Të gjithë kapitujt

Jobi · Kapitulli 30

B. Mjerimi i tashëm

31 vargje

B. Mjerimi i tashëm

1»Kurse tash mua më përqeshin në moshë më të rinjtë, të cilëve etërit s’u denjoja t’ia vë grigjës qen për rojë!

2Gjë nuk duhej forca e duarve të tyre, humbur u kishte fuqia rinore,

3dob’suar skami e urie, endeshin nëpër shkretëtirë të shkretuar nga stuhitë;

4brenin bare e gjethe shkurresh, rrënjët e dëllisë kishin ushqim.

5Të dëbuar nga rrethi i njerëzve, pas u britnin sikur vjedhësve.

6Banonin brigjeve të përrenjve, në shpella dheu edhe qetash,

7ulërinin n’për shkurre e mreta, nën ferra së bashku u struknin.

8Bijtë e tyre, pjellë e poshtër, prej vendit me dhunë të dëbuar.

9Ata tash në bisht të lahutës më vënë e për ta unë përrallë jam bërë.

10U vjen të ndyrë, meje largohen, s’ju vjen turp të më pështyjnë në f’tyrë.

11Kukurrën hapi e më shigjetoi e në gojë ma vuri frerin.

12Fole shlligash në të djathtën time, këmbët e mia i vënë në të ikur, kundër meje sheshojnë shtigje vdekje.

13Rrugët e mia m’i rrënuan, më dolën në pritë edhe më mundën dhe askush s’u kundërshton.

14Si murit të rrënuar më sulen, nën rrënoja u rrokullisën.

15Edhe tmerri kundër meje u çua, porsi era u zhduk parësia ime, porsi reja shkoi shpëtimi im.

16Shpirti im gjithnjë po më meket, më pushtuan ditët e mjerimit.

17Natën eshtrat dhimbat m’i shporojnë, plagët që më brejnë askurrë s’më pushojnë!

18Më kap për petkash me tërë fuqinë, më shtrëngon si qafeta e këmishës.

19Në baltë më përplasi pa farë mëshire e jam bërë krejt blozë e pluhur.

20Në ndihmë të thërras e Ti s’më përgjigj, në këmbë qëndroj e Ti s’më shikon.

21Për mua Ti mizor u bëre, më përndjek me dorë të fuqishme.

22Më flak përpjetë kalor mbi erë, poshtë më përplas me anë të stuhisë.

23Po e shoh se në vdekje më shtyt, në sht’pi të caktuar për çdo të gjallë.

24Megjithatë dorën s’shtrin për ta rrënuar; në rrënim të tij do të jetë shpëtimi.

25Vallë a s’qaja kurdoherë mbi të mjerin, a s’i dhimbej shpirtit tim i varfri?

26Prisja të mirën, më erdhën të këqijat, prisja dritën e më erdhi terri.

27Më vlon barku e kurrë s’më pushon, po më sulmojnë ditët e mjerimit.

28Ecja i mërrolur - kush s’më ngushëllon, ngritesha në mbledhje e thirrja ndihmë.

29Me çakaj u bëra vëlla, shok u bëra me struca të egjër.

30Nxirë është lëkura e trupit tim, nga ethet eshtrat m’u thanë.

31Cetra ime u bë vajtore, gjëmëtar është fyelli im!«