Të gjithë kapitujt

Jozuehu · Kapitulli 8

4. PUSHTIMI I HAJIT, Urdhri dhënë Jozuehut, etj.

35 vargje

4. PUSHTIMI I HAJIT

Urdhri dhënë Jozuehut

1Atëherë Zoti i tha Jozuehut: “Mos u tremb e mos e birr guximin! Merre me vete mbarë ushtrinë e luftëtarëve! Ngrihu e shko kundër Hajit! Ja, e lëshova në dorën tënde mbretin e tij, popullin, qytetin e tokën e tij!

2bëj me qytetin e Hajit dhe me mbretin e tij, siç bëre me Jerikun dhe me mbretin e tij. Porse prenë e të gjitha kafshët merrni për vete. Vër pusi prapa qytetit”!

Manovrimi i Jozuehut

3Jozuehu dhe të gjithë të aftit për luftë u bënë gati për ta sulmuar Hajin. Jozuehu zgjodhi tridhjetë mijë burra të fortë dhe i dërgoi natën

4me këtë urdhër: “Zini pusinë prapa qytetit, por jo fort larg tij, dhe rrini gati të gjithë.

5Kurse unë dhe mbarë populli tjetër me mua do ti afrohemi qytetit përballë. Kur të dalin ata kundër nesh, si herën tjetër, do tua kthejmë shpinën e do të vihemi në ikje,

6derisa, duke na ndjekur, të largohen prej qytetit: do të mendojnë se ne po ikim si herën e parë.

7Kështu, ndërsa ne të ikim e ata të na ndjekin, ju dilni prej pusisë dhe pushtojeni qytetin: Zoti, Hyji juaj, do t’jua lëshojë në dorë.

8Kur ta keni pushtuar, digjeni: veproni sipas urdhrit të Zotit! Ky është urdhri im”!

9I lëshoi dhe ata shkuan në vendin e pusisë e zunë vend ndërmjet Betelit e Hajit, në krah të perëndimit të qytetit Haj. Jozuehu atë natë e kaloi mes popullit.

10Të nesërmen u ngrit herët në mëngjes, e numëroi popullin dhe bashkë me krerët u nis në krye të ushtrisë.

11Me të u ngjitën të gjithë luftëtarët. Kur iu afruan qytetit, zunë vend në krahun e veriut të qytetit. Ndërmjet kishin një rrafshinë.

12Jozuehu zgjodhi rreth pesë mijë burra dhe i vendosi në pusi ndërmjet Betelit e Hajit, në anën e perëndimit të qytetit të Hajit.

13Populli nguli fushimin në anën e veriut të qytetit dhe prapavija e fundit ishte në anën e perëndimit të tij. Jozuehu atë natë e kaloi në mes të fushës.

Beteja e Hajit

14Kur e pa këtë mbreti i Hajit, në mëngjes herët nxitoi e doli prej qytetit me tërë ushtrinë e qytetit e i drejtoi aradhet në drejtim të Arabës dhe nuk dinte se pas shpine e kishte pusinë.

15Kurse Jozuehu e mbarë Izraeli e lëshuan vendin dhe, duke u shtirur se po trembeshin, morën ikjen udhës që shpie në shkretëtirë.

16U bashkua mbarë populli që ishte në qytet për ti ndjekur, dhe u vu për ti ndjekur. Kur u larguan prej qytetit

17e, pasi nuk mbeti asnjë në qytet, në Haj, që nuk iu vu pas Izraelit, dhe, si e lanë qytetin me dyer të hapura,

18Zoti i tha Jozuehut: “Ngrije heshtën që ke në dorë, kundër qytetit të Hajit, sepse ta lëshova në dorë”!

19Kur ngriti Jozuehu heshtën në drejtim të qytetit, pritat që ishin në pusi u ngritën dhe menjëherë vrapuan edhe e pushtuan qytetin e, pa vonuar, i dhanë zjarrin.

20Njerëzit e qytetit që po ndiqnin Jozuehun, kur u kthyen panë se tymi i qytetit po ngrihej deri në qiell. Atëherë sditën nga t’ia mbanin, sidomos atëherë kur ata që kishin bërë sikur po zmbrapsen prej frikës e po merrnin në drejtim të shkretëtirës, u kthyen kundër ndjekësve.

21Kur Jozuehu e mbarë Izraeli panë se ishte marrë qyteti dhe po ngrihej tymi i tij, u kthyen dhe i sulmuan njerëzit e Hajit.

22Po ashtu edhe ata që kishin pushtuar dhe ndezur qytetin, dolën prej qytetit kundër tyre në sulm dhe kështu armiqtë i shtinë në mes. E kështu të rrethuar nga të dy anët, i vranë të gjithë dhe sshpëtoi asnjë as duke ikur prej tërë asaj shumice.

23Mbretin e qytetit të Hajit e zunë gjallë dhe ia sollën Jozuehut.

24Kështu, pra, pasi u vranë të gjithë banorët e Hajit, që e kishin ndjekur Izraelin që po ikte në drejtim të shkretëtirës, dhe pasi aty i prenë me shpatë, atëherë bijtë e Izraelit u kthyen në qytet dhe me tehun e shpatës i prenë të gjithë ata që ndodheshin në qytet.

25Të vrarët e asaj dite, burra e gra, ishin dymbëdhjetë mijë njerëz - të gjithë prej qytetit të Hajit.

Shfarosja dhe rrënimi

26Jozuehu nuk e uli dorën, të cilën e pat ngritur duke shtrënguar heshtën, derisa u vranë të gjithë banorët e Hajit.

27Vetëm bagëtitë dhe prenë e këtij qyteti bijtë e Izraelit i ndanë ndër vete sikurse Zoti i kishte dhënë urdhër Jozuehut.

28Atëherë Jozuehu e dogji qytetin dhe e bëri rrënojë të përhershme, vend të shkretëruar deri në ditën e sotme.

29Mbretin e Hajit e vari në një lis deri në mbrëmje. Në perëndim të diellit, Jozuehu dha urdhër të zbritet kufoma e tij prej lisit. Kufomën ia hodhën në hyrje të derës së qytetit, mbi të qitën një grumbull të madh gurësh, që është edhe sot e kësaj dite.

5. FLIA DHE LEXIMI I LIGJIT MBI MALIN HEBAL

Lteri me gurë të palatuar

30Me këtë rast Jozuehu për nder të Zotit, Hyjit të Izraelit, ndërtoi një lter mbi malin Hebal,

31ashtu si u kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit, bijve të Izraelit dhe sikur është shkruar në Librin e Ligjit të Moisiut: lter prej gurësh të palatuar, të paprekur me hekur. Mbi të i kushtuan Zotit fli shkrumbimi dhe therore paqeje.

Leximi i Ligjit

32Aty Jozuehu shkroi mbi gurë një dysheritje të Ligjit të Moisiut, që ai e kishte pasë shkruar në praninë e bijve të Izraelit.

33Mbarë populli, të parët e tyre, udhëheqës e gjykatës, të ardhur e vendës, qëndruan në këmbë në të dy anët e Arkës në praninë e priftërinjve levitë, që e mbartnin Arkën e Besëlidhjes së Zotit: njëra gjysmë përballë malit Garizim, e tjetra përballë malit Hebal, siç kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit, për ta bekuar së pari popullin e Izraelit.

34Atëherë Jozuehu i lexoi të gjitha fjalët e Ligjit - bekimin e mallkimin - krejt ashtu siç ishin të shkruara në librin e Ligjit.

35Jozuehu s’la pa lexuar asnjë prej fjalëve që kishte urdhëruar Moisiu, por i lexoi të gjitha në kuvendin e dheut të mbarë Izraelit, ku ishin gratë e fëmijët e të ardhurit që banonin ndër ta.