Të gjithë kapitujt

Jobi · Kapitulli 21

Faktet flasin ndryshe

34 vargje

Faktet flasin ndryshe

1Jobi mori fjalën e tha:

2»Ju lutem dëgjoni fjalët e mia, kaq ngushëllim prej jush ta kem!

3Më lejoni njëherë të flas e pastaj sa të doni qeshni.

4Vallë a ankohem kundër një njeriu, që të mos kem pse ta humbas duresën?

5Po më vështroni: a s’shtangoheni, me dorë gojën a nuk do ta qepni?

6Data më kap kur mendoj veten, rrënqethje e tmerrshme krejt më përshkon!

7Pse bakëqijtë a pak jetojnë? Madje plaken e në begati!

8Bashkë me ta mbarë u shkon bami, pinjollat ndër sy u shtohen.

9Të sigurta i kanë shtëpitë e të qeta, thupra e Hyjit kurrë mbi ta nuk bie.

10Mëzetët e tyre si të askujt, lopët iu pjellin, shterp s’u mbesin.

11Fëmijët e tyre tufa qengjash, djemtë u kërcejnë plot hare.

12E luajnë cetrën e tupanin dhe kënaqen me këngë zambaresh.

13Në mirëqenie jeta u kalon, plotësisht të qetë në Nëntokë zbresin.

14E pra këta i thoshin Hyjit: ‘Na u hiq sysh! S’duam t’i njohim udhët e tua!

15Kush është Hyji që t’i shërbejmë? Ç’fitesë kemi nëse Atij i lutemi?’

16Dorën plot e kanë me të mira pa çarë fare kryet për Hyjin!

17A shpesh të mbrapshtëve u shuhet drita? Kur papritmas e liga i gjen? Sa herë të liga në felgrim u çon Hyji?

18Pse a kashtë është ai thua në erë, apor byk që e tret stuhia?

19Për bamë të tij Hyji e ruan ndëshkimin? Atë të godasë, ai vetë të paguajë!

20Ai me sy ta shohë se vdes e le të gjerbë nga felgrimi i Hyjit.

21Po a dron ngushtë është pas vdekjes për sht’pi, kur numri i muajve të tij të jetë kryer?

22Pse a ndoshta dija i mësohet Hyjit që i gjykon krijesat atje lart?

23Njëri vdes me të gjitha të mirat shumë i pasur e plot qetësi:

24Me përmbrendëse të ngarkuara me dhjamë, palca eshtrave pa u munguar;

25kurse tjetri vdes në mjerim, pa e pasë gëzuar në jetë ndoj të mirë,

26e prapë së bashku prehen në dhe, baras të dy me krimba të mb’luar!

27Heu sa mirë i di mendimet tuaja, se ç’shestoni kundër meje të thoni,

28sepse më pyetni: ‘Ku është sht’pia e prijësit? Ku është tenda ku banonin të mbrapshtit?’

29Pse a s’i pyetët kalimtarët udhës? Provët e tyre s’keni si i mohoni

30se në ditë të vështirë bakeqi po kursehet dhe shpëton nga dita e felgrimit.

31Kush për sjellje, ndër sy e qorton, e ndëshkon kush për të këqijat që bëri?

32Në varr përcillet me nderime, për më tepër varri i ruhet.

33E lehtë për të do të jetë ledina, pas e para i shkojnë të gjithë njerëzit!

34Ç’kuptim kanë, pra, ngushëllimet që më jepni? Sa të gabuara janë përgjigjet tuaja!«