Të gjithë kapitujt

Jobi · Kapitulli 8

Rrjedha e papengueshme e drejtësisë së Hyjit

22 vargje

Rrjedha e papengueshme e drejtësisë së Hyjit

1Fjalën mori Baldad Suhiti e tha:

2»Po der’ kur do të flasësh kështu? Si stuhi të buçasin fjalët!

3Vallë thua Hyji shtrembëron të drejtën? Lakon të drejtën i Gjithpushtetshmi?

4Nëse bijtë tu Atij i mëkatuan, Ai i lëshoi në dorë të së keqes së tyre.

5Porse ti nëse në mëngjes herët para Tij i pafajshëm ngritesh e të Gjithpushtetshmit i lyp ndihmë

6e i afrohesh i drejtë e i pastër, menjëherë kah ti do të kthehet, të drejtit shtëpinë do t’ia përtërijë.

7Çka ke pasur asgjë do të duket në krahasim me çka do të kesh.

8Pyet breznitë që qenë më parë, vraje mendjen për sa të thanë të parët.

9Jemi të djeshëm, shumë pak dimë, pse si hije janë ditët tona mbi këtë tokë…

10Do të mësojnë dhe ty do të thonë, nga zemra kështu do të të tregojnë:

11»Papirusi a mos rritet pa lagështi, a thua zunkthi pa ujë rritet?

12Gjelbëron e ende pa u nxjerr, vyshket para çdo bari tjetër.

13Të tillë ka jetën kush harron Hyjin, shpresa e të mbrapshtit mbaron shpejt.

14Pe i hollë është shpresa e tij, uzdaja e tij rrjetë merimange.

15Nëse mbështetet në të ajo shqyhet, nëse kapet në të ajo e lëshon.

16Plot me lëng në diell zhvillohet, shatorr gemat në kopsht i lëshon,

17Nëpër shkëmbinj rrënjët i përshkon, në qetë të gjallë i fortë jeton.

18Por nëse hiqet nga vendi i tij: vendi i thotë:’ Askurrë s’të kam parë!’

19Kaq është kënaqa e fatit të tij: lëshon vend që të rriten të tjerët.

20Të patëmetin nuk e flak Hyji, as të mbrapshtit dorën s’ia ngjet.

21Gazi prapë në buzë do të shpërthejë, në gojën tënde brohoria!

22Kush të urren do ta mb’lojë turpi, shtëpia e të mbrapshtëve s’do të qëndrojë.«