Të gjithë kapitujt

Levitiku · Kapitulli 26

Përmbledhje. Përfundim, Bekimet, etj.

46 vargje

Përmbledhje. Përfundim

1»Mos bëni idhuj e trupore as mos ngulni gur as mos vendosni në gurë fytyra të gdhendura për t’i adhuruar në vendin tuaj. Sepse unë jam Zoti, Hyji juaj.

2Ruani të shtunat e mia e nderoni Shenjtëroren time. Unë jam Zoti.«

Bekimet

3»Nëse do të jetoni sipas ligjeve të mia dhe nëse do t’i mbani urdhërimet e mia e do t’i shtini në veprim ato,

4do t’ju jap shira në stinën e tyre dhe toka do të japë prodhimet e veta dhe pemët do të mbushen me fruta.

5Shirja e të korrave do ta zërë vjeljen e vjelja mbjelljen. Do të hani bukën tuaj e do të ngopeni. Do të jetoni në vendin tuaj pa farë frike.

6Do ta vendos paqen brenda kufijve tuaj, do të flini e s’do të ketë kush t’ju trembë. Kafshët dëmtuese do t’i zhduk nga vendi juaj dhe shpata nuk do të përshkojë brenda kufijve tuaj.

7Do t’i vini në ikje armiqtë tuaj dhe ata do të bien para jush nga shpata.

8Pesë prej jush do t’i ndjekin njëqind sish, ndërsa njëqind jush dhjetë mijë sish: armiqtë tuaj do të bien nga shpata para syve tuaj.

9Unë do t’ju këqyr ju e do të bëj të shtoheni e ju do të shumoheni dhe do ta përforcoj besëlidhjen time me ju.

10Do të hani prodhimet e vjetra të grumbulluara prej të korrave të mëparshme; e kur të vijnë të rejat, do t’i hidhni prodhimet e vjetra.

11Ndër ju do ta ngul Banesën time dhe nuk do t’ju përbuz.

12Do të jetoj ndër ju dhe do të jem Hyji juaj e ju do të jeni populli im.

13Jam unë Zoti, Hyji juaj, që ju nxora prej dheut të Egjiptit që të mos jeni më skllevërit e tyre. Unë e theva zgjedhën tuaj që të ecni kryelart.«

Mallkimet

14»Por, nëse nuk do të më dëgjoni e nuk do t’i zbatoni të gjitha këto urdhërime,

15nëse do t’i përbuzni ligjet e mia e do t’i vini nën këmbë vendimet e mia për të mos i vënë në veprim urdhërimet e mia e do ta zhbëni besëlidhjen time,

16por, qe, edhe çka do t’ju bëj unë juve: do t’jua fus frikën në palc, do t’ju çoj rraskapitje dhe ethe që t’jua shterin sytë e t’jua brejnë jetën. Kot do të mbillni farën tuaj, armiqtë do t’jua hanë!

17Unë vetë do të jem kundër jush: do të bini para armiqëve tuaj, do t’ju nënshtroheni atyre që ju urrejnë e do të ikni pa ju pasë ndjekur kush.

18E në qoftë se edhe kështu nuk do të më dëgjoni, do t’i shtoj shtatëfish ndëshkimet ndaj jush për shkak të mëkateve tuaja

19e do ta përul madhështinë e kryeneçësisë tuaj. Hekur do ta bëj qiellin përmbi ju e tokën bronz.

20Huq do të shkojë fuqia juaj: toka s’do të japë prodhime e pemët nuk do të japin fruta.

21E nëse do të jetoni kundër meje e nuk do të doni të më dëgjoni, shtatëfish do t’jua shtoj varrët tuaja për shkak të mëkateve tuaja:

22do t’i lëshoj mbi ju egërsirat e malit, të cilat do t’ju lënë pa fëmijë, do t’i shfarosin bagëtitë tuaja edhe ju do t’ju pakësojnë që udhët tuaja të mbeten shkretë.

23Po në qoftë se as kështu nuk do t’ju bjerë në fije qortimi im, por përkundrazi do të jetoni në kundërshtim me mua,

24edhe unë do të vihem kundër jush dhe do t’ju godas shtatë herë për shkak të mëkateve tuaja:

25do të sjell mbi ju shpatën hakmarrëse të besëlidhjes sime; kur të strehoheni në qytetet tuaja, unë do të çoj ndër ju murtajën e ju do t’u lëshoheni në duar armiqve.

26E kur ta thyej për ju shkopin e bukës: dhjetë gra do ta pjekin bukën tuaj në një furrë të vetme, do t’jua japin me masë, do të hani, por nuk do të ngiheni.

27Në qoftë se as kështu nuk do të më dëgjoni, por do të vazhdoni të jetoni kundër vullnetit tim,

28edhe unë do t’ju kundërshtoj plot felgrim: unë do t’ju ndëshkoj shtatëfish për shkak të mëkateve tuaja:

29kështu që do të hani mishin e bijve tuaj e mishin e bijave tuaja.

30Unë do t’i rrafshoj kodrat e idhujve tuaj, do t’i rrënoj lterët e kemimit, meitet tuaja do t’i vë mbi meitet e idhujve tuaj, e do t’ju përbuzë shpirti im.

31Ndërkaq, qytetet tuaja do t’i shndërrojë në gërmadha, shkretë do t’i bëjë shenjtëroret tuaja, dhe nuk do ta marr më erën e këndshme të flive tuaja.

32Do ta shkretoj vendin tuaj: mbi të do të mbesin shtang të habitur armiqtë tuaj kur të vijnë të banojnë në të.

33Kurse ju do t’ju shpërndaj ndër paganë, e pas jush do ta nxjerr shpatën prej millit: toka juaj do të mbetë e shkretë e qytetet tuaja gërmadha.

34Atëherë tokës do t’i pëlqejnë të shtunat e saja, gjatë krejt kohës së vetmimit të saj. Kur ju të gjendeni në dheun e armiqve, ajo do të shtunojë, do t’i çojë në vend të shtunat e veta.

35Gjatë tërë kohës së shkretimit do të shtunojë, sepse nuk pati pushim në të shtunat tuaja, kur ju banonit në të.

36E ndër ata prej jush që të mbesin gjallë, do t’u fus në zemrat e tyre tmerrin në vendet e armiqve: do t’i trembë edhe fërshellima e gjethit që bie, do të ikin si prej shpatës; do të bien pa i pasë ndjekur kush.

37Do të bie njëri mbi tjetrin sikur të iknin prej luftës, pa i pasë ndjekur njeri. Asnjëri prej jush nuk do të ketë guxim t’i dalë përballë armikut.

38Do të sharroni në mes të paganëve dhe do t’ju shkrijë toka e armikut.

39Po edhe në qoftë se disa prej jush do të mbesin gjallë, do të kalben në paudhësitë e veta në dheun e armiqve tuaj edhe për shkak të mëkateve të etërve do të shkrihen bashkë me ta.

40Atëherë do t’i pranojnë paudhësitë e veta e të të parëve të vet e do të thonë se bënë shenjtdhunim kundër meje e jetuan kundër vullnetit tim.

41Edhe mua m’u desh të sillem kësodore kundër tyre e t’i tres në dheun e armiqve të tyre.«

Mundësia e kthimit

»Ndoshta atëherë zemra e tyre e parrethprerë do të përulet e do të bëjnë pendesë për paudhësitë e veta.

42Atëherë edhe unë do të kujtohem për besëlidhjen time që e lidha me Jakobin, Izakun e me Abrahamin. Do të më kujtohet gjithashtu edhe Vendi

43që, pasi të ketë qenë lënë prej tyre, do të kënaqet në vetvete në të shtunat e veta kur të mbesë i shkretë për shkak të tyre. Kurse ata do të bëjnë pendesë për mëkatet e veta për shkak se i flakën urdhërimet e mia e i përbuzën ligjet e mia.

44E, madje, edhe kur të jenë në dheun e armiqve të tyre, nuk do të heq krejtësisht dorë prej tyre as që do t’i përbuz deri në atë masë që t’u tresë fara e ta zhbëj besëlidhjen time me ta. Sepse unë jam Zoti, Hyji i tyre.

45E do t’ua përkujtoj atyre besëlidhjen me të parët e tyre, të cilët i nxora nga dheu i Egjiptit në sy të paganëve që të jem Hyji i tyre. Unë, Zoti.«

46Këto janë urdhëresat, urdhërimet dhe ligjet që i dha Zoti ndërmjet vetes e bijve të Izraelit në malin Sinai me anë të Moisiut.