Të gjithë kapitujt

Jobi · Kapitulli 22

III. Cikli i tretë i bisedimeve, Hyji gjykon vetëm në emër të drejtësisë

30 vargje

III. Cikli i tretë i bisedimeve

Hyji gjykon vetëm në emër të drejtësisë

1Mori fjalën Elifaz Temaniti e tha:

2»Çka njeriu Hyjit mund t’i vlejë? kur i urti vlen mezi për vete?

3Ç’dobi i Lumi ka nëse ti je i drejtë, ç’fiton Hyji nëse ti je i pastër?

4Vallë të ndëshkon pse qenke i drejtë e për këtë të qitka në gjyq?

5A thua jo në saje të mbrapshtisë sate, të të këqijave të tua që s’kanë numër?

6Pa arsye vëllait peng i more, të vobekëtin petkash e zhveshe.

7Të etshmit ujë s’i dhe të pijë, të uriturit s’i dhe të hajë.

8Skamnorit tokën ia more dhe ia dhe kujt të pëlqeu ty.

9Me duar thatë i nisje të vejat, bonjakëve ua theve krahët.

10Këndej tani në rrjetë ke rënë e po të mposht frika e papritur.

11Drita terr të është bërë e s’sheh, turri i ujërave po të përplas!

12Pse thua Hyji s’është më i lartë se qielli? vëreje majën e yjeve: sa e lartë!

13E ti thua: ‘Po ç’di Hyji? A mund të shohë nëpër mug të reve?

14Tis ka rejen e ne s’na sheh. Ai shëtit buzës qiellore!

15Po a do të ndiqësh udhën e moçme, që ndoqën njerëzit e këqij?

16Para kohe qenë rroposur, themelin ua mori lumi!

17Ata Hyjit vetë i thoshin: ‘Larg prej nesh!’ dhe: ‘S’ka ç’na bën i Gjithpushtetshmi.

18Ai shtëpitë me të mira u mbushte, megjithëse për të krye s’çanin.

19Të drejtët shohin edhe gëzohen, i pafajshmi në lojë i vë:

20‘Vërtet mbaroi madhëria e tyre, pasurinë ua dogji zjarri.’

21Me Hyjin ndrequ e pajtohu, do të reshesh përsëri me të mira.

22Prano Ligjin prej gojës së tij, fjalët e tija nguli në zemër.

23Nëse i penduar te i Lumi kthehesh, nëse e mënjanon të keqen nga tenda,

24nëse si pluhurin e çmon arin, si zall lumi arin e Ofirit,

25për ty ar do të jetë i Lumi e argjend do të kesh me muqe.

26Atëherë te i Lumi do të gjesh gëzime, drejt kah Hyji do t’i lartësosh duart.

27Do t’i lutesh e Ai do të dëgjojë, kushtet tua në vend do t’i çosh.

28Do të shkojë mbarë çkado të ndërmarrësh, udhën tënde do ta ndriçojë drita.

29Madhështorit ia ul kreninë e i ndihmon njeriut të përvujtë.

30Nga e keqja e shpëton të pafajshmin: patëmetësia e duarve e shpëton.«