Të gjithë kapitujt

Jozuehu · Kapitulli 3

2. KALIMI I JORDANIT, Parapërgatitjet për kalim, etj.

17 vargje

2. KALIMI I JORDANIT

Parapërgatitjet për kalim

1Jozuehu u ngrit herët në mëngjes dhe e lëshoi tëbanishten. E lëshuan Setimin e arritën tek Jordani, ai e të gjithë bijtë e Izraelit. Zunë vend aty para se të kalojnë.

2Si kaluan tri ditë, krerët ranë përmes tëbanishtes

3e i urdhëruan popullit: “Kur ta shihni Arkën e Besëlidhjes së Zotit, Hyjit tuaj, dhe priftërinjtë levitë duke e mbartur, ngrihuni edhe ju dhe shkoni pas saj

4-ndërmjet saj dhe jush le të jetë një largësi afërsisht rreth dy mijë kute dhe ruaj se i afroheni - që të dini cilës rrugë u duhet të shkoni, sepse asaj rruge nuk keni kaluar askurrë”.

5Edhe Jozuehu i tha popullit: “Shenjtërohuni, sepse nesër Zoti do të bëjë në mesin tuaj mrekulli”.

6Kurse priftërinjve u tha: “Merreni Arkën e Besëlidhjes e prini popullit”! Ata e morën Arkën dhe u nisën para popullit.

Udhëzimet e fundit

7Zoti i tha Jozuehut: “Sot po filloj të të lartësoj para syve të mbarë Izraelit që ta dinë se, siç isha me Moisiun, ashtu jam edhe me ty.

8Ti urdhëroju priftërinjve që mbartin Arkën e Besëlidhjes dhe thuaju: Kur të arrini në buzë të ujit të Jordanit, zini vend në Jordan”.

9Atëherë Jozuehu u tha izraelitëve: “Afrohuni këtu e dëgjojini fjalët e Zotit, Hyjit tuaj”.

10Pastaj vazhdoi: “Me këtë do ta dini se Hyji i gjallë është në mesin tuaj, se do ta shpërndajë para syve tuaj Kananeun, Heteun, Heveun, Ferezeun, Gergezeun e me të edhe Amorreun dhe Jebuzeun!

11Ja, Arka e Zotëruesit të mbarë tokës, do t’ju prijë përmes Jordanit.

12Bëni gati dymbëdhjetë burra prej fiseve të Izraelit, nga një prej secilit fis.

13Kur ti shtien në ujë këmbët e veta priftërinjtë që mbartin Arkën e Zotit, Hyjit të mbarë dheut, në ujin e Jordanit, ujërat që janë më poshtë do të rrjedhin, kurse ujërat që rrjedhin prej lart, do të ndalen si pritë”.

Kalimi i lumit

14U nis, pra, populli prej çadrave të veta për të kaluar Jordanin e priftërinjtë që e mbartnin Arkën e Besëlidhjes, ecnin para tij.

15Arritën deri te Jordani dhe, posa i lagën këmbët në ujin e buzës së tij - ishte koha e të korrave kur Jordani prej ujit të madh gati i vërshon brigjet e veta -

16u ndalën ujërat që rridhnin prej së larti e që larg u bënë si pritë, që prej qytetit të Adamit që është afër Sartanit, kurse ato të poshtmet rrodhën në Detin e Arabës, që është Deti i Vdekur, derisa shteruan krejtësisht.

17Populli vazhdonte drejt Jerikut, kurse priftërinjtë që e mbartnin Arkën e Besëlidhjes së Zotit, qëndronin në këmbë mbi truallin e terur në mes të Jordanit, përderisa nuk e kaloi mbarë Izraeli Jordanin nëpër shtrat të thatë të lumit.