe sa të forta erërat që i shtyejnë! E pra, një timon i vogël i drejton atje ku do timonieri!

5Kështu edhe gjuha është një gjymtyrë e vogël, por mund të mburret për gjëra të mëdha. Ja, një zjarr i vogël se ç’pyll të madh mund të djegë!

6Po, edhe gjuha është zjarr! Një botë e tërë padrejtësie gjuha është midis gjymtyrëve tona, ajo që e fëlliq të gjithë trupin dhe, e ndezur nga ferri, e bën shkrumb të tërë jetën.

7E njëmend, të gjitha llojet e egërsirave, të shpendëve, të zvarranikëve dhe të kafshëve të detit mund të zbuten dhe njerëzit i kanë vënë nën sundim,

8kurse gjuhën - e keqe e paqetësueshme, plot vrer që sjell vdekjen - asnjë njeri nuk mund ta mbizotërojë.

9Me të lavdërojmë Zotin edhe Atin, por me të edhe mallkojmë njerëzit e krijuar në përngjasimin e Hyjit:

10prej të njëjtës gojë del bekimi dhe mallkimi. E pra, vëllezërit e mi, nuk duhet të ishte ashtu!

11A thua burimi nga e njëjta vrimë qet ujë të ëmbël e të hidhur?

12A thua, vëllezërit e mi, fiku mund të prodhojë ullinj? Ose hardhia fiq? As burimi i njelmët nuk mund të qesë ujë të ëmbël.

Urtia prej së larti

13A është ndokush ndër ju i urtë dhe i mençur? Me sjellje të bukur le t’i dëftojë veprat e veta të frymëzuara nga butësia me urti.

14Por, në qoftë se në zemrën tuaj keni smirën e hidhur dhe shpirtin e grindjes, mos u mbani në të madh dhe mos rreni kundër së vërtetës!

15Kjo urti nuk është ajo që vjen prej së larti, por është tokësore, shqisore, djallore.

16Sepse, ku është smira dhe grindja, atje ka pështjellim dhe çdo të keqe.

17Kurse urtia që vjen prej së larti më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e përshtatshme, plot mëshirë dhe vepra të mira, e durueshme dhe jo shtijarake.

18Fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që punojnë për paqe.