Të gjithë kapitujt

Jobi · Kapitulli 34

Paaftësia e tre dijetarëve për ta shfajësuar Hyjin

37 vargje

Paaftësia e tre dijetarëve për ta shfajësuar Hyjin

1Eliuhi e rimori fjalën. Ai tha:

2»Dëgjoni, o të dijshëm, fjalët e mia, o ju të ditur, mua më vështroni!

3Pasi veshi i dallon fjalët me shijim qiellza ushqimet:

4prandaj të shqyrtojmë çka është e drejtë, të çmojmë së bashku ç’është më mirë.

5Pasi Jobi tha: ‘I drejtë jam, porse Hyji të drejtën ma mori.

6Jam i drejtë e rrencak më mbajnë, i shigjetuar pa farë faji’,

7ka ndokund burrë porsi Jobi, që e pi talljen porsi ujin?

8Që rrugon bashkë me keqbërësit, që ecën me të patenzonë?

9Sepse tha: ‘Njeriut s’i vlen me Hyjin miqësisht të sillet.’

10Pra, më dëgjoni burra të mençur: larg prej Hyjit paudhësia e prej të Lumit padrejtësia!

11Sipas veprave njeriun shpërblen, sipas sjelljes shpaguan gjithkënd.

12Vërtet Hyji kurrë keq s’bën, kurrë i Lumi s’e shkel të drejtën!

13Kush atëherë ia beson botën? Mbarë rruzullin kush e sheston?

14Po të rikthente frymën në vete, po të tërhiqte shpirt e frymë,

15coftë do të binin të gjithë gjallorët, njeriu në pluhur do të kthehej.

16Nëse merr vesh, dëgjo këtë, dëgjo zërin e bisedës sime.

17Mund të sundojë kush e urren të drejtën? Guxon të dënosh të Drejtin e të drejtëve,

18që mbretit i thotë: ‘Mbrapshtan!’ edhe prijësve: ‘Të patenzonë’!,

19që princave pajë s’u mban, s’bën dallim: skamnor e i pasur, pse janë vepër e duarve të tija?!

20Çëk-fëk zhduken në thellësi të natës; grinden popujt e shkatërrohen, zhbin dhunuesin pa vështirësi.

21Ai njeriut ia sheh udhët, në shuplakë të dorës hapat ia ka!

22Nuk ka terr as hije vdekjeje që ta fshehë atë që bën keq.

23Askujt Hyji më parë s’i tregon, kur i duhet para Tij në gjyq të dalë.

24I zhduk të mëdhenjtë pa hetuesi, në vend të tyre tjerë vë në pushtet,

25sepse veprat fort mirë ua njeh, dhe një natë i përplas e i shqelmon.

26Si keqbërësit ata i godet mu aty ku mbarë bota i sheh!

27Qëllimisht pse prej Tij u larguan, t’i kuptojnë nuk deshën udhët e tija.

28Tek Ai mbërriti britma e skamnorit, ua dëgjoi të vobektëve klithmën.

29Nëse hesht kush mund ta dënojë? Nëse e fsheh f’tyrën kush e sheh? Por kujdeset për popuj e njerëz,

30të mos mbretërojë i patenzoni që të mos bëhet lak për popull.

31Nëse ndokush Hyjit i thotë: ‘Ç’m’u desh pësova! Më s’do të mëkatoj.

32Çka s’kuptoj ti tash ma mëso, keq në punova, s’do të vazhdoj.’

33Si pas teje a s’do ta falë pse ti gjyqin s’ia përfill? Ty të takon të zgjidhësh e jo mua: zbraze, pra, dijen që ke.

34Njerëz’t e urtë mua do të më thonë, çdo i ditur që do të më dëgjojë:

35Jo, si i urtë nuk foli Jobi, fjalëve të tija u mungon dija!

36Prandaj Jobi der në fund le të sprovohet pse përgjigj si keqbërës të ishte,

37mëkatit të vet pse ia shton kryengritjen, ndërmjet nesh me shuplakë rreh, kundër Hyjit i shton hyjshmitë.«