Të gjithë kapitujt

Levitiku · Kapitulli 15

Papastria seksuale:, A. Për mashkullin, etj.

33 vargje

Papastria seksuale:

A. Për mashkullin

1Zoti foli me Moisiun e me Aronin e tha.

2»Thuajuni bijve të Izraelit: Kur ndonjë njeri të ketë derdhje prej vetes, kjo derdhje është e papastër.

3Ja në çka qëndron kjo papastri: nëse trupi i tij e lëshon këtë derdhje ose edhe nëse s’e lëshon: është i papastër.

4Çdo shtrojë ku ai të shtrihet do të jetë e papastër dhe çdo send në të cilin të rrijë, do të jetë i papastër.

5Çdo njeri që ta prekë shtratin e tij, ai duhet t’i lajë petkat e veta dhe ai vetë duhet të lahet me ujë e do të jetë deri në mbrëmje i papastër.

6Nëse ulet në vend ku ai pati ndenjur, le t’i lajë petkat e veta e le të lahet vetë, e do të jetë deri në mbrëmje i papastër.

7Kush ta prekë trupin e tij, le t’i lajë petkat e veta e le të lahet vetë me ujë e do të jetë deri në mbrëmje i papastër.

8Nëse njeriu i tillë pështyn dikënd që është i pastër, ky le t’i lajë petkat e veta, le të lahet vetë në ujë e le të jetë deri në mbrëmje i papastër.

9Çdo shalë mbi të cilën ka ndenjur, le të jetë e papastër.

10Kushdo që ta prekë çdo gjë që ka qenë nën atë që vuan nga të derdhurit e farës, do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Ai që të mbartë ndonjë send prej këtyre, le ta lajë të veshmen e vet e le të lahet vet në ujë dhe le të jetë i papastër deri në mbrëmje.

11Dhe secili, kë ta prekë me duar të palara ai që vuan nga të derdhurit e farës, le t’i lajë petkat e veta e le të lahet vetë me ujë dhe le të mbetet i papastër deri në mbrëmje.

12Nëse e prek enën dheu, le të thehet, kurse ena e drurit, le të lahet me ujë.

13Nëse shërohet ai që vuan na kjo sëmundje, atëherë le t’i numërojë shtatë ditë për pastrimin e vet e, pasi t’i ketë larë petkat e të jetë larë vetë në ujë të gjallë, le të jetë i pastër.

14Të tetën ditë le t’i marrë dy turtuj ose dy pëllumba, le të vijë të paraqitet te Zoti te dera e Tendës së takimit e le t’ia japë ata priftit.

15Prifti njërin le ta kushtojë fli mëkatimi e tjetrin fli shkrumbimi; prifti le të kryejë mbi të para Zotit ritin e zgjidhjes dhe i tilli do të pastrohet nga sëmundja e derdhjes.

16Kur ndonjë njeri ka pasur të derdhurit e farës, le ta lajë me ujë krejt trupin e vet e le të mbesë i papastër deri në mbrëmje.

17Petkun dhe lëkurën mbi të cilën ka rënë fara e derdhur, le ta lajë me ujë dhe le të mbetet e papastër deri në mbrëmje.

18Kur grua e burrë të bien si burrë e grua, të dyve u duhet të lahen me ujë e janë të papastër deri në mbrëmje.«

B. E gruas

19»Gruaja që në krye të muajit vuan nga derdhja e gjakut, le të jetë shtatë ditë e papastër. Kushdo që ta prekë do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

20Në çkado të bjerë ratë ose të rrijë ndenjur ajo gjatë kohës së ndarjes, do të jetë e papastër.

21Kush ta prekë shtrojën e saj, le t’i lajë petkat e veta dhe pasi të jetë larë edhe ai vetë, le të mbesë i papastër deri në mbrëmje.

22Çdo ulëse mbi të cilën ajo të ketë ndenjur, kush ta prekë, le t’i lajë petkat e veta e le të lahet në ujë e do të jetë deri në mbrëmje i papastër.

23Dhe kushdo të prekë shtrojën e çkado që ka qenë mbi shtrojën e saj ose mbi çdo send mbi të cilin ajo ka ndenjur, le të jetë i papastër deri në mbrëmje.

24Ai njeri që të bjerë me të si burrë e grua në kohën e derdhjes mujore të gjakut, le të jetë i papastër për shtatë ditë, dhe çdo shtrojë në të cilën të flejë, le të jetë e papastër.

25Gruaja që vuan për shumë ditë prej derdhjes së gjakut jo në kohën e pastrimit mujor ose nuk i pushon derdhja mujore e gjakut, derisa të vuajë nga kjo sëmundje, le të jetë e papastër sikurse të ishte në derdhjen mujore të gjakut.

26Çdo shtrojë në të cilën të flejë dhe send në të cilin të rrijë, le të jetë i papastër.

27Kushdo t’i prekë ato, le të jetë i papastër; le t’i lajë petkat e veta dhe ai vetë le të lahet me ujë dhe le të mbetë i papastër deri në mbrëmje.

28Nëse i ndalet gjaku dhe pushon së rrjedhuri, le t’i numërojë shtatë ditë e atëherë do të jetë e pastër.

29Të tetën ditë le të marrë për vete dy turtuj ose dy pëllumba e le t’ia japë priftit te dera e Tendës së takimit.

30Prifti njërin le ta kushtojë si fli mëkatimi, kurse tjetrin si fli shkrumbimi. Atëherë le ta kryejë mbi të ritin e zgjidhjes para Zotit për ndotjen e rrjedhjes së gjakut të saj.«

Përfundimi

31»Mësoni, pra, bijtë e Izraelit që t’i ruhen papastrisë, që të mos vdesin në ndotjet e veta duke e përdhosur Banesën time që është ndër ju.

32Kjo është rregullore për njeriun që pëson nga sëmundja e derdhjes së farës dhe prej të cilit derdhet fara e bëhet i papastër,

33dhe për gruan që është e papastër për shkak të derdhjes mujore të gjakut ose që vazhdon të derdhë gjak edhe më tutje, dhe për njeriun që fle me gruan e papastër.«