Të gjithë kapitujt

Levitiku · Kapitulli 12

Pastrimi i gruas pas lindjes

8 vargje

Pastrimi i gruas pas lindjes

1Zoti foli me Moisiun e i tha:

2»Fol me bijtë e Izraelit e thuaju: Kur gruaja shtatzënë lind djalë, është shtatë ditë e papastër, siç është e papastër në kohën e larjes së saj mujore.

3Djali le të rrethpritet të tetën ditë;

4kurse ajo të presë edhe tridhjetë e tri ditë për të pastruar gjakun e vet. Të mos prekë asgjë të shuguruar as të mos hyjë në shenjtërore derisa të kryhen ditët e pastrimit të saj.

5Por, nëse lind vajzë, le të jetë dy javë e papastër, siç është e papastër në kohën e larjes së saj mujore, dhe le të presë edhe gjashtëdhjetë e gjashtë ditë për të pastruar gjakun e vet.

6Kur të kryhen ditët e pastrimit të saj për djalë ose për vajzë, le ta sjellë, te dera e Tendës së takimit, një qengj vjetak për fli shkrumbimi dhe një pëllumb ose turtull për fli të mëkatimit e t’ia japë priftit.

7Prifti le t’i kushtojë para Zotit e, kur të ketë bërë mbi të ritin e zgjidhjes, do të jetë pastruar prej derdhjes së gjakut: kjo është rregullore përkitazi me gruan që lind djalë apo vajzë.

8Por, nëse nuk ka mjete të kushtojë një qengj, le të marrë dy turtuj ose dy zogj pëllumbash, njërin për fli të shkrumbimit e tjetrin për fli të mëkatimit; prifti le të kryejë mbi të ritin e zgjidhjes dhe ajo do të pastrohet.«