Të gjithë kapitujt

Jozuehu · Kapitulli 4

Dymbëdhjetë gurët përkujtues, Përfundimi i kalimit, etj.

25 vargje

Dymbëdhjetë gurët përkujtues

1Pasi e kaluan Jordanin, Zoti i tha Jozuehut:

2“Merrini dymbëdhjetë burra, nga një për çdo fis

3dhe urdhërojuni: Merrini prej këtu, prej mesit të Jordanit, prej vendit ku qëndruan ngulur këmbët e priftërinjve, dymbëdhjetë gurë. Merrini me vete dhe vini në vendin e fushimit ku do ti ngulni sonte tendat”.

4Atëherë Jozuehu i thirri dymbëdhjetë burrat, që i kishte zgjedhur prej bijve të Izraelit nga një për çdo fis,

5dhe u tha: “Shkoni para Arkës së Zotit, Hyjit tuaj, në mes të Jordanit dhe merrni secili në krah nga një gur, sipas numrit të fiseve të Izraelit

6që të jenë shenjë ndër ju. Kur t’ju pyesin nesër fëmijët tuaj e t’ju thonë: “Çka ju përkujtojnë këta gurë?,

7përgjigjuni: U shterr uji i Jordanit para Arkës së Zotit kur e kaloi atë. Prandaj u vunë këta gurë si përmendore e përjetshme për bijtë e Izraelit”.

8Bijtë e Izraelit bënë siç u urdhëroi Jozuehu: i morën prej mesit të shtratit të Jordanit dymbëdhjetë gurë, siç i kishte urdhëruar Zoti, sipas numrit të fiseve të Izraelit, i çuan deri në vendin ku bënë fushimin, dhe i vendosën aty.

9Pastaj Jozuehu vendosi edhe dymbëdhjetë gurë të tjerë në mes të shtratit të Jordanit, ku qëndruan priftërinjtë që mbartën Arkën e Besëlidhjes. Aty ndodhen deri në ditën e sotme.

Përfundimi i kalimit

10Priftërinjtë që e mbartnin Arkën e Besëlidhjes, qëndronin në këmbë në mes të Jordanit derisa të zbatohej gjithçka i kishte urdhëruar Zoti Jozuehut ti thoshte popullit, krejtësisht ashtu siç i kishte thënë Moisiu Jozuehut. Populli shpejtoi e kaloi.

11Kur kaluan të gjithë, kaloi edhe Arka e Zotit. Priftërinjtë ecnin në krye të popullit.

12Po edhe bijtë e Rubenit, të Gadit e të gjysmës së fisit të Manaseut, të armatosur, ecnin para izraelitëve, siç u kishte urdhëruar Moisiu.

13Rreth dyzet mijë luftëtarë të gatshëm për luftë kaluan në praninë e Zotit në drejtim të fushave të Jerikut.

14Në këtë ditë Zoti e madhëroi Jozuehun në sy të izraelitëve, që ta nderonin atë ashtu si e nderuan Moisiun gjatë gjithë jetës së tyre.

15E Zoti i tha:

16“Urdhëroju priftërinjve që e mbartin Arkën e Dëshmisë, të dalin nga Jordani”.

17E Jozuehu u urdhëroi: “Dilni prej Jordanit”!

18Dhe, posa priftërinjtë, që mbartnin Arkën e Besëlidhjes së Zotit, dolën nga Jordani, dhe posa zunë të shkelin me këmbë tokën e terur, ujërat u kthyen në shtratin e vet të lumit dhe rrodhën si më parë përmbi brigjet e tija.

Arritja në Galgalë

19Populli doli prej Jordanit ditën e dhjetë të muajit të parë dhe e nguli tëbanishten në Galgalë, në krahun e lindjes të Jerikut.

20Po edhe dymbëdhjetë gurët që i morën prej shtratit të Jordanit, Jozuehu i vendosi në Galgalë.

21Atëherë u tha izraelitëve: “Kur ti pyesin nesër bijtë tuaj etërit e vet e tu thonë: Çdo të thonë këta gurë?,

22mësoni e thoniu: Izraeli e ka kaluar këtu Jordanin terikut,

23sepse Zoti, Hyji juaj, i thau ujërat e tij para jush derisa e kaluat,

24siç pati bërë më parë në Detin e Kuq, që e thau para nesh derisa e kaluam.

25Bëri kështu që ta njohin popujt e mbarë tokës dorën e fuqishme të Zotit dhe që ju ta druani në çdo kohë Zotin, Hyjin tuaj”.