Të gjithë kapitujt

Levitiku · Kapitulli 24

Rregullore plotësuese rituale, A. Dritëza e përhershme, etj.

23 vargje

Rregullore plotësuese rituale

A. Dritëza e përhershme

1Zoti foli me Moisiun e tha:

2»Urdhëroju bijve të Izraelit që të sjellin vaj ulliri të pastër e të ndritshëm për t’i mbajtur ndezur vazhdimisht dritëzat e shandanit.

3Jashtë koltrinës të Dëshmisë, në Tendën e takimit, le ta bëjë gati Aroni vazhdimisht para Zotit prej mbrëmjes e deri në mëngjes. Është ligj i përhershëm brez pas brezi.

4Përmbi shandan të pastër Aroni le t’i rregullojë në mënyrë që ato të ndriçojnë vazhdimisht para Zotit.«

B. Bukët mbi lterin e artë

5»Merr mandej edhe prej më të mirit miell e piqi dymbëdhjetë bukë, kështu që secila të ketë dy të dhjetat e efit,

6të cilat vëri nga gjashtë në dy radhë mbi tryezën e pastër në praninë e Zotit.

7Dhe vër përmbi të dy turrat kem të pastër. Ky do të jetë në vend të bukës përkujtim - shujtë e djegur në nder të Zotit.

8Çdo të shtunë le të ndërrohen para Zotit. Le t’i sjellin bijtë e Izraelit në emër të besëlidhjes së përhershme.

9I takojnë Aronit dhe bijve të tij që t’i hanë në vendin e shuguruar. Janë pjesë e tij shumë e shenjtë prej flive të kushtuara në nder të Zotit. Është ligj i përhershëm.«

Hyjshmuesi dhe ligji i hakmarrjes

10Dhe, ja, i biri i një izraelite i ati i të cilit ishte egjiptian, doli ndër izraelitë dhe zuri të grindet me një izraelit.

11I biri i izraelites e shau Emrin dhe e nëmi. E çuan te Moisiu. Nëna e tij quhej Salomitë dhe ishte e bija e Dabriut, e fisit Dan.

12E ndryen në burg derisa t’i dëftohet vullneti i Zotit.

13Zoti foli me Moisiun e tha:

14»Nxirre hyjshmuesin jashtë tëbanishtës dhe të gjithë ata që e dëgjuan le t’i vënë duart mbi kokën e tij dhe mbarë bashkësia le ta vrasë me gurë.

15E bijve të Izraelit thuaju: Ai njeri që do ta shajë Hyjin e vet, le ta mbarë peshën e mëkatit të vet;

16kush ta hyjshmojë Emrin e Zotit, le të ndëshkohet me vdekje: le ta mbysë me gurë mbarë bashkësia, si në qoftë i huaj si në qoftë izraelit, le të mbytet me gurë ai që ta ketë sharë Emrin.

17Kush t’i bjerë njeriut e ta vrasë, le të ndëshkohet me vdekje.

18Kush vret kafshën, le ta zëvendësojë me një si ajo: jetë për jetë.

19Kush t’i shkaktojë varrë ndokujt prej bashkatdhetarëve të vet, le t’i bëhet edhe atij siç bëri ai:

20të thyerit për të thyera, syri për sy, dhëmbi për dhëmb - çfarë varre i shkaktoi tjetrit, varrë të njëjtë le të durojë edhe ai vetë.

21Kush vret bagëtinë, le ta paguajë; por ai që vret njeriun, le të vritet.

22Do të kini të njëjtin ligj: si nëse gaboi vendasi si në gaboi ardhacaku. Sepse unë jam Zoti, Hyji juaj.«

23Pasi Moisiu u tha kështu bijve të Izraelit, ata e nxorën jashtë tëbanishtës hyjshmorin dhe e mbytën me gurë. Izraelitët bënë ashtu sikurse i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.