Të gjithë kapitujt

Jozuehu · Kapitulli 2

Hetuesit e Jozuehit në Jerik, Hetuesit e Jozuehut në Jerik, etj.

24 vargje

Hetuesit e Jozuehit në Jerik

Hetuesit e Jozuehut në Jerik

1Jozuehu, biri i Nunit, i dërgoi fshehtazi prej Setimit dy hetues dhe u tha: “Shkoni dhe vëreni mirë tokën dhe qytetin Jerik”. Këta shkuan e hynë në shtëpinë e një lavireje që quhej Rahabë dhe aty bujtën.

2E lajmëruan mbretin e Jerikut e thanë: “Ja, arritën mbrëmë disa njerëz prej bijve të Izraelit për të marrë hetime mbi vendin”.

3Atëherë mbreti i Jerikut dërgoi ti thonë Rahabës: “Qiti jashtë njerëzit që erdhën te ti dhe hynë në shtëpinë tënde; sepse janë spiunë dhe erdhën të marrin hetime mbi vendin”.

4Gruaja atëherë mori e i fshehu njerëzit. Atyre iu përgjigj: “Është e vërtetë se erdhën tek unë, por unë nuk dija se nga ishin.

5Kur në mug të natës po mbylleshin dyert e qytetit, njerëzit dolën e nuk di nga ia mbajtën. Ndiqni me nxitim se do ti zini”.

6Por ajo i ngjiti njerëzit lart në tarracën e shtëpisë së vet, i mbuloi me kashtë liri që ishte aty.

7Të dërguarit e mbretit u vunë ti kërkonin udhës që shpie në shtratin e Jordanit. Kur dolën ndjekësit jashtë qytetit dera e qytetit u mbyll.

Besa ndërmjet Rahabës e hetuesve

8Ende pa i zënë gjumi hetuesit, kur ja, u ngjit gruaja tek ata dhe u tha:

9“E di se Zoti jua ka dorëzuar vendin, sepse frika juaj na ka hyrë të gjithë banorëve në eshtra dhe të gjithë banorët e këtij vendi i ka lëshuar zemra prej frikës suaj.

10Sepse kemi dëgjuar që Zoti e ka tharë Detin e Kuq posa keni hyrë brenda, kur patët dalë prej Egjiptit. Dëgjuam edhe çfarë u bëtë dy mbretërve të amorrenjve që ishin përtej Jordanit: Sehonit e Ogut, të cilët i vratë.

11Kur i dëgjuam të gjitha këto, u trembëm për së tepërmi, na lëshoi zemra dhe askush s’guxon as të marrë frymë para jush, sepse Zoti, Hyji juaj, është Hyj atje lart në qiell dhe këtu poshtë në tokë.

12Tani, pra, mu betoni për Zotin se edhe ju do të dëftoni dhimbje për shtëpinë e atit tim, siç u dëftova edhe vetë e mëshirshme me ju dhe ma jepni besën e fortë

13se do të mi lini gjallë babain, nënën, vëllezërit e motrat e të gjithë të tyret dhe se do të na e shpëtoni jetën prej vdekjes”.

14Ata iu përgjigjën: “Peng le të jetë jeta jonë për ju, vetëm mos na tradhto. Kur të na e dorëzojë Zoti vendin, do të dëftojmë dhembje për ty e do ta mbajmë besën”.

15Ajo atëherë me anë të litarit i lëshoi për dritareje. Shtëpia e saj ishte ngjitur për muri dhe jetonte kapur për murin rrethues.

16Ajo edhe u tha: “Mësyni malet që të mos ndesheni në ndjekës, dhe atje fshihuni për tri ditë derisa ata të kthehen në qytet. Ju atëherë ndiqni rrugën tuaj”.

17Hetuesit i thanë: “Ne do të jemi të lirë prej këtij përbetimi që kërkove ta bëjmë, nëse nuk do të plotësohet ky kusht:

18nëse, kur të hyjmë ne në vend, shenjë do të jetë ky litar ngjyrë gjaku: lidhe në dritaren nëpër të cilën na lëshove dhe babë, nënë, vëllezër e mbarë farefisin tënd bashkoji në Shtëpinë tënde.

19Kush të dalë jashtë derës sate, gjaku i tij le të bjerë mbi kokë të tij, ne do të jemi të pafajshëm, kurse gjaku i secilit që të jetë me ty në shtëpi, nëse i prek kush, le të bjerë mbi kokën tonë.

20Por nëse ti do të zbulosh punën tonë, ne do të jemi të lirë nga kjo besë që kërkove prej nesh”.

21Ajo iu përgjigj: “Na qoftë sikurse thatë”! Atëherë i la të shkojnë dhe e vari litarin e kuq në dritare.

Kthimi i hetuesve

22Ata çanë e shkuan në malësi dhe qëndruan atje tri ditë, derisa të ktheheshin ata që u kishin vënë ndjekjen. Ata i kërkuan udhës gjithkund, por nuk i gjetën.

23Këta të dy u kthyen: zbritën prej maleve dhe, si e kaluan Jordanin, arritën te Jozuehu, biri i Nunit, dhe i treguan gjithçka u kishte ndodhur.

24Pastaj shtuan: “Mbarë tokën na e lëshoi Zoti në dorë; mbarë banorët e atij vendi i ka pushtuar frika jonë”.