Të gjithë kapitujt

Jobi · Kapitulli 29

V.Përfundimi i bashkëbisedimit, Ankimet dhe mbrojtja e Jobit:, etj.

25 vargje

V.Përfundimi i bashkëbisedimit

Ankimet dhe mbrojtja e Jobit:

A. Ditët e kaluara

1Jobi vazhdoi poemën e vet e tha:

2»Oh, të m’u ktheshin muajt e shkuar, ato ditë kur Hyji më ruante,

3kur mbi krye më ndriçonte dritëza e tij, kur në dritë të Tij çaja errësirën!

4Të bëhesha si në rininë time, kur si mik në tendë më vinte Hyji,

5kur me mua ishte i Lumi e përreth mecat e mi,

6kur me qumësht i laja këmbët, kur nga guri rrëke më rridhte vaji!

7Kur unë dilja në log të kuvendit, shkëmbin tim kur e vija në shesh,

8më shihnin të rinjtë e iknin të fshehen, pleqtë në këmbë brafshin e ashtu qëndronin!

9Heshtnin prijësit, zë s’lëshonin e me dorë gojën e mbyllnin.

10Fisnikët zërin e rrudhnin e për qellzë gjuha u ngjitej.

11Kush më dëgjonte më mbante të lum, kush më shikonte më jepte nder.

12Pse i ndihmoja të varfrit që lyp ndihmë e bonjakut që kush s’e përkrah.

13Me bekime më mb’lonte i vdekatari, zemrës së vejës ia dhuroja gëzimin.

14Porsi petk vishja drejtësinë, shall të leshtë e kisha të drejtën.

15Sy për të verbëtin, këmbë për të shqeptin isha,

16babë për të varfërin, mbrojtës për të huajin!

17Keqbërësit turinjtë ia theja, prej dhëmbëve ia nxirrja prenë!

18Mendja më thoshte: ‘Në çerdhën time plot shëngjergja unë do të vdes.’

19Rrënja ime në ujë arrin, gemat natën m’i lag vesa.

20Nderi im gjithmonë në rritje, shigjeta ime gjithnjë do të përtërihet!

21Ma dëgjonin, fjalën më përkrahnin, ishin të gatshëm të m’i dëgjonin këshillat.

22Kush s’guxonte të ma presë fjalën, mbi ta fjala si shi më rridhte!

23Më prisnin fjalën sikur pritet shiu, gojëhapur si në shi përtëritës!

24Nëse u qeshja s’mund të besonin, më vërenin në f’tyrë që të më dinë mendimin.

25Kur doja të shkoja ndër ta, gjithherë zija kryet e vendit, rrija si mbret me ushtri rrethuar, sepse isha ngush’llues i të mjerëve.«