Të gjithë kapitujt

Levitiku · Kapitulli 25

Vitet e shenjta, A. Viti shtunor, etj.

55 vargje

Vitet e shenjta

A. Viti shtunor

1Në malin e Sinait Zoti foli me Moisiun e tha:

2»Fol me bijtë e Izraelit e thuaju: Kur të hyni në tokën që do t’jua jap unë, toka le ta shtunojë të shtunën në nder të Zotit.

3Gjashtë vjet mbille arën tënde dhe gjashtë vjet kije vreshtin tënd dhe mblidhi frytet e saja;

4porse të shtatin vit, edhe toka le ta ketë pushimin shtunor - krejt viti e shtunë në nder të Zotit: mos e mbill arën tënde as mos e kij vreshtin tënd!

5Çfarë toka të prodhojë vetvetiu, mos e korr as mos e vil rrushin e vreshtit tënd të pakirë.

6Ushqehuni me çka të japë vetvetiu toka gjatë vitit shtunor: ti, shërbëtori yt, shërbëtorja jote, mëditësi yt dhe shtegtari që banon ndër ju,

7bagëtitë e tua dhe egërsirat që jetojnë në tokën tënde: le të ushqehen prej sa toka të prodhojë vetvetiu.«

Viti jubilar

8»Numëroj shtatë javë vitesh, d.m.th. shtatë herë shtatë, që të gjitha së bashku bëjnë dyzetë e nëntë vjet.

9Atëherë bjeri trumbetës në muajin e shtatë, të dhjetën ditë të muajit, Ditën e shpërblimit, bini trumbetës anekënd vendit tuaj.

10Të pesëdhjetin vjet shpalleni vit të shenjtë; kumtoni në mbarë vendin çlirimin e të gjithë banorëve. Ky le të jetë për ju jubile: le të kthehet secili në pronën e vet, le të kthehet secili në fisin e vet të mëparshëm.

11I pesëdhjeti vit le të jetë për ju jubile: mos mbillni, mos korrni çka të lejë vetvetiu në arat dhe mos i vilni vreshtat e pakira,

12sepse është jubileu, një gjë e shenjtë për ju. Hani çka të mbijë vetvetiu në ara.

13Në këtë vit jubilar secili prej jush le të kthehet në pronën e vet.

14Kur t’i shitësh ndonjë send të afërmit tënd ose të blesh ndonjë send prej tij, askush të mos e shfrytëzojë vëllanë e vet, por të blejë prej tij sipas numrit të vjetëve pas jubileut

15dhe ai le të shesë sipas numrit të viteve të fryteve.

16Sa më shumë vite të mbesin pas jubileut, ashtu të rritet edhe çmimi dhe sa më pak kohë të numërosh, aq më pak të kushtojë shitja: sepse i duhet të shesë kohën e fryteve.

17Mos i shrytëzoni bashkatdhetarët tuaj, por druaje Hyjin tënd, sepse unë jam Zoti, Hyji juaj.«

Dorëzania hyjnore për vitin shtunor

18»Mbani urdhërimet e mia dhe urdhëresat, ruani dhe zbatoni që të mund të jetoni mbi tokë pa farë frike

19e që toka t’ju prodhojë frytet e veta me të cilat të mund të ushqeheni e të ngiheni e që të mund të jetoni përmbi tokë pa frikën nga sulmi i askujt.

20Por nëse do të thoni: ‘Çka do të hamë të shtatin vit, nëse nuk do të mbjellim e nuk do t’i mbledhim frytet tona?’

21Unë do ta bekoj vitin e gjashtë dhe do të prodhojë frytet e tri vjetëve:

22do të mbillni të tetin vjet e do të ushqeheni me frytet e vjetra deri të nëntin vit: deri të mbërrinë prodhimet e reja, do të ushqeheni me të vjetrat.«

Kthimi i pronësisë

23»Toka nuk mund të shitet për përgjithmonë, sepse është imja, kurse ju jeni tek unë vetëm të ardhur e pendarë.

24Këndej, në mbarë vendin, ku do të keni pronë, do ta shisni me qyshke që toka të shpërblehet.

25Nëse vëllai yt bie ngushtë e i duhet të shesë ndonjë pjesë të pronës së vet, le të vijë si shpërblyes i afërmi i tij dhe le ta shpërblejë atë që ka shitur ai.

26Nëse nuk ka atë që mund ta shpërblejë dhe ai ia del ta fitojë çmimin për ta shpërblyer,

27le t’i numërojë vitet prej kohës që e ka shitur dhe t’ia kthejë tepricën blerësit e kështu ta kthejë pronën e vet.

28Nëse nuk i gjen mjetet për ta kthyer, toka le t’i mbesë blerësit deri në vitin e jubileut. Në vitin e jubileut çdo shitje le të kthehet tek i zoti, t’i kthehet atij që e ka pasur më parë.

29Kush e shet shtëpinë brenda mureve të qytetit, mund ta shpërblejë derisa të mos mbushet viti i shitjes.

30Nëse nuk e shpërblen e viti kalon, blerësi do ta ketë në posedim ai dhe pasardhësit e tij, brez pas brezi, dhe nuk do të mund të shpërblehet as në jubile.

31Por, nëse shtëpia ndodhet në fshat, që nuk është i rrethuar me mure, le të shitet me të drejtat e arave: mund të shpërblehet dhe në jubile le t’i kthehet të zotit.

32Shtëpitë e levitëve që gjenden në qytetet e pronës së tyre, mund të shpërblehen prej tyre në çdo kohë.

33Nëse e shpërblen ndokush prej levitëve, shtëpitë dhe qyteti në jubile le të t’i kthehen pronarit, sepse shtëpitë e qytetit të levitëve mbahen ndër izraelitë për pronë e tyre.

34Kurse kullotat rreth qyteteve të tyre nuk mund të shiten, sepse janë prona e tyre e përhershme.

B.Lidhur me popull: huazim dhe shpërblim

35»Nëse vëllai yt bie në skam e nuk ka me se të shpaguhet me ty, pranoje si të huajin e shtegtarin e le të jetojë me ty.

36Mos merr kamatë prej tij dhe as më shumë se i ke dhënë: druaje Hyjin tënd që të mund të jetojë vëllai yt te ti.

37Paratë e tua mos ia jep me kamatë, dhe mos kërko më shumë se është e drejtë për ushqim që i jep.

38Unë jam Zoti, Hyji juaj, që ju nxora nga dheu i Egjiptit për t’jua dhënë tokën e Kanaanit e për të qenë Hyji juaj.

39Nëse vëllai yt i shtyrë prej skamit të shitet ty, mos e detyro të të shërbejë si skllav,

40por mbaje si rrogëtar e mëditës. Le të punojë te ti deri në vitin e jubileut

41e atëherë le të dalë bashkë me fëmijët e tij e të kthehet në fisin e vet e në pronën e t’et.

42Janë shërbëtorët e mi dhe unë i nxora nga dheu i Egjiptit: nuk bën të shiten si skllevër.

43Mos u sill me të ashpër pse je më i zoti, por druaje Hyjin tënd.

44Skllav e skllave mund të kesh prej popujve që janë përreth; prej popujve përreth bleni skllav e skllave.

45Mund të bleni edhe prej të huajve që banojnë ndër ju e prej familjeve të tyre që është ndër ju dhe që u lindën në vendin tuaj. Të tillët mund të bëhen prona juaj

46dhe me të drejtën trashëgimore mund t’i kaloni në pasardhësit tuaj dhe mund t’i keni në pronë si skllevër përgjithmonë. Kurse kundrejt vëllezërve, izraelitëve, askush s’guxon të sillet keq.

47Nëse u pasurua i huaji ose shtegtari ndër ju dhe vëllai juaj si i varfër iu shit atij ose kujtdo prej farës së tij,

48mund të shpërblehet pasi të jetë shitur. Dikush prej vëllezërve të tij le ta shpërblejë

49ja ungji, ja djali i ungjit ose kushdo prej farefisit. Po qe se edhe ai vetë mundet, le ta shpërblejë vetveten,

50duke llogaritur me blerësin kohën qysh kur i është shitur deri në vitin e jubileut. Çmimi i shpërblimit të tij të jetë sipas vjetëve. Koha që e ka kaluar te pronari i tij le të vlerësohet si kohë e rrogëtarit.

51Nëse janë shumë vjet që mbeten deri te jubileu, sipas këtyre vjetëve le t’i kthejë blerësit sipas çmimit të blerjes;

52nëse janë pak, le t’i llogaritë me blerësin e le t’i kthejë për shpërblimin e vet sipas viteve të shpërblimit.

53Kundrejt tij le të sillet sipas rregullave që vlejnë për rrogëtar që merret prej vitit në vit. Ndër sy të tu të mos sillet ashpër me të.

54Nëse nuk mund të shpërblehet në këtë mënyrë, në vitin jubilar le të dalë ai e fëmijët e tij:

55sepse bijtë e Izraelit janë shërbëtorët e mi. Unë i nxora nga dheu i Egjiptit. Unë Zoti, Hyji juaj.«