Të gjithë kapitujt

Jobi · Kapitulli 42

Fjala e fundit e Jobit, V. PËRFUNDIMI, etj.

16 vargje

Fjala e fundit e Jobit

1Jobi mori fjalën dhe i përgjigji Zotit:

2»Mirë e di se je i gjithpushtetshëm, çka sheston, në gjendje je ta bësh!

3Kush është ai që me fjalë të marra provaninë hyjnore e errëson? Prandaj fola si i pamend për mrekullitë që s’i kuptoj.

4Por më dëgjo, më jep leje të flas: unë do të pyes e ti më përgjigj.

5Nuk të njihja veç me të dëgjuar, e tani me sy të mi të pashë!

6Prandaj veten e qortoj, bëj pendesë në hi dhe në pluhur.«

V. PËRFUNDIMI

Zoti i prozhmon tre dijetarët

7Pra, pasi Zoti ia tha këto fjalë Jobit, i tha Elifaz Temanitit: »Hidhërimi më ka marrë zjarr kundër teje e kundër dy miqve të tu, sepse para meje nuk e keni folur të drejtën si shërbëtori im Jobi.

8Prandaj, merrni për vete shtatë dema e shtatë desh dhe shkoni te shërbëtori im Jobi, kushtoni fli shkrumbimi për vete, kurse Jobi, shërbëtori im, do të lutet për ju, kështu që unë, për dashuri të tij, nuk do t’ju ndëshkoj për marrëzirën tuaj, sepse nuk keni thënë për mua fjalë të drejta si shërbëtori im, Jobi.«

9Shkuan, pra, Elifaz Temaniti, Baldad Suhiti e Sofar Naamatiti dhe bënë ashtu si u kishte urdhëruar Zoti. Zoti pati nderim ndaj Jobit.

Zoti ia kthen të mirat Jobit

10Pasi Jobi u lut për miqtë e vet, Zoti e ktheu në gjendjen e mëparshme, madje ia dha dyfishin e gjithçkajës që kishte pasur.

11Atëherë u kthyen te Jobi të gjithë vëllezërit e tij, të gjitha motrat e tija dhe të gjithë ata që e kishin njohur më parë. Hëngrën me të bukë në shtëpinë e tij, e ankuan dhe e ngushëlluan për të gjitha të këqijat që ia kishte pasë çuar Zoti. Secili i dhuroi nga një pare argjendi e nga një unazë ari.

12Zoti e bekoi gjendjen e tanishme të Jobit më tepër se gjendjen e mëparshme. Kishte katërmbëdhjetë mijë dele, gjashtë mijë gamile, një mijë pendë qe dhe një mijë gomarica.

13Pati edhe shtatë djem e tri vajza.

14Të parën e quajti Pëllumbeshë, të dytën Lulekallame e të tretën Luleqepalle.

15Në mbarë vendin nuk kishte gra më të bukura se bijat e Jobit. Baba i tyre u dha trashëgim si vëllezërve të tyre.

16Pas këtyre ngjarjeve Jobi jetoi njëqind e dyzet vjet dhe i pa bijtë dhe bijtë e bijve të vet deri në të katërtin brez. Atëherë Jobi vdiq plot vjet dhe i kënaqur me jetë të gjatë.