Të gjithë kapitujt

Jobi · Kapitulli 9

Drejtësia hyjnore është mbi të drejtën

35 vargje

Drejtësia hyjnore është mbi të drejtën

1Jobi mori fjalën e tha:

2»Vërtet e di se ashtu është: para Hyjit kush mund të ketë të drejtë?

3Nëse me Të do të bëjë rragatje një në një mijë s’mund t’i përgjigjë!

4Në mend i kthjellët e në fuqi i fortë, e luftoi kush e fitues doli?

5I shkul malet e ato s’e dinë, këndej-andej me furi i sjell!

6Shrregull tokën nga vendi e luan, tranden të gjithë shtyllakët e saj.

7I urdhëron diellit e ai nuk lind, nën vulë të vet yjet i ndryen.

8Pa ndihmë të kujt ai e shtrin qiellin, lirisht ecën mbi valë të detit!

9Ai krijoi Arushë e Orion, Shenjëzat dhe Yjet e Jugut.

10Bën punë të mëdha e të pashqyrtueshme, mrekulli që s’mund të numërohen!

11Vjen tek unë e nuk e shoh, Më bie përbri e s’e hetoj.

12Nëse rrëmben, kush e pengon? Kush t’i thotë: ‘Ç’po bën?’ guxon?

13Hyji dalë s’tërheq zemërimin: struken ndihmësit e Rahabit!

14Kush jam unë që t’i përgjigj e me ç’fjalë t’i kundërshtoj?

15Edhe në të drejtën sikur të isha, s’do të përgjigjja… do ta lutja Gjykatësin tim.

16Po edhe uratën të ma dëgjonte, s’do të besoja se më ka vështruar!

17Me stuhi Ai më thërmon, pa arsye plagët m’i shumëzon.

18Paqe shpirtit Ai s’m’i jep dhe më mbulon me athtësi.

19Në lyp fuqi Ai është më i forti. Në lyp drejtësi - kush në gjyq e thërret?

20Pafajësinë nëse dua të kërkoj, goja ime do të më dënojë. Nëse të pafajshëm veten e qes, më vërteton se jam i keq.

21I patëmetë sikur unë të isha, shpirti im këtë s’do ta dija, gjithnjë jetën do të përbuzja!

22Gjithnjë unë këndej pohoj: e të pafajshmin edhe të mbrapshtin Ai i zhbin…

23Nëse ndoj sh’plakë papritmas vret, për dëshp’rim të pafajshmit qeshet.

24Toka u la në duar të mëkatarëve, gjykatarëve sytë u mbyllën! nëse s’është Ai, kush atëherë është?

25Ditët e mia më shpejt se kasneci ikën, shkuan pa parë asnjë të mirë,

26kaluan si lundra zunkthi, si shqiponja fluturim për gjah.

27Nëse them: ‘Do ta harroj ankimin, në f’tyrë do të kthillem, i gëzueshëm do të bëhem’,

28tmerri më kap nga mendimet e mia, pse e di prapë se s’do të më shfajësosh!

29Nëse edhe kështu fajtor do të jem, pse atëherë më kot unë hoqa keq?

30Po edhe nëse me ujë bore do të lahem, në qoftë se duart i pastroj me fí,

31në papastri edhe më të madhe do të më zhytësh, petku im i qelbët do të më duket!

32Sepse Ai njeri nuk është si unë të cilit më duhet t’i jap gjegje, s’është njeri me të cilin dal në gjyq!

33S’ka një tjetër që të na gjykojë të dyve, mbi të dy ta çojë dorën e vet,

34që prej meje thuprën e vet të heqë, droja e tij më të mos më trembë.

35Por do të flas pa kurrfarë frike, sepse i tillë unë nuk jam në sytë e mi.