Të gjithë kapitujt

Levitiku · Kapitulli 14

Pastrimi i gërbulanit, Gërbula e shtëpive

57 vargje

Pastrimi i gërbulanit

1Zoti foli me Moisiun e tha:

2»Ky është riti që duhet të përdorohet për pastrimin e të gërbulurit. Le të sillet te prifti.

3Prifti le të dalë prej tëbanishtës e, pasi të ketë vërtetuar se gërbula është shëruar,

4le të urdhërojë që të merren, për atë që duhet të pastrohet, dy shpendë të pastër të gjallë, dru cedri, pëlhurë të kuqe dhe hisop.

5Atëherë prifti le të urdhërojë të pritet njëri shpend në enë dheu përmbi ujëra të gjalla.

6Shpendin tjetër të gjallë bashkë me dru cedri, me pëlhurë të kuqe e me hisop le ta ngjyjë në gjakun e shpendit të flijuar përmbi ujërat e gjalla.

7Atë që duhet të pastrohet le ta stërpikë shtatë herë me gjak për t’u pastruar si duhet. Atëherë le ta lëshojë shpendin e gjallë të fluturojë i lirë në fushë.

8Pasi njeriu t’i ketë larë petkat e veta, le t’i rruajë të gjitha qimet në trupin e vet e le të lahet me ujë. Kështu njeriu pasi të jetë pastruar dhe le të hyjë në tëbanishtë, por të mos hyjë në tendën e vet për shtatë ditë.

9Të shtatën ditë le t’i rruajë të gjitha qimet e kresë, mjekrrën, vetullat dhe të gjitha qimet e trupit të vet, le t’i lajë petkat e veta dhe krejt trupin e vet me ujë, dhe do të jetë i pastër.

10Të tetën ditë le të marrë dy qengja të patëmetë, një qengje vjetake të patëmetë, tri të dhjetat e efit majë mielli të përgatitur me vaj për flinë kushtimore bimore dhe një log vaj.

11Prifti që mbarështon pastrimin e paraqet para Zotit te dera e Tendës së takimit me të gjitha këto.

12Prifti merr njërin qengj dhe e paraqet atë fli shpërblimi bashkë me logun e vajit, - ai i kushton të gjitha me ritin e paraqitjes përpara Zotit.

13Atëherë le ta presë qengjin aty ku pritet flia e mëkatimit dhe flia e shkrumbimit, d.m.th. në vendin e shuguruar, sepse si flia e shpërblimit ashtu flia e mëkatimit i përket priftit: është shumë e shenjtë.

14Prifti merr ca prej gjakut të flisë së shpërblimit, i vë atij që do të pastrohet në bulën e veshit të djathtë dhe mbi pëlqyerin e dorës e të këmbës së tij të djathtë;

15atëherë prifti merr ca prej logut të vajit e qet pak në shuplakën e dorës së vet të majtë;

16atëherë prifti e ngjyen gishtin e djathtë në vaj që ka në dorën e majtë dhe me të stërpik shtatë herë para Zotit.

17Prej vajit që i mbetet në shuplakën e dorës së majtë prifti le t’i lyejë në vend ku e ka pasë lyer me gjakun e flisë së shpërblimit, bulën e veshit të djathtë atij që pastrohet dhe pëlqyerin e dorës e të këmbës së djathtë të tij,

18e tepricën e zbraz mbi krye të atij që pastrohet, - dhe para Zotit e kryen ritin e zgjidhjes së tij.

19Tash prifti kryen flinë e mëkatimit; - dhe kryen ritin e zgjidhjes së atij që pastrohet. - Tashti le të therë edhe flinë e shkrumbimit;

20flinë e shkrumbimit e vë përmbi lter bashkë me flinë kushtimore bimore, - dhe kryen ritin e zgjidhjes për të. Kështu njeriu është rregullisht i pastruar.

21Por, në qoftë se është skamnor e nuk është në gjendje t’i fitojë ato qi i duhen, le të marrë vetëm një qengj për flinë e shpërblimit me ritin e paraqitjes që prifti ta kryejë për të ritin e zgjidhjes si dhe të dhjetën pjesë të efit endës të përgatitur me vaj si fli kushtimore bimore edhe një log vaj,

22dy turtuj ose dy zogj pëllumbash, të cilët t’i ketë përdoresh, njërin fli të shkrumbimit e tjetrin fli të mëkatimit.

23Të tetën ditë pasi të pastrohet le t’ia sjellë këto priftit te dera e Tendës së takimit në praninë e Zotit.

24Prifti le ta marrë qengjin për shpërblim bashkë me logun e vajit dhe le t’i kushtojë me ritin e paraqitjes para Zotit;

25e pasi ta ketë prerë qengjin fli të shpërblimit, të marrë ca prej gjakut të tij dhe le t’i vërë në bulën e veshit të djathtë të atij që pastrohet edhe mbi pëlqyer të dorës e të këmbës së tij të djathtë.

26Atëherë prifti le të qesë një pjesë të vajit në shuplakën e dorës së vet të majtë.

27Në atë vaj le ta ngjyejë gishtin e dorës së djathtë, le të stërpikë shtatë herë në praninë e Zotit;

28mandej le t’ia prekë me vaj bulën e veshit të djathtë atij që pastrohet si dhe pëlqyerët e dorës dhe të këmbës së djathtë, mbi vendin e gjakut të flisë së shpërblimit.

29Pjesën tjetër të vajit që është në dorën e majtë, le ta qesë mbi krye të njeriut që pastrohet, për ritin e zgjidhjes së tij para Zotit.

30Turtujt ose zogjtë e pëllumbave që mundi t’i fitojë le t’i flijojë

31njërin për fli të shpërblimit e tjetrin fli të shkrumbimit bashkë me flinë kushtimore bimore të endës e kështu prifti le ta kryejë mbi të ritin e zgjidhjes para Zotit.«

32Kjo është flia e gërbulanit që nuk është në gjendje t’i ketë të gjitha që duhen për pastrimin e tij.

Gërbula e shtëpive

33Zoti i tha Moisiut e Aronit:

34»Kur të keni hyrë në dheun e Kanaanit, që unë do t’jua jap për pronë, nëse do të ndodhë të ketë sëmundje të gërbulës në shtëpitë e pronës tuaj,

35i zoti i asaj shtëpie le të shkojë ta lajmërojë priftin e le t’i thotë: ‘Më duket se shtëpinë time e ka kapur gërbula.’

36Prifti atëherë le të japë urdhër të qitet jashtë gjithçka është në atë shtëpi para se ai të hyjë brenda për të parë sëmundjen, që të mos shpallen të gjitha ato sende që janë në shtëpi të papastra. Atëherë le të hyjë për ta vështruar shtëpinë.

37E, kur të shohë se në muret e saj ka gropëza të zverdhura dhe të kuqrremta dhe më të thella se sipërfaqja tjetër,

38le të dalë prej derës së shtëpisë e ta mbyllë menjëherë për shtatë ditë.

39Të shtatën ditë le të kthehet e ta shikojë; nëse gjen se është rritur sëmundja,

40le të japë urdhër të hiqen gurët në të cilët është sëmundja e lë të hidhen në një vend të papastër jashtë qytetit;

41kurse shtëpia le të urdhërojë të gërryhet përbrenda rreth e rreth dhe pluhurin e të gërryerit le ta hedhin jashtë qytetit në një vend të papastër.

42Le të vihen gurë të tjerë në vend të atyre që u hoqën dhe shtëpia le të lyhet me llaç tjetër.

43E nëse sëmundja shfaqet përsëri në shtëpi, pasi të jenë hequr gurët dhe të jetë gërryer dhe prapë të jetë lyer me llaç tjetër,

44e kur të hyjë prifti sheh se njolla është rritur në shtëpi: atëherë në shtëpi është gërbula dhe shtëpia është e papastër.

45Shtëpia le të rrënohet dhe gurët e saj, lëndët dhe tërë llaçi i saj të hidhen jashtë qytetit në një vend të papastër.

46Kush të hyjë në shtëpi pasi të jetë mbyllur, le të jetë i papastër deri në mbrëmje;

47kurse kush të flejë në të ose të hajë në të ndonjë send, duhet t’i lajë petkat e veta.

48Nëse prifti hyn e sheh se njolla nuk është rritur në shtëpi, pasi të jetë lyer përsëri, le ta shpallë atë të pastër: sëmundja është shëruar.

49Për pastrimin e saj le të marrë - dy shpendë të gjallë, dru cedri, pëlhurë të kuqe dhe hisop:

50le ta presë njërin shpend mbi një enë dheu që ka brenda ujë të gjallë,

51atëherë le të marrë dru cedri, pëlhurën e kuqe, hisopin dhe shpendin e gjallë dhe le t’i zhysë të gjitha në gjakun e shpendit të flijuar dhe në ujin e gjallë e le ta stërpikë shtëpinë shtatë herë.

52Kështu ai do ta pastrojë shtëpinë si me gjakun e shpendit ashtu me ujërat e gjalla, me shpendin e gjallë e me dru të cedrit, me hisop e me pëlhurë të kuqe.

53Pastaj e lëshon të fluturojë i lirë shpendi i gjallë në drejtim të fushës jashtë qytetit e atëherë bën ritin e zgjidhjes për shtëpinë. Atëherë ajo është e pastër.

54Kjo është rregullore për çdo lloj gërbule dhe qerose,

55për gërbulë petkash e shtëpish,

56të mëllërit, rrebullit e të njollës,

57që të mund të dihet sa kohë është diçka e papastër ose e pastër.«