Të gjithë kapitujt

Jobi · Kapitulli 40

Biseda e Dytë, Hyji e nënshtron fuqinë e të keqes, etj.

32 vargje

1Zoti Jobin e theki e tha:

2»Prozhmuesi s’do të ndeshet me të Lumin? Kritikuesi Hyjit t’i përgjigjë!«

3Jobi Zotit i përgjigji:

4»Heu! Pa mend fola! Si të përgjigj? Me dorë gojën po e kyç!

5Një herë fola: s’e përsëris dot! Dy herë fola: s’vazhdoj dot!«

Biseda e Dytë

Hyji e nënshtron fuqinë e të keqes

6Atëherë Hyji i përgjigji Jobit nga stuhia e i tha:

7»Porsi trimi ngjeshi ijët: dua të të pyes e ti më mëso.

8Gjyqin tim poshtë do ta hedhësh, të më dënosh mua ta shfajësosh veten?

9Krahu yt a është si i Hyjit, zëri yt gjëmon si i tij?

10Ngjeshu, pra, me stoli e madhëri, veshu, pra, me shkëlqim e me nder!

11Zbraz stuhinë e felgrimit tënd, me shikim përul krenarët!

12Vëre krenarin, për tokë përplase, zhbij keqbërësin kudo të ndodhë!

13Të gjithë së bashku në dhe mbuloji, të gjithë kyçi në gropë të errët!

14Atëherë unë do të bëj dëshmi se të shpëton e djathta jote.«

Behemoti

15»Shih Behemotin: e krijova porsi ty; ai ha bar si të ishte ka!

16Në ijë forca i qëndron e fuqia në muskuj të barkut.

17E ngreh bishtin thua është cedër, kofshët krejtësisht ia mbërthejnë dejtë.

18I ka eshtrat fishkull bronzi, brinjtë e tij si pllaka hekuri!

19Është vepra e parë e Hyjit, Krijuesi më shpatë e pajisi.

20Atij malet ia paguajnë të dhjetat, egërsirat që n’për to gjesdisin.

21Nën lotus shtrihet të pushojë, kallmi i kënetës e balta e fshehin.

22Hije i bëjnë gjethët e lotusit, e rrethojnë shelgjet e kënetës.

23Fryhet lumi, ai s’çan krye, në fyt t’i hynte një lumë i tërë, s’e shqetëson, ai vesh nuk vret!

24Kush atë për syri e kap, e lidh në kunj e i shpon hundën?«

Leviatani

25»Leviatanin a e zë me grep? Vallë me toje ia lidh gjuhën?

26A n’për hundë ia kalon zunkthin? Ia shpon nofullën me kërrabë?

27Të kesh dhimbë a do të të përbejë? Butë e ëmbël do të flasë me ty?

28A thua me ty godi do të bëjë do ta bësh shërbëtor të përhershëm?

29Si me shpend do të luash me të, do ta lidhësh që vajzat të luajnë?

30Bashkëgjahtarët në treg do ta qesin, do ta ndajnë tregtarët ndër vete?

31Me shigjetë do t’ia shposh shpinën, do t’ia therësh kokën me fuzhnjë?

32Vër njëherë dorën mbi të: luftës gëzoju - më s’do të ndeshesh!