Të gjithë kapitujt

Jozuehu · Kapitulli 5

Tmerri i popujve në perëndim të Jordanit, Rrethprerja e izraelitëve në Galgalë, etj.

16 vargje

Tmerri i popujve në perëndim të Jordanit

1Kur morën vesh të gjithë mbretërit e amorrenjve, që jetonin përtej Jordanit, në anën e perëndimit, dhe mbarë mbretërit e Kanaanit, që zotëronin vendet e afërta të Detit të Madh, se Zoti e kishte tharë ujin e Jordanit para izraelitëve derisa ta kalonin, i lëshoi krejtësisht zemra dhe mbetën pa frymë nga frika e izraelitëve.

Rrethprerja e izraelitëve në Galgalë

2Aso kohe Zoti i tha Jozuehut: “Puno thika stralli dhe rrethprej përsëri herën e dytë bijtë e Izraelit!”

3Jozuehu bëri si i urdhëroi Zoti dhe, në malin e Zhangave, i rrethpreu bijtë e Izraelit.

4Ja arsyeja e rrethprerjes së dytë: i gjithë populli që kishte dalë prej Egjiptit, sa qenë meshkuj, të gjithë burrat luftëtarë, vdiqën gjatë udhëtimit në shkretëtirë.

5Të gjithë kishin qenë të rrethprerë. Kurse populli që kishte lindur në shkretëtirë, ishte i parrethprerë.

6Për dyzet vjet bijtë e Izraelit udhëtonin derisa u zhdukën të gjithë burrat luftëtarë, që nuk e kishin dëgjuar zërin e Zotit dhe të cilëve u përbetua se nuk do tua dëftonte tokën për të cilën u ishte betuar etërve të tyre se do tua jepte tokën që rrjedh qumësht e mjaltë.

7Në vendin e tyre erdhën bijtë e tyre dhe këta i rrethpreu Jozuehu, sepse ishin siç kishin lindur, të parrethprerë, pasi askush nuk i kishte rrethprerë gjatë udhëtimit.

8Pasi qenë rrethprerë të gjithë, u ndalën në tëbanishtë derisa të shëroheshin.

9Atëherë Zoti i tha Jozuehut: “Sot jua hoqa çnderimin e Egjiptit”. Ai vend u quajt deri në ditën e sotme: Galgalë.

Kremtimi i Pashkëve

10Bijtë e Izraelit zunë vend në Galgalë, në rrafshin e Jerikut dhe të katërmbëdhjetën ditë të muajit në mbrëmje i kremtuan Pashkët.

11Prej së nesërmes filluan të ushqehen me prodhimet e atij vendi, me bukë të pabrumë e përvëlak kokrrash elbi të përzhitur po atë ditë.

12Të nesërmën, pasi hëngrën prej prodhimeve të vendit, edhe mana pushoi të bjerë. Bijtë e Izraelit nuk e përdorën më atë ushqim, por atë vit u ushqyen me prodhimet e tokës së Kanaanit.

3. PUSHTIMI I JERIKUT

Zbulesë hyjnore

13Kur ishte Jozuehu në rrethinën e Jerikut, ngriti sytë dhe pa një njeri që po i qëndronte përballë me shpatë të nxjerrë prej millit në dorë. Jezuehu iu afrua dhe e pyeti: “A je yni apo i kundërshtarëve?”.

14Ai iu përgjigj: “Jo, unë jam Prijësi i ushtrisë së Zotit dhe arrita tani... ”.

15Jozuehu ra me fytyrë përdhe, e adhuroi dhe tha: “Çfarë i urdhëron Imzoti shërbëtorit të vet”?

16Prijësi i ushtrisë së Zotit i tha Jozuehut: “Hiqi sandalet prej këmbëve të tua; sepse vendi në të cilin qëndron, është i shenjtë”. Jozuehu bëri siç i qe urdhëruar.