Të gjithë kapitujt

Jobi · Kapitulli 6

Njeriu i ndrydhur nga vështirësia njeh vetëm mjerimin e vet

30 vargje

Njeriu i ndrydhur nga vështirësia njeh vetëm mjerimin e vet

1Jobi e mori fjalën e tha:

2»Po të peshohej sëmundja ime, mjerimi im të vihej në peshore!

3Më i rëndë do të ishte se rëra e detit… prandaj me fjalë edhe e teproj.

4Shigjetat e të Gjithpushtetshmit, thellë në mua, në trup më janë ngulur, shpirti im helmin ua thith: tmerri i Hyjit lufton kundër meje.

5A garrit gomari me grazhd plot? Pëllet, thua, lopa me grazhd plot?

6Hahet shujta e amësht, e pakripur e barishtet e pashije?

7Çka oreksi im përbuzte tani është ushqimi im.

8Po, të shkonte në vend kërkesa ime, çfarë kërkoj të ma jepte Hyji!

9Të donte Hyji të më asgjësonte, të shtrinte dorën e të më copëtonte!

10Do të kisha së paku ngushëllimin, do të galdoja në dhimba të mia që Shenjtit mohit s’i rashë!

11Ku e kam forcën që të qëndroj? Ç’e ardhme më pret që i durueshëm të jem?

12Forcë shkëmbore është forca ime? A thua i bronztë është mishi im?

13Në çka vetveten mund të mbështes? Pse a fuqia s’më ka lëshuar?

14T’i mohosh mikut ngushëllimin të Gjithpushtetshmit frikën flake.

15Vëllezërit mua në rrenë më lanë porsi shtratin përroi që shterr:

16Ia fryn akulli ujët e turbullt, shkrihet bora e ai vërshon;

17mbaron bora përroi shterret, nga vapa shtrati i thahet!

18Për shkak të tij lanë turmat rrugën, shkretinë marrin, humbin jetën.

19Turma e Temës në të i ngul sytë, të Sabës udhëtarët në të e vunë shpresën!

20Sharruan sepse shpresuan, mbërrinë tek ai e i mb’loi mjerimi.

21Të tillë për mua edhe ju sot jeni, më patë mjerimin e u kapi frika!

22A thua ju thashë: Më ejani në ndihmë, më jepni lëmoshë prej kamjes suaj?

23Ose: Më shpëtoni prej dorës së armikut, prej dorës së të fortit më nxirrni mua?

24Më mësoni e do të hesht: më tregoni nëse kam gabuar!

25Pse fshiheni nën fjalët të së vërtetës e asnjëri s’mund të më qortoni?

26Fjalë ujdisni vetëm për të mposhtur, i merr era fjalët e të dëshpëruarit.

27Suleni mbi bonjakun e varfër, mikun tuaj mundoheni ta shkatërroni.

28Atëherë ju lutem, kthehuni kah unë, para jush vet rrena s’do të përdor.

29Prapa fjalën! Në mua faj nuk ka! Prapa fjalën: Drejtësia është me mua!

30Në buzët e mia a mos ka marrëzirë? Çdo mjerim, vallë, s’shijoi qellza ime?