Të gjithë kapitujt

Jobi · Kapitulli 5

Besimi në Hyjin (2)

27 vargje

1Thirr, pra, e shih a të përgjigj kush! Cilit shenjt do t’i drejtohesh?

2Vërtet të marrin e mbyt hidhërimi, marroqin smira e vret.

3Pashë se i marri thellë lëshon rrënjë, e mallkova dhe iu shua shtëpia!

4Bijtë e tij s’do të përparojnë, në kuvend të burrave kush s’i mbron.

5Të uriturit ua hanë të korrat, vetë Hyji ua heq nga goja, pasurinë ua përpijnë të etshmit.

6Pra prej pluhurit s’del fajësia, as prej dheut nuk lindin dhembjet.

7Por njeriu e pjell të keqen, si shqiponja që kap lartësinë.

8Sa për mua Zotit do t’iu lutja, lutjen vet do t’ia drejtoja Hyjit,

9që punë të mëdha e të pashqyrtueshme, mrekulli bën të pakufi,

10që me shi tokës ia lag f’tyrën, që i ujit fshatrat me ujë,

11që në lartësi i ngreh të përvujtit, që i ngrit të mjerët nga fatkeqësia,

12që të paudhëve ua zhduk synimet, hi i bën fitmat e tyre,

13në dredhi të vet dinakët i zë, ua hedh në ajr të mbrapshtëve shestimet.

14Ditën natë ua bën të errët, dielli pishë ata nuk shohin,

15Kurse të mjerin e shpëton, nga shpata e gojës së tyre; skamnorin nga dhunëtari.

16Ai është shpresa e të vobekëtit, mbrapshtia do ta qepë gojën!

17Lum njeriu që e qorton Hyji! Qortimin pranoja të Lumit!

18Plagos po, por dhe shëron, godet po, por edhe shëron!

19Nga gjashtë të këqija do të shpëtojë, kurse e shtata nuk do të prekë!

20Në uri do të të shpëtojë nga vdekja, edhe në luftë nga tehu i shpatës.

21Do të të fshehë nga e keqja e gjuhës e prej cubash s’do të kesh frikë.

22Në shkretim dhe uri do të qeshësh, egërsirat s’do t’i druash.

23Me gurët e arës do të gjejsh marrëveshje, me egërsira do të jesh në paqe.

24Do të jetë në paqe tenda jote kur në banesën tënde të kthehesh, nuk do të ndodhë asnjë e papritur.

25Do të shikosh si fara të shtohet, djemtë e tu si bari i tokës!

26Në varr do të hysh pas jetës fatlume porsi gruri kur mirë piqet.

27Është e vërtetë që s’e lot topi: dëgjo pra, për të mirën tënde!«