Të gjithë kapitujt

Joeli · Kapitulli 1

1. LITURGJI VAJI E LUTJEJE, A. Vajtim mbi rrënimin e vendit, etj.

20 vargje

1Fjala e Zotit që i qe drejtuar Joelit, birit të Fatuelit.

1. LITURGJI VAJI E LUTJEJE

A. Vajtim mbi rrënimin e vendit

2Dëgjojeni, këtë, o pleq, vërjani veshin e kuptoni, të gjithë ju, o banuesit e tokës! Një gjë e tillë a ndodhi në ditët tuaja ose në ditët e etërve tuaj?

3Tregojuni bijve tuaj, e bijtë tuaj bijve të vet e bijtë e tyre breznisë së ardhshme!

4Çka la vemja e hëngri karkaleci, karkaleci ç’la e hëngri krimbaleshi, krimbaleshi ç’la e hëngri bulkthi!

5Zgjohuni, të dehur, e vajtoni, ulëritni të gjithë që pini verë përmbi musht që prej gojës ju hoq!

6Sepse u sul kundër vendit tim një popull i madh që nuk mund të numërohet: dhëmbët e tij porsi të luanit, e dhëmballët si të luaneshës!

7Vreshtin tim e ktheu në shkretëtirë, gemat fiqve ua cungoi, i zhveshi edhe i flaku, u zbardhuan gemat e tij!

8Qaj si vasha e veshur në zi për të fejuarin e rinisë së vet!

9U zhduk kushti edhe njomja nga Shtëpia e Tenzot; në zi u veshën priftërinjtë, shërbëtorët e Tenzot.

10U përmbys anembanë fusha, vajton toka, sepse drithi është dëmtuar, mbaroi mushti, sharroi vaji!

11Vajtoni, o bujq, dënesni, vreshtarë, përmbi grurë e përmbi elb, se mbaruan të korrat!

12U tha hardhia, u vyshk fiku, shega, palma edhe molla, të gjitha pemët e fushës u thanë! U fik gëzimi prej bijve të njerëzve!

B. Grishje për pendesë e për lutje

13Vishuni me grathore e qani, o priftërinj, vajtoni, o shërbëtorë të lterit! Ejani, në grathore flini, shërbëtorët e Hyjit tim, se mbaroi në Shtëpi të Hyjit tuaj flia e kushtit edhe e njomjes.

14Shenjtërohuni me agjërim, shpalleni një mbledhje të shenjtë, bashkoni pleqtë, të gjithë banorët e vendit në Shtëpinë e Hyjit tuaj! Thuajini Zotit:

15“Eheu, ditë e zezë! U afroka Dita e Zotit: si shkatërrim po vjen prej të Gjithëpushtetshmit!

16Ushqimet, vallë, s’u zhdukën para syve tuaj, gëzimi e hareja prej Shtëpisë së Hyjit tuaj?”

17U kalb fara për nën buca, u rrëzuan drithnikët, u rrënuan grunarët, pse u zhduk drithi.

18Pse gjëmojnë kafshët? Pse tërbuar janë loritë e gjedhit? Pse kullotë për to më s’ka! Mbaruan dhe grigjat e deleve!

19Ndihmë, o Zot, te ti bërtas, sepse zjarri i përlau kullotat e shkretëtirës, flaka i dogji të gjitha pemët e fushës!

20Madje edhe të malit egërsirat rënkojnë drejt teje, sepse u shterën burimet, edhe zjarri i përpiu kullotat e shkretëtirës.