Të gjithë kapitujt

Levitiku · Kapitulli 11

III. RREGULLAT LIDHUR ME PASTRINË E PAPASTRINË RITUALE, Kafshët e pastra e të papastra:, etj.

47 vargje

III. RREGULLAT LIDHUR ME PASTRINË E PAPASTRINË RITUALE

Kafshët e pastra e të papastra:

A. Kafshët tokësore

1Zoti foli me Moisiun e me Aronin e tha:

2»Tregonu bijve të Izraelit: Këto janë kafshët që mund t’i hani prej të gjitha kafshëve të tokës:

3Hani çdo kafshë që ka thundrën plotësisht të ndarë dhe që ripërtypet.

4Por, mos i hani këto prej atyre që ripërtypen ose e kanë thundrën e ndarë: gamilen - se edhe pse ripërtypet, nuk e ka thundrën e ndarë: çmoje ndër të papastra.

5Hiraci, i cili ripërtypet, por nuk e ka thundrën e ndarë: është i papastër.

6Po ashtu edhe lepuri, njëmend edhe ky ripërtypet, por nuk e ka thundrën e ndarë.

7Thiu, i cili edhe pse e ka thundrën plotësisht të ndarë, nuk ripërtypet.

8Mishin e këtyre kafshëve mos e hani dhe mos e prekni ngordhësirën e tyre - sepse këto janë për ju të papastra.«

B. Kafshët ujore

9»Këto janë kafshët që lejnë në ujë e mund të hahen: secilën që ka fletë e luspat qoftë në det e në lumenj e përrenj: mund ta hani:

10Kurse çdo gjë e gjallë që nuk ka fletë e luspa, qoftë ajo zvarranik ose çfarëdo lloji kafshe tjetër që lëviz në ujë, le të jetë për ju e urryeshme

11dhe le të mbetet e përbuzshme: mos e hani mishin e tyre as mos i prekni ngordhësirat e tyre.

12Të gjitha kafshët që nuk kanë fletë e luspa, mbani për të papastra për ju.« C. Shpendët

13»Këta janë shpendët që nuk guxoni t’i hani e duhet t’i mbani për të papastër: shqiponja, shqiponja kufomëngrënëse, shqiponja e detit,

14skifteri dhe çdo lloj sokoli,

15çdo lloj korbi,

16struci, kukuvajke, gjelaroje, gjeraçine e të gjitha llojeve;

17huti, zhytrra, ibisi,

18mjellma, pelikani, shqiponja qafë shogët,

19lejleku, çdo lloj çapke, pupci dhe lakuriqi.«

Ç. Kafshë të tjera me krahë

20»Të gjitha kandrrat me krahë, që ecin në katër këmbë, mbani për të papastra.

21Prej të gjitha këtyre kandrrave që ecin në katër këmbë, por kanë këmbët e sprasme më të gjata e me pulpa, me anë të të cilave kërcejnë përmbi tokë,

22mund t’i hani. Të tilla janë: të gjitha llojet e karkalecave, gjinkallave dhe bulkthi;

23kurse të gjitha llojet e kandrrave të tjera me krahë, e që ecin me katër këmbë, mbani për të papastra.

24Kushdo i prek ngordhësirat e tyre, do të bëhet i papastër e do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

25E kujtdo t’i duhet t’i mbarë ngordhësirat e cilëvedo prej tyre, le t’i lajë petkat e le të jetë i papastër deri në të perënduar të diellit.

26Mbajeni për të papastër çdo kafshë që e ka thundrën të pandarë e nuk ripërtypet, e kush ta prekë, do të bëhet i papastër.

27Çdo kafshë që ecën mbi putra të këmbëve, prej të gjitha kafshëve katërkëmbshe, mbajeni për të papastër; kush t’i prekë ngordhësirat e tyre, do të bëhet i papastër deri në mbrëmje.

28Po edhe ai që t’i mbarë ngordhësirat e tyre, le t’i lajë petkat e le të jetë i papastër deri në mbrëmje; sepse për ju të gjitha këto janë të papastra.«

Kafshë të vogla tokësore

29»Prej kafshëve që hiqen zvarrë përmbi tokë, këto le të jenë të papastra për ju: bukla, miu e hardhuca e të gjitha llojeve të tyre,

30hardhuca e murit, breshka, picrraga, urithi e kamaleoni:

31të gjitha këto janë të papastra.«

Rregullore të tjera lidhur me prekje të papastra

»Kush t’i prekë ngordhësirat e tyre do të jetë i papastër deri në mbrëmje;

32e mbi çdo gjë të bjerë cilado prej ngordhësirave të tyre, le të jetë e papastër: çdo vegël e drunjtë, çdo petk, lëkurë, thes: çfarëdo sendi të jetë: le të kalohen nëpër ujë e do të pastrohen deri në mbrëmje e veç atëherë do të bëhen të pastra.

33Po ra ndonjë send prej tyre brenda në ndonjë enë dheu, thejeni: është e papastër.

34Çdo ushqim që hani nëse i bie ndonjë pikë ujë prej aso ene, do të jetë i papastër dhe çdo lëng që pihet nga ena e tillë, do të jetë i papastër.

35Po edhe në çkado që të bjerë prej ngordhësirave të këtyre, ai send le të mbahet i papastër: qoftë ajo furrë ose vatër, le të rrënohet: janë të ndyta dhe le të mbeten për ju të papastra.

36Kurse burimet dhe saranxhat si dhe grumbullimet e ujërave, le të jenë të pastra. Por kush ta prekë ngordhësirën e kafshës, le të jetë i papastër.

37Nëse bie gjë prej ngordhësirës së tyre mbi farërat e drithërave, nuk do të mbahen të papastra.

38Por nëse ndokush e lag farën me ujë e atëherë bie ndonjë send prej ngordhësirës së këtyre, le të jetë për ju e papastër.

39Nëse cof ndonjë kafshë që guxoni ta hani, ai që do ta prekë ngordhësirën e saj, do të jetë i papastër deri në mbrëmje;

40kush të hajë ndonjë send prej saj, ose e mbart ngordhësirën e saj, le t’i lajë petkat e veta dhe le të jetë i papastër deri në mbrëmje.«

Vështrime doktrinale

41»Çdo kafshë që hiqet zvarrë përmbi tokë, është e papastër dhe të mos merret për ushqim.

42Asnjë kafshë që hiqet zvarrë përmbi bark ose që ecën mbi katër ose më shumë këmbë - që është zvarranik, mos e hani se është e papastër.

43Mos i fëlliqni shpirtrat tuaj, dhe mos prekni asgjë prej tyre, që të mos fëlliqeni!

44Unë jam Zoti, Hyji juaj! Shenjtërohuni që të jeni të shenjtë, sepse edhe unë jam i shenjtë. Mos i përdhosni shpirtrat tuaj me kurrfarë zvarraniku që hiqet barkas përmbi tokë.

45Unë jam Zoti që ju kam nxjerrë nga dheu i Egjiptit që të jem Hyji juaj: jini të shenjtë, sepse edhe vetë jam i shenjtë.«

Përfundim

46Ky është ligj që ka të bëjë me frymorët, me shpendët e me çdo gjallesë që jeton në ujë ose hiqet zvarr mbi tokë,

47që ta dini dallimin ndërmjet të pastrës e të papastrës, që të dini cilën mund ta hani e cilën të mos e hani.